Ngjarjet kriminale në vend, Meta: Policia tani mbledh vetëm gëzhojat (VIDEO)

Ish-presidenti Ilir Meta është shprehur se politika është e lidhur me krimin.

Teksa ka folur gjatë një takimi me strukturat e Partisë së Lirisë në qytetin e Elbasanit, ai ka theksuar se Shqipëria ka probleme të mëdha lidhur me kriminalitetin.

Sipas tij Elbasani është qyteti më i prekur nga varfëria dhe nga krimi në Shqipëri.

Ai shtoi gjithashtu se kohët e fundit policia është e specializuar vetëm për mbledhje gëzhojash.

“Ky është një problem i madh që tregon shumë për lënien pas dore të këtij qyteti dhe të këtij qarku, që tregon shumë për mungesën e madhe të mundësive për të rinjtë dhe të rejat dhe qytetarët e Elbasanit. Tregon se Elbasani është i braktisur. Elbasani renditet ne 398 mijë lek, duke qenë 33% nën mesataren e vendit. Një nivel shumë i ulët. Vetëm nga rritja e çmimet të karburantit bujqësia ka marrë një goditje të madhe financiare. Rritja e shpenzimeve të fermerëve për naftën ka sjell dëm dhe shkatërrim për ekonominë bujqësore. Për fat të keq ka patur hapa mbrapa në mbështetjen e bujqësisë në gjithë këto vite. Por ky nuk është i vetmi problem i Elbasanit, një qyteti i njohur për kulturën është kthyer në një qytet demonstrimi të forcës, dhunës dhe viktimave pa fund, dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit, si një nxitës i grupeve të të fortëve dhe të nënshtrimit të shtetit, policisë para tyre. Qytetarët e Elbasanit kanë qenë shpesh dëshmitarë nga tronditjet e mëdha që i kanë ardhur qytetetit. Në 24 orë 3 atentate dhe katër viktima përfshirë këtu edhe qytetin tuaj, në 8 muaj dyzet e ca atentate. Specializimi i policisë kohët e fundit është mbledhja e gëzhojave, pasi policia është e mpirë për shkak të lidhjes së krimit me politikën”, tha Meta./albeu.com/