La Irakun për Turqinë por s’e priste, gjeti dashurinë shqiptare! Historia plot sfida zemre

Në ‘Abc e Pasdites’ u prezantuam sot me Rozeta Tusha dhe Mahmoud El Rawy të cilët na treguan historinë e tyre të dashurisë mes Shqipërisë edhe Irakut. Mahmoud, një zotëri 31 vjeçar që vjen nga Bagdati jeton tashmë prej 3 vitesh në Shqipëri dhe sëfundmi ka marrë edhe nënshtetësinë shqiptare.

“Ne ishim bazuar në Turqi por në një farë pike do vendosnim ose Shqipërinë ose vendin tim. Ne bëm analizat pro dhe kundër ku është më mirë për të shkuar, për mua puna ime është e dyta në rradhë pas familjes dhe në Shqipëri tregu ishte më i mirë. Dhe vendosëm të vijmë në Shqipëri.” – rrëfeu Mahmoud mbi shpërnguljen përfundimtare në vendin tonë.

Por historia e tyre e dashurisë ka nisur në Turqi, ku të dy studionin në degët respektive dhe i bashkoi studimi i gjuhës turke. Të dy në një klasë nisën njohjen e cila u finalizua me martesë dhe tashmë të voglin e tyre 1 vjeçar, Rayan.

“Takimi me Rozetën ishte i shkruar në fat. Ajo kishte nisur shkollën me bursë në Turqi dhe unë kisha vendosur të vazhdoja masterin aty, dhe takohemi në të njëjtën klasë të gjuhës turke. Për mua ishte dashuri me shikim të parë, ndërsa për të jo.” – shprehu inxhinieri i software, i cili u pasua nga Rozeta që shtoi se: “…për mua ka ardhur ngadalë, e njoha si shokë. Nuk e kisha qëllimin të krijoja një familje sepse prioritet ishte shkolla. Pastaj nisën shkëndijat e para.”

Prej 5 vitesh ata ndajnë jetën sëbashku por fillimet kanë ardhur me vështirësi. Sfidat e para ishin prezantimet me familjen, ku nga të dyja anët u përballën me kundërshtime nga prindërit për shkak të nacionaliteteve të ndryshme. Por sot çifti shprehu se jo vetëm që janë mëse të lumtur me zgjedhjen, por mes batutave Rozeta tha se Mahmoud ja ka marrë zemrën edhe nënës së saj.

“Për familjen time ishte e vështirë sepse ne ishim martuar në atë kohë dhe mendonin se unë do zhvendosesha përgjithmonë në Irak. Mami e kishte problem sepse donte që unë të isha gjithmonë afër saj. Ajo ishte shumë kundër, thoshte se unë duhet ta krijoja jetën me një person që familja ime ta njihte dhe të ishte e lehtë ura e komunikimit. Kur e takoi vetë bashkëshortin e kuptoi që ne ishim të gatshëm të krijonim një familje të konsoliduar.” – shprehu menaxherja e marketingut.

“Në fillim u çuditën pse me një të huaj sepse më imagjinonin që do të kthehesha në shtëpi. Por kur takuan Rozetën në Stamboll ishin mëse të bindur.” – shtoi Mahmoud.

Celebrimin formal e kryen në Turqi ndërkohë që dasmën dhe ritualin fetar “Nikah” në Tiranë. Mirëpo Rozeta shprehu se nuk dëshironte ta ndryshonte mbiemrin e saj, por rrethanat e detyruan.

“Në të vërtetë unë nuk doja ta ndrroja mbiemrin, as Mahmoud nuk e kishte problem fare sepse në kulturën e tij femra nuk e ndryshojnë mbiemrin. Janë kundër ndryshimit të mbiemrit. Në momentin që do firmosja në bashki në Turqi, mbiemrin ndryshohej automatikisht.”

Ndër të tjera Mahmoud shprehu se nuk e mendon dot jetën larg Shqipërisë tashmë që dhe djali i tij është shqiptar. Në shtëpinë e tyre fliten katër gjuhë: shqip, arabisht, turqisht dhe anglisht.


Shtuar 25.04.2022 18:23