Shumica e heshtur duhet të dëgjohet, Britania duhet t’i ribashkohet BE-së

Nga Patience Wheatcroft “The New European

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kërkimi për të gjetur përfitimet iluzore të Brexit mori me të drejtë fund në Festivalin e Birrës në Britaninë e Madhe muajin e kaluar. Kryeministri Sunak mbushi vetë një gotë 1-litroshe përpara kamerave dhe aparateve fotografie, ndërsa njoftoi se çmimi i birrës në lokale do të ulej pikërisht falë Brexit.

“Ne kemi përfituar nga Brexit duke thjeshtëzuar sistemin e taksave, ulur çmimin e pijeve alkoolike dhe duke mbështetur prodhimin vendas”- tha ai. Ndoshta Rishi Sunak, ka një vizion të pub-eve të tejmbushura me birrën britanike, dhe klientët që do të kënaqen aq shumë me pijet e tyre më të lira, saqë do të tregojnë mirënjohjen e tyre duke votuar konservatorët në zgjedhjet e ardhshme.

Por baret shërbejnë edhe verë, dhe çmimi i një gote po rritet. Çmimet po rriten edhe për pijet e forta alkoolike, duke përfshirë xhinin. Realiteti është se këto përfitime nga Brexit nuk ekzistojnë. Për këtë arsye, qeveria detyrohet që të gënjejë. Në fakt një analize e shkurtër e shifrave tregon një histori shumë të ndryshme nga ajo që pretendon qeveria.

Sipas analizës nga “Alix Partners & CGA”, në 3 vitet e fundit, deri në mars 2023, janë mbyllur 13.793 bare. Një shifër 2 herë më e lartë se në 3 vitet e mëparshme. Dhe ndërsa Covid-19 dhe kriza e kostos së jetesës duhet të marrin një pjesë të fajit, humbja e stafit të BE-së po i shkakton shumë dëme biznesit.

Disa sondazhe tregojnë se publiku britanik mendon se Brexit ishte një gabim. Dhe kjo frymë po kthehet tani në një vullnet për t’u ribashkuar në BE. Një sondazh i YouGov i zhvilluar në mes të korrikut, zbuloi se 51 për qind do të votonin për t’u ribashkuar me BE-në dhe vetëm 32 për qind për të mbetur jashtë unionit.

Duke llogaritur edhe ata që thonë “nuk e di”, do të përkthehej në 61 për pro dhe 39 kundër ribashkimit me BE-në. Atëherë pse asnjë parti politike nuk po flet për këtë shumicë të heshtur? Edhe Liberal Demokratët, të cilët mburren se janë më pro-evropianë se 2 partitë e tjera të mëdha, nuk mund ta shqiptojnë dot fjalën “ribashkim”. Në zgjedhjet e fundit të pjesshme, ata e shmangën plotësisht këtë çështje.

Edhe kur detyrohet të japë një lloj përgjigjeje, kjo parti përdor një plan jashtëzakonisht të kujdesshëm me 4 pika, për të ndërtuar marrëdhënie më të ngushta me BE-në dhe për t’u ribashkuar përfundimisht me tregun e përbashkët. Laburistët janë akoma më të kujdesshëm në raport me këtë temë.

Lideri i saj Keir Starmer bën lloj-lloj kapërcimesh për të shmangur çdo diskutim mbi Brexit. Dhe vetëm përmendja e ribashkimit të Britanisë me BE-në ka tek ai të njëjtin efekt si hudhra tek një vampir. Pozicioni i tij është i qartë: përpara zgjedhjeve parlamentare, ai synon të shqetësojë sa më pak votues që të jetë e mundur.

Dhe këtu përfshihen edhe votuesit e majtë që mbështetën Brexit-in, dhe që nuk kanë hequr ende dorë nga kjo ide. Nga ana tjetër ekziston një konflikt midis këtij pozicioni dhe vendosmërisë së Starmerit për t’u shfaqur me i ndjeshëm ndaj problemeve ekonomike të atyre që janë më në nevojë.

Kjo qasje e ka nxitur të mbështesë pezullimin e përfitimeve për më shumë se sa 2 fëmijë për familje. Ndërsa kjo lëvizje ka mërzitur shumë nga deputetët e partisë së tij, ai llogarit se ata që janë të interesuar për një sistem më bujar të mirëqenies sociale do të qëndrojnë gjithmonë me laburistët, ndërsa çdo aluzion për një lëvizje për ribashkim me BE-në mund t’i kushtojë vota.

Dhe kjo ndonëse Brexit ishte një vendim shumë i gabuar në aspektin ekonomik, dhe për pasojë nga anulimi i tij do të kishte përfitime të dukshme për ekonominë tonë. Qendra për Reformën Evropiane vlerëson se Brexit e ka ulur me 5.5 për qind PBB-në.

Të dhënat e tregtisë tregojnë vazhdimisht se vendosja e barrierave tregtare ndaj tregut tonë më të madh, që është ai i BE-së, është një mënyrë e sigurt për të ulur eksportet britanike. Shumë kompani më të vogla i cilësuan pengesa të tilla të pakapërcyeshme, dhe janë tërhequr plotësisht nga eksporti.

Nuk është aspak e habitshme pse Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se Britania e Madhe do të jetë e vetmja ekonomi e madhe që do të pësojë rënie këtë vit. Instituti Kombëtar për Kërkime Ekonomike dhe Sociale, publikoi së fundmi një studim që tregon se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është ende nën nivelin e saj para pandemisë, dhe nuk do ta kalojë atë nivel deri në fund të vitit 2024.

Pra sot gjendemi në periudhën më të zgjatur të rritjes ekonomike të humbur që nga kriza financiare e 2008-ës. Qeveria i kupton shumë mirë vështirësitë, megjithëse asnjë ministër nuk do t’i pranonte ato publikisht. Përkundrazi, ata vazhdojnë që të shtyjnë në heshtje afatet për vendosjen e barrierave të tjera.

Edhe futja e kontrolleve në porte është vonuar për shkak të pranimit të heshtur se ato rrezikojnë të shkaktojnë kaos. Megjithatë, ndërsa qeveria vazhdon të përpiqet të shtyjë më të keqen e Brexit-it, partitë opozitare nuk arrijnë të denoncojnë hipokrizinë duke deklaruar atë që është më se e dukshme: Mbretëria e Bashkuar do të ishte më mirë në BE.

Ndërsa rreziku i mërzitjes së votuesve, ndikon në heshtjen e laburistëve mbi këtë çështje, është e vështirë të mendohet se një votues i mundshëm i liberal demokratëve do të bënte diçka tjetër, përveçse të mirëpriste një pozicion të guximshëm anti-Brexit nga Ed Davey.

Por ndoshta ai dhe Starmer e shohin të mbushur me vështirësi rrugën drejt ribashkimit me Evropën. Mbretëria e Bashkuar u largua me imazhin e një anëtareje shumë të vështirë të klubit dhe që nga ajo kohë i ka njollosur më tej kredencialet e saj, duke mos treguar respekt për traktatet ndërkombëtare. Kohët e fundit Londra ka refuzuar përpjekjen për të negociuar kushte më të lehta tregtare me shtetet individuale të BE-së, duke anashkaluar vetë BE-në, një taktikë që ka sjellë efektin e kundërt.

Nëse me Brexit është rifituar “sovraniteti”, ka shumë gjëra për të treguar. Britania e Madhe është më e varfër financiarisht por edhe kulturalisht. Humbja e lirisë së lëvizjes i ka privuar njerëzit nga përvoja që zgjeron mendësinë e jetesës dhe punës në Evropë. Ajo i ka bërë pothuajse të pamundura turnetë për muzikantët dhe kërcimtarët, dhe ka kufizuar shkëmbimet shkollore.

Partitë opozitare duhet ta ngrenë zërin për këto humbje. Ajo që i pengon ata ta bëjnë këtë është frika se mos goditen nga një granatë e quajtur “emigrim”. Ndërkohë qytetarët e BE-së janë të lirë të vijnë në Britani. Pavarësisht nëse janë infermierët dhe mjekët, hidraulikët dhe ndërtuesit, kuzhinierët dhe kamerierët.

Ata na duhen dhe tani qeveria po përpiqet të ndërtojë skema vizash për të rimarrë shërbimet e tyre. Emigrimi i paligjshëm e shqetëson publikun, sidomos atë konservatorë. Por vala e emigrantëve nuk do të ndalet pasi lufta, uria dhe thatësira vazhdojnë të dëmtojnë jetesën në pjesë të mëdha të botës.

Për t’iu afruar një zgjidhjeje kërkohet bashkëpunim ndërkombëtar, dhe një qasje e përbashkët e BE-së do të ishte shumë më produktive sesa gjesti bosh i hedhjes së parave në Ruanda ose dërgimi i emigrantëve në ishullin Ascension. Të qenit pjesë e tregut të përbashkët sjell shumë më tepër përfitime se çdo gjë që mund të sjellin marrëveshjet “e reja” tregtare që ka arritur të nënshkruajë qeveria.

Çdo politikan i zgjuar, i interesuar për ekonominë britanike duhet të bëjë fushatë për ri-hyrjen në BE sa më shpejt që të jetë e mundur. Por të qenit pjesë e një Evrope të bashkuar sjell shumë më tepër përfitime: ndikim në skenën botërore, mundësi arsimimi për të rinjtë tanë, siguri të shtuar në një kohë kur duhet të merret parasysh sjellja agresive e Kinës, dhe kur Rusia është në ofensivë. Brexit nuk po funksionon. Synimi kryesor i qeverisë së ardhshme duhet të jetë zhbërja e dëmit që ka shkaktuar ai.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 1.09.2023 09:41

Tags: