Një punonjës jep dorëheqjen ndërkohë që të tjerë e quajnë "frikacak": Ç'po ndodh me Mark Zuckerberg?
Më shumë se 30 punonjës të hershëm të Facebook shkruan një letër publike ku adresuan mosveprimin e Facebook ndaj postimeve të fundit të presidentit Donald Trump, të cilat nxisin dhunën.

Në letër, e cila u botua në New York Times (via CNN), ish-punonjësit thanë se nuk e njohin më kompaninë për të cilën kontribuan që të ndërtohej. Ata i quajtën veprimet e Mark Zuckerberg si "frikacake".

Ndër ish-punonjësit që nënshkruan qenë Meredith Chin, ish-menaxhere e komunikimit; Adam Cooner, ish-menaxher i politikave publike; Natalie Ponte, ish-menaxhere e marketingut; dhe Jon Warman, ish-inxhinier softuerësh në kompani.

"Është zhgënjimi ynë i përbashët që e motivon këtë letër," shkruan ata. "Ne ndihemi të shkatërruar teksa shohim diçka të cilën e kemi ndërtuar dhe besonim se do ta bënte botën një vend më të mirë, të humbasë rrugën e saj."

Së fundmi, pas postimeveTrump që kërcënonin protestuesit me "goditje armësh" pas vdekjes së George Floyd, Twitter vendosi një kontroll të postimeve duke mos lejuar postimet që nxisin dhunën ose kanë përmbajtje raciste. Një veprim të ngjashëm ndërmori edhe Snapchat, platformë që theksoi se nuk do të promovojë më llogarinë e presidentit Trump. Llogaria e tij do të qëndrojë e paprekur në Snap, por nuk do të dalë më në "Discover", ku promovohen llogaritë personale të personazheve publikë.

Ndërkohë nga ana tjetër, Facebook rezufoi të bllokonte postime të tilla. Zuckerberg tha se "nuk bie dakord me retorikën përçarëse, por është përgjegjës për një platformë ku fjala është e lirë".

Kritikat online ndaj vendimit të kompanisë vazhdojnë ende. Përpos këtyre, përçarje ka edhe brenda Facebook. Një punonjës dha dorëheqjen pas vendimit për të mos reaguar ndaj retorikës së Trump.

Burimet: New York Times, CNN
Shtuar më 07/06/2020, ora 15:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori