Gjuetia, si po zbulohen bashkëpunëtorët e Rusisë në mesin e popullatës ukrainase

Nga Stefanie Glinsk “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kherson, Ukrainë – Zhurma e të shtënave të ndërsjella të artilerisë midis rusëve dhe ukrainasve ishte pothuajse konstante, kur gruaja e moshuar ndaloi për një moment për t’u çlodhur pranë spitalit kryesor të Kherson-it, me një karrocë ku kishte disa shishe uji, të cilat sapo kishte mbushur në bregun e lumit Dnipro.

“Situata ishte më mirë kur këtu ishin rusët. Dhe Krimeja i përket me të drejtë Rusisë!”. Ajo vazhdoi të lavdëronte Putinin dhe refuzoi të tregonte emrin e saj apo të fotografohej. Ajo më tha se edhe pse në moshën 75-vjeçare ishte ende “e re në zemër”, ndërsa disa ushtarë ukrainas u grumbulluan rreth saj.

Një raketë goditi aty pranë, e pasuar nga një tjetër. Pak çaste më vonë, gruaja ishte larguar, duke e tërhequr nga pas karrocën e saj me dy rrota. Ndërkohë ushtarët kishin njoftuar tashmë policinë. “Cilido mund të jetë një bashkëpunëtor apo tradhtar që ndihmon rusët. Nuk ka rëndësi mosha, gjinia apo prejardhja”- thotë Serhiy Tsehotsky, major i Brigadës 59 të Motorizuar të Ushtrisë së Ukrainës, duke shtuar se është detyra e policisë dhe jo e ushtrisë të ”zbulojë se ku jeton kjo grua, me kë flet, apo nëse është e përfshirë në aktivitete të paligjshme”.

“Bashkëpunëtorët kryesorë të pushtuesit janë larguar nga Kherson. Por shumë të tjerë kanë mbetur këtu”- shton ai. Informatorët, tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e kanë mbështetur Rusinë që në fillim të luftës në Ukrainë.

Ata i kanë ndihmuar rusët në gjetjen e objektivave në të gjithë vendin, dhe madje kanë arritur të depërtojnë deri në qeverinë qendrore në Kiev. Mijëra prej tyre janë arrestuar vitin e kaluar; ndërsa për ta janë hapur qindra çështje gjyqësore.

“Agjentët e Rusisë janë kudo:në qeveri, sistemin gjyqësor, në Kishë. Ata janë anëtarë të parlamentit, gjyqtarë, priftërinj dhe sigurisht edhe civilë”- shprehet Iryna Fedoriv, ​drejtuese ​“Chesno”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Kiev që ka funksionuar në Ukrainë gjatë dekadës së fundit.

Që fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, ajo ka identifikuar më shumë se 1000 bashkëpunëtorë, nga të cilët 47 për qind janë politikanë dhe 27 për qind gjyqtarë. ‘Bashkëpunëtorët e armikut kanë depërtuar në të gjithë sistemin. Në polici, gjykata madje edhe në qeveri. Ndërsa shumë njerëz janë arrestuar, shumë më pak raste janë dërguar në gjykatë”- thekson ajo.

Sipas Fedoriv kjo ndodh për shkak se sistemi është i kalbur dhe i korruptuar. “Ne kemi nevojë urgjente për reformimin e tij. Ne kemi ende deputetë nga partitë pro-ruse. Kemi gjyqtarë pro-rusë. Pse i mbajmë ata në këto poste? Ne duhet të shpëtojmë prej tyre. Përndryshe do ta shkatërrojmë vendin tonë”- deklaron ajo.

Ndërsa që nga fillimi i pushtimit të vitit të kaluar ka pasur ndryshime drastike, ndikimi rus mbetet i rrënjosur thellë në shumë pjesë të Ukrainës, vend që ka qenë ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik për gati 70 vjet, nga viti 1922 deri në vitin 1991. Ideologjia e Kremlinit e konsideron ende Ukrainën si një pjesë historike të Rusisë.

Njerëzit në të gjithë Ukrainën Lindore kanë folur tradicionalisht rusisht – edhe pse shumë tani kanë kaluar tek ukrainishtja  – ndërsa kanalet televizive propagandistike ruse kanë qenë kryesisht të disponueshme, të ndjekura kryesisht nga popullata e moshuar.

Edhe në serialin e famshëm televiziv me protagonist presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Shërbëtori i Popullit, shumica e personazheve flasin rusisht. Por lidhjet historike midis njerëzve në Ukrainën Lindore dhe Rusisë janë rivlerësuar që nga Revolucioni i Maidanit i viteve 2013-2014 dhe sidomos që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar.

Ish-presidenti ukrainas Victor Janukovich, që u rrëzua gjatë revolucionit, zgjodhi vazhdimisht kultivimin e lidhjeve të ngushta me Rusinë gjatë mandatit të tij dhe tani jeton i mërguar në Rusi. Gjatë viteve të fundit, më shumë se 15 parti politike pro-ruse janë ndaluar në të gjithë Ukrainën.

Edhe Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) duhet të “pastrohet nga spiunët dhe tradhtarët”, thotë zëdhënësi Artem Dekhtiarenko, duke shtuar se agjencia i ka dhënë një rëndësi të veçantë kësaj çështje. “Për fat të keq, armiku ka infiltruar agjentë deri tek autoritetet më të larta dhe në mesin e zyrtarëve të lartë”- tha ai, duke treguar disa nga sukseset e fundit të SBU-së.

Që nga shkurti i vitit të kaluar, hetuesit e SBU kanë nisur rreth 2.500 procedime penale bazuar në shenjat e aktivitetit bashkëpunues. Po ashtu, ata kanë arrestuar 600 agjentë dhe spiunë të armikut dhe kanë neutralizuar më shumë se 4.500 sulme kibernetike dhe incidente ndaj institucioneve shtetërore, ose 3 herë më shumë se një vit më parë.

Një burrë që u kishte dhënë rusëve informacione për objektet kritike të infrastrukturës në rajonin e Donetsk, duke tentuar të gjente vendndodhjen e raketave ukrainase, u dënua së fundmi me 12 vjet e gjysmë burg. Në dy raste të tjera, kreu i një drejtorie të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Ukrainës si dhe kreu i një njësie të Sekretariatit të Kabinetit të Ministrave u ndaluan në Kiev.

Që të dy i kishin dhënë Rusisë informacione në lidhje me aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, si dhe të dhëna personale mbi zyrtarët ukrainas të zbatimit të ligjit. “Gjetja e bashkëpunëtorëve, spiunëve dhe agjentëve rusë është punë e vazhdueshme, dhe një nga prioritetet tona kryesore. Ne bashkëpunojmë me popullatën lokale. Gjejmë dëshmitarë të krimeve të luftës dhe dëgjojmë ata që na tregojnë se kush janë tradhtarë dhe bashkëpunëtorët e rusëve nga mesi i banorëve vendas”- thotë Dekhtiarenko, zëdhënësi i SBU.

Në të gjithë vendin, dhe sidomos në qytetet e çliruara së fundmi si Kherson, postera të shumtë të vendosur nëpër rrugë e inkurajojnë popullsinë civile të ndihmojë. “A njihni ndonjë bashkëpunëtor apo tradhtar? Na informoni”- thuhet në një poster të porsa-vendosur në hyrje të Kherson.

Shumica e civilëve kanë nga një histori me një bashkëpunëtor të armikut:një fqinj që shpërndante propagandën ruse në rrjetet sociale apo një bashkëpunëtor të akuzuar për spiunazh. Dhe ndërsa disa raste të bashkëpunimit janë të dukshme, axhendat të tjerëve janë shumë të fshehta.

Inna Holodnyak, mjekja kryesore në Spitalin Rajonal të Fëmijëve në Kherson, foli më 21 nëntor për “dhimbjen dhe zhgënjimin” e saj, kur zbuloi se një koleg i saj dhe një mjek i mirënjohur rezultoi të ishte një bashkëpunëtor i rusëve.

“Ai ishte i vetmi mjek në spitalin tonë që zgjodhi të punonte me rusët. Madje ua dorëzoi atyre të gjitha dokumentet tona shëndetësore”- tha ajo, duke shtuar se që nga ajo kohë ai është arratisur në territorin e pushtuar nga Rusia.

Në fillim të pushtimit të Khersonit, Holodnyak kishte rreth 300 pacientë në spital. Sot, kanë mbetur vetëm disa fëmijë, përfshirë pacientët e sëmurë me kancer që nuk kanë mundur të marrin trajtimin e tyre. Shumica u evakuuan kur rusët mbërritën për herë të parë në qytet.

Sot furnizimi me energji elektrike, ujë dhe ilaçe është ende problem. Holodnyak refuzoi të bashkëpunonte kur e kontaktuan rusët, duke e ditur se ky vendim mund t’i kushtonte jetën. Ajo kaloi disa muaj e fshehur, kur puna në spital u bë shumë e rrezikshme, dhe u rikthye në punë sapo qyteti u çlirua.

“Që nga ajo kohë më është dashur t’ia pranoj vetes, se bashkëpunëtorët e rusëve janë kudo:në çdo vend pune, në çdo qytet. Sot është e vështirë t’i besohet dikujt”- tha ajo. “Në këtë drejtim ka ende shumë punë për të bërë”- thotë Fedoriv e “Chesno”.

Ndërsa organizata e saj mbetet një monitoruese e pavarur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë, ajo ka punuar herë pas here drejtpërdrejt me policinë dhe agjencinë e inteligjencës së vendit. “Ne mbetemi kritikë ndaj qeverisë, por edhe duhet të punojmë me të. Tani gjërat janë ndryshe. Jemi në luftë dhe duhet të luftojmë të gjithë së bashku”- thekson ajo. /albeu.com


Shtuar 19.01.2023 11:57