Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, gomari nga uria kafshon McLarenin
Pëlqej
Ka mënyra të pafundme sesi mund të dëmtohet një makinë, por kafshimi i një gomari, nëse s’është rasti i vetëm në botë, është padyshim në fund të listës.

Por pikërisht kjo i ndodhi McLarenit prej 310 mijë eurosh të gjermanit Markus Zahn, i cili mbase bëri gabimin e sinqertë ta parkonte makinën luksoze pranë gardhit ku kulloste gomari me emrin Vitus.

Mbase i shtyrë nga uria, siç sugjeroi policia lokale, Vitus mund ta ketë ngatërruar McLarenin me një karrotë dhe nuk u mendua dy herë për t’i ngulur dhëmbët.

Çështja, e cila përfundoi në gjykatë, tërhoqi vëmendje të madhe në mediet gjermane, që nuk mund të linin pa përmendur fundit e gjyqit.

Gjykata që mbulon qytezën Vogelsberg, ku ndodhi ngjarja, tha se pronarët e gomarit duhet t’i paguajnë Markus Zahnit plot 5.800 euro, pasi aq kushtoi riparimi i dëmit që pësoi makina.

Mediet raportojnë se pronarët e Vitusit nuk janë aspak dakord dhe pritet ta apelojnë vendimin, pasi mendojnë se fajtor është pronari i makinës, që e parkoi aq afër gomarit.
Shtuar më 08/12/2018, ora 21:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori