Cristiano Ronaldo lë në hije futbollin, zbulohet projekti i tij i madh

Cristiano Ronaldo i ka dhënë lamtumirën Botërorit, pasi Portugalia u eleminua nga Maroku në Katar.

E ndërsa të gjithë presin të dëgjojnë reagimin e tij të parë për këtë çështje, si dhe skuadrën e re që do të vazhdojë karrierën pas divorcit me United, megjithatë lajmet e fundit që kanë dalë lidhen me biznes.

Investimi i ri i Cristianos, është ndoshta më i shtrenjti i superyllit portugez, pasi ai përgatitet të shtojë një kompleks masiv me 88 apartamente me vlerë më shumë se 50 milionë euro në perandorinë e tij të biznesit.

Kompleksi do të ndërtohet, në bashkëpunim me grupin e hoteleve Pestana, në vendlindjen e tij Madeira, Portugali.

Emri i plotë i kompleksit do të jetë “Pestana Residences CR7” dhe puna pritet të nisë në maj 2023.

I gjithë projekti u zbulua nga Dionisio Pestana, president i Pestana Hotel Group, i cili tashmë operon pesë hotele nën markën CR7, duke theksuar se nëse kurorëzohet me sukses, atëherë do t’i hapet rruga projekteve të ngjashme që do të bëhen në Madeira dhe Portugalinë kontinentale, duke lënë të hapur mundësinë edhe për investime në vende të tjera.

Përpara se të investonte në pasuri të paluajtshme dhe hotele, Cristiano filloi biznesin e tij duke lançuar një linjë produktesh të stilit të jetesës nën markën CR7.

Vitet e fundit ai ka qenë aksioner në një kompani që ka klinika për mbjelljen e flokëve në Spanjë dhe Portugali me emrin e markës “Insparya” dhe që synon të zgjerohet në mbarë botën, si dhe një zinxhir palestrash.

Natyrisht, ai ka edhe dështime në biznes pasi motra e Cristianos, Elma Aveiro, ka mbyllur dyqanin e veshjeve CR7 në Madeira, ndërsa vitin e kaluar mbyllën një restorant në Madeira, si dhe dyqanin e veshjeve CR7 në Algarve. /h.ll/albeu.com


Shtuar 15.12.2022 19:20