Misteri i vdekjes së njeriut më të pasur në planet, 91 vite hetime pa sukses (FOTO)

Katër korrikun e vitit 1928, njëri prej njerëzve më të pasur të botës asokohe, Alfred Loewenstein i lindur në Bruksel, por që ishte dhe rezident britanik u ngjit në bordin e avionit të tij personal, në aeroportin Croydon.

Ishte një fluturim rutinë që duhet ta çonte nga bregdeti britanik në Bruksel, ku jetonte me të shoqen, Madeleine. Të gjithë punonjësit e aeroportit e njohën menjëherë; pasuria e tij spektakolare i kishte sjellë famën e njërit prej njerëzve më të kamur të planetit.

Megjithatë, kishte dhe shumë armiq. Loewenstein po e priste me kënaqësi udhëtimin; ishte një ditë e bukur, qielli pa re, dhe piloti Donald Drew, e siguroi se gjithshka do të shkonte më së miri. Përvec Loewenstein, në bord ndodheshin edhe gjashtë persona të tjerë, përfshirë sekretarin e tij, Arthur Hodgson dhe dy gra Eileen Clarke e Paula Bidalon, ndihmëse të tij.

Në kabinën e pilotit ishte Donald Drew dhe mekaniku Robert Little. Pas ngritjes në ajër, ata nuk patën më akses direkt në pjesën tjetër të avionit. Loewenstein në një moment ngrihet dhe shkon në tualetë.

Pas 10 minutash nuk ishte kthyer ende dhe ndihmësit të shqetësuar shkojnë të shohin ç`po ndodh, por nuk i përgjigjet askush. E thyejnë derën, por nuk kishte asnjeri brenda. Dy javë më vonë, trupi i pajetë i miliarderit u gjet pranë Boulogne dhe në Calais, e çoi një peshkarexhë.

Autopsia tregoi se kishte një frakturë në kokë dhe shumë kocka të thyera; mjekët ligjorë dolën në përfundimin se Loewenstein ishte ende gjallë kur ra në ujë. Misteri i rënies së tij nuk u zbardh asnjëherë plotësisht, por pati plot teori rreth kësaj vdekjeje.

Një prej tyre është që biznesmeni ka hapur gabimisht një derë që çonte drejt daljes nga avioni, ndërkohë që kjo do të ishte thuajse e pamundur gjatë fluturimit. Të tjerë mendojnë se ka vrarë veten, por ai që konsiderohet si shpjegimi më i mundshëm është se ka ekzistuar një komplot me i gjerë dhe se pasanikun e kanë vrarë duke e hedhur nga avioni me forcë.

Thuhet madje se këtë mund ta ketë kërkuar e shoqja, që kishte një marrëdhënie shumë të ftohtë me të, dhe priste me padurim që të shtinte në dorë pasurinë e madhe të bashkëshortit.
Shtuar më 17/11/2019, ora 16:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori