"Dark", një serial mes arsyes dhe absurdit, fizikës dhe metafizikës, kohës përballë kundërkohës
Nga Alban Tufa


Kompleksiteti njerëzor mbi rrjedhën e kohës

"Sikur ta ktheja kohën pas..." është një frazë që shpesh njerëzit i'ua thonë të tjerëve dhe vetes, duke shprehur një dëshirë për t'i bërë kohës një retro, diç për të ndryshuar në të shkuarën: për të fshirë a për të shtuar diçka, apo thjeshtë për të bërë një zgjedhje tjetër ndryshe nga kjo e tashmja: për të ndryshuar rrjedhën e gjërave.

Por kjo nuk ndodh në jetën tonë prej qeniesh, dhe pikërisht pse nuk ndodh vazhdon të kërkohet, të dëshirohet, dhe të ëndërrohet disa herë, madje edhe me ngulm. Nga ana tjetër, është tunduese të shohësh të ardhmen, në filxhanë, në fall, në magji, ose shumë më thjesht ta imagjinosh, ta ëndërrosh asi siç ta kande. Njëkohësisht, tentativat për ta ndryshuar të ardhmen, rrjedhën e saj, kanë qenë gjithmonë prezente, me gjithfarë metodash deri tek ato më mistiket, të errëtat dhe më të zezat: magjitë.

Ajo çka mbetet është e tashmja, një çast në tranzit, në parakalim, të cilin sapo mendojmë se e rrokëm, kalojmë hop në tjetrin, dhe të gjitha çastet veç e veç (të cilat janë thuajse të pandashme, as ora me asbtraksionin e vet nuk e bën dot) mbeten thjeshtë të parrokshme, dhe për pasojë të pa ndryshueshme. Njëkohësisht e tashmja as nuk ëndërrohet, as nuk fantazohet, as nuk përpunohet, por ajo përjetohet thjeshtë duke qenë i vetëdijshëm për të.

Seriali "Dark" (errësira), një prodhim gjerman, me një fabul jo lehtë të kapërdishme na zhvendos në tre dimensionet e kohës: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, të cilat japin e marrin në mënyrë të pandashme. Të dyja kohët jo prezente, në një bashkëveprim të ndërlikuar me personazhe, skena dhe dialogje, japin e marrin duke prodhuar të tashmen. I gjithë seriali në të dyja sezonet e deritanishme, na paraqet njeriun si qenie e arsyeshme kundrejt asbtraksionit kohor, i cili është i ndarë në vite por jo në personazhe apo në veprime, të cilat gjenden në tre kohët njëkohësisht (në fakt koha është një dhe e shkëputshme), në kundërshti të plotë me rracionalitetin njerëzor duke krijuar kështu paradokse dhe absurditete.

Një serial metafizik dhe metalogjik

Pavarësisht qasjes së kritikës dhe logjikës mbi këtë serial unë do ta konsideroja si serialin më të arrirë dhe më metafizik të kohës sonë, kjo për tre arsye:

Së pari, ideja kryesore që seriali përcjell është fati dhe rrjedha e kohës apo e ngjarjeve janë të paracaktuara nga Dikush më i madh se ne, më i fortë se ne, apo më me njohuri se ne. Këtë fat të paracaktuar, edhe nëse mundohemi ta ndryshojmë, dhe po të pëlcasim nuk mund ta bëjmë të dot të ndryshueshëm. Disa herë na mungon forca, disa herë aksesi në Levat e Botës, dhe jo pak herë nënshtrimi dhe pajtimi me faktin që ne jemi qenie të komanduara nga forca të tjera dhe kjo që na jepet për tu jetuar, në fund sido që të jetë duhet pranuar.

Së dyti, subjekti ngre një pyetje shumë madhore dhe të domosodoshme për njeriun e sotëm: Çfarë ka përtej arsyes? Ky subjekt postmodernist, shkon në të kundërt të pragmatizmit dhe na përball me disa pikëpyetje të reja. Pse arsyeja e njeriut duhet të kufizohet në rendin e gjërave? Pse duhet vetëm ABC, dhe kurrë CBA? A ka në botë gjëra që ekzistojnë përtej arsyes sonë?

Sigurisht që arsyeja mundet të rrokë sendet dhe fizikën, duke mënjanuar metafizikën që iu jep trajtë dhe gjallim trupave, përfytyrimeve, ndesive dhe perceptimeve. Në këtë logjikë, mu përtej arsyes rri këmbëkryq metafizika. Dhe nëse mundohesh të kalosh matanë arsyes, shkel në frymë dhe në shpirt.

Së treti, personazhet që janë vendimtarë përgjatë subjektit apo të cilët ndërtojnë konfliktet, mbajnë emra biblik; Noah dhe Adam.
Që tek njerëzit e parë u ngjiz konflikti, pushteti dhe dëshira për kontroll të kësaj bote me në vend të parë kontollin e kohës. Këta dy personazhe mbajnë në këmbë tërë ngrehinën e fateve, fatalitetin e personazheve dhe kontrollin e cikleve. Në këtë mënyrë, na paraqitet paradoksi: ne jemi njerëz të cilët iu bindëm Zotit, ndërkohë, në të tashmen e personazheve ata janë Zoti i gjarjeve.


Njeriu përballë progresit

Që në shekullin e kaluar njeriu u përball me progresin dhe makinerinë që ndërtoi për vrasjen e vet.
George Steiner, te "Shënime mbi një ripërcaktim të kulturës", shpreh një ide të madhe e cila mund të përmblidhet shkurt: njeriu i ditëve të sotme hoqi dorë nga religjioni për hir të progresit, dhe pasi e pa që progresi filloi ta dëmtonte, kuptoi që mbeti edhe pa religjionin edhe pa progresin.

Edhe Ernesto Sabato, te "Njerëzit dhe Ingranazhet" merret po me të njëjtën çështje, shmangien e njeriut nga metafizika për tu dyllosur te teknika, te teknologjia dhe fjalë të tjera që nisin me tekno. Edhe ai mbronte idenë që progresi po na çon në abstraksione dhe depresione masive duke e dëmtuar me themel shoqërinë.

Tek seriali "Dark", ngjarjet zhvillohen në një qytezë të Gjermanisë. Kohët dhe ngjarjet tolloviten dhe ndërthuren deri në ndërlikim. Aq më tepër ato bëhen të pashpjegueshme, me ngjarje të paracaktuara të ndodhnin çdo pas 33- vjeçari që kalon. Kalimi nga koha e tashme në të shkuarën apo në të ardhmen bëhet nëpërmjet një shpelle në periferi të qytezës. E gjithë çorodia mendohet se vjen nga një Central bërthamor që gjendet mbi shpellë, konkretisht nga prezenca e lartë e radioaktivitetit, i cili mund të shpërbëjë edhe kohën.

Metafora është lehtë e rrokshme: ja ç'po na prodhon progresi, çorodi dhe humbje të sensit të kohës. Edhe pse ky është një qëndrim shumë skeptik mbi të ardhmen e botës, deri diku është i qëndrueshëm logjikisht. Ne vazhdojmë ta ardhurojmë sidoqoftë progresin, edhe pse i dimë shumë mirë pasojat, së pari emocionale e mandej natyrore dhe humane.

Deri sa kjo të ndodhë katërcepërisht në botë, atëherë do presim të vijë apokalipsi, si në serinë e fundit të sezonit të dytë, sigurisht nga një dorë e madhe, më madhe se sa të gjithë ne. Kjo mbetet e shpjegueshme veç metafizikisht dhe jo fizikisht.
Shtuar më 18/07/2019, ora 14:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori