Pse duhet ta ri-mendojmë mënyrën se si bëjmë diplomaci

Nga Catherine Ashton “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në orët e para të 24 nëntorit 2013 u njoftova nga godina e OKB-së në Gjenevë se kishim arritur një marrëveshje fillestare me Iranin për programin e tij bërthamor. Me mua në konferencën për mediat ishin ministrat e jashtëm të 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, të cilët së bashku me Gjermaninë ishin angazhuar për disa vite me radhë në një seri negociatash që më në fund na çuan në atë pikë.

Ai ishte një moment kur gjithçka dukej e mundshme, veçanërisht në rast se ne mund ta shfrytëzonim fuqinë e institucioneve ndërkombëtare dhe anëtarëve të tyre kryesorë për të punuar së bashku për qëllime të përbashkëta. Nëntë vjet më vonë, ajo ndjenjë optimizmi është zhdukur.

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe shqetësimet në rritje për Kinën, e kanë bërë shumë të vështirë të imagjinohet sot një bashkëpunim i ngjashëm. Edhe sigurimi i mbijetesës së planetit tonë ka rezultuar i vështirë deri në pikën e dëshpërimit, pavarësisht përpjekjeve më të mira të disave dhe nevojave të dëshpëruara të disa të tjerëve.

Aktualisht kemi në dispozicionin dy modele thelbësisht të ndryshme bashkëpunimi, të cilat unë i cilësoj në mënyrë figurative si “cisterna” dhe “jahte”. Cisternat janë të mëdha dhe të vështira për t’u manovruar, por ato mbijetojnë për periudha të gjata kohore, pavarësisht nga deti i trazuar dhe erërat e forta.

Kombet e Bashkuara janë një “cisternë” e tillë. Po të tilla janë NATO dhe Bashkimi Evropian. Ato mund të jenë vërtetë të ngadalta dhe hera-herës të pafuqishme, madje shpesh u duhen vite për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, që të gjithë kryejnë punë shumë të rëndësishme, edhe pse kryesisht jo shumë të këndshme dhe pak të raportuar nga mediat.

Dhe secila prej tyre u themelua për të çuar më tej ideale si sundimi i ligjit, demokracia, liria dhe të drejtat e njeriut, ndonëse ato më shpesh shkelen sesa respektohen. Megjithatë gjatë 20 viteve të fundit, kemi parë rritjen e popullaritetit të “jahtit”.

Ai është një mjet që mund të niset shpejt në udhëtim, është i aftë që të manovrojë shpejt në kundërpërgjigje të ndryshimit të rrethanave, por i prirur që të përmbyset më lehtë sesa “cisterna”. “Jahtet” janë koalicione vullnetare, që bëhen bashkë për të trajtuar një çështje të caktuar.

Në to nuk ka anëtarësim dhe përtej objektivit të menjëhershëm, ndaj në gjirin e tyre mund të mos ketë vlera apo pikëpamje të dakorduara midis të gjithë anëtarëve. Synimi që Gaddafi të mos masakronte popullin e Bengazit në Libi, çoi në krijimin e një koalicionit, që fillimisht u mblodh në Paris, nën udhëheqjen e Francës dhe Britanisë së Madhe.

Por në fund ishte “cisterna”, pra NATO, ajo që mori përsipër misionin ushtarak pasi u arrit të shmangej rreziku i menjëhershëm i një masakre. Që të dy modelet janë të rëndësishme; dhe të dyja kanë vendin e tyre në fushën e diplomacisë.

Por me kalimin e viteve ne kemi shtuar përdorimin e “jahteve”, por nuk kemi arritur të mirëmbajmë “cisternat”. Ne e përçmojmë ngadalësinë e këtyre të fundit, pasi tejkalohen më kollaj nga “jahtet” që lundrojnë me lehtësi kur ka një erë të mbarë.

Por ndërsa këto anije më të shpejta mund të bëjnë një ndryshim të madh, ato janë krijuar vetëm për të përballuar një problem specifik. Kanë një funksion të përkohshëm, dhe jo një qëllim të qëndrueshëm. Duke lëvizur midis Bengazit dhe Tripolit një dekadë më parë pas rënies së Gadafit, u habita jo pak nga ndjenja e optimizmit dhe shpresës që ndihej tek brohoritjet dhe të qeshurat e njerëzve, të ndërprera herë pas here nga të shtënat e shpeshta në ajër me armët.

Nga përvoja e dija se ajo ndjenjë euforie nuk do të zgjaste. Pasi shumë shpejt ajo do t’i linte vendin realitetit të ashpër të ndërtimit të së ardhmes. Idetë dhe pritshmëritë e ndryshme do

të përplaseshin midis tyre në debate apo akoma më keq, sepse kampet rivale synojnë që të fitojnë me çdo kusht.

Një vend plot me armë dhe me kufij lehtësisht të përshkueshëm u zhyt në kaos. Ne ndërhymë me shpejtësi, por nuk pati plane të qëndrueshme për t’i qëndruar një kursi të caktuar dhe për të ndihmuar në rindërtimin e vendit. Një pjesë e dështimeve tona në Irak dhe Afganistan kanë një origjinë të ngjashme.

Ishte shumë domethënës fakti që bisedimet me Iranin ishin hibride, duke përdorur si “cisternën” po ashtu edhe “jahtin”. Autoriteti për të arritur një marrëveshje buronte nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së, që bëri bashkë 5 anëtarët e përhershëm plus Gjermaninë, për të siguruar natyrën realisht paqësore të programit bërthamor të Iranit.

BE-ja kryesoi diskutimet. Kishte vetëm një çështje që duhej zgjidhur, dhe çdo gjë tjetër që po ndodhte ishte e parëndësishme. Gjatë viteve 2013-2014, kriza në Ukrainë nisi me demonstratat e Sheshit Maidanit dhe pushtimin e Krimesë nga Rusia.

Në të njëjtën kohë kur u ula me rusët për bisedime në Vjenë (që kishte marrë rolin e Gjenevës si vendi i bisedimeve me Iranin) po punoja për vendosjen e sanksioneve kundër tyre. Në atë kohë udhëtoja midis Vjenës ku ata ishin aleatë dhe Kievit ku ata ishin pushtues.

Njerëzit më pyesnin se si ia dolëm. Dhe unë i shpjegova se e kemi ndarë punën tonë. Do

të ishte e vështirë t’ia thoshim rusëve kur ishim bashkë në Vjenë se kishim me ta një mosmarrëveshje të ashpër në lidhje me një vend që ndodhej disa qindra km larg.

Por çfarë mësimesh mund të nxjerrim për të ardhmen? Së pari, ne duhet të çmojmë “cisternat”. Kombet e Bashkuara u krijuan mbi gërmadhat që la pas Lufta e Dytë Botërore. Nëse lejohet që të ndryshket dhe shpërbëhet, perspektivat për ta rikrijuar atë janë pothuajse zero.

Së dyti, ne duhet të ndërtojmë më shumë “jahte”, duke e pranuar se ato ekzistojnë për të kryer disa detyra specifike. Nga ata tjetër duhet të forcojmë aftësinë e tyre për t’i përmbushur ato detyra. Së treti, duhet të gjejmë mënyra të reja për të kombinuar aspektet më të mira të të dyja këtyre qasjeve, për t’u siguruar që i vlerësojmë angazhimet afatgjata po aq sa edhe veprimet afatshkurtra.

Në rast se do të nevojitej ndonjë provë për rëndësinë e veprimit hibrid, ajo mund të gjendet tek dy krizat më akute për momentin: Ukraina dhe ndryshimet klimatike. Ukraina ka nevojë për paqe, që infrastruktura e saj të rindërtohet dhe që të mbrohet statusi i saj si një vend sovran.

Ndryshimi i klimës do të prekë çdo vend të botës, dhe lufta ndaj saj do të kërkojë një koordinim të paparë. Që të dyja këto kriza bartin një urgjencë, të cilën nuk mund ta shpërfillim. Dhe që të dyja kërkojnë një veprim të qëndrueshëm afatgjatë.

Një arkitekturë diplomatike më dinamike, në të cilën vendimet e mëdha merren nga “cisternat”, që i japin punëve drejtim dhe autoritet, dhe nismat specifike ndërmerren nga “jahtet”, mund të na ndihmojë që të veprojmë në të dyja shkallët kohore. Kur konsensusi është i vështirë të arrihet dhe kompromisi shihet si dobësi, ne duhet të ripërtërijmë dhe të ri-imagjinojmë atë që është e mundur. Nëse kemi vullnet për t’i përdorur mjetet janë aty.

 

Shënim:Catherine Ashton, ish-përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme. Libri i saj i fundit titullohet “Dhe pastaj çfarë?:Brenda historive të diplomacisë së shekullit XXI”.

 


Shtuar 1.02.2023 11:27