Ukraina ‘zhgënjen’ sërish Kosovën: Respektojmë integritetin territorial të Serbisë

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Alexandrovich, ka dhënë një intervistë për median serbe “Alo”, ku ka folur dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kievi  zyrtar.

Ukraina ende nuk e njeh zyrtarisht Kosovës si shtet të pavarur, teksa më herët ka deklaruar mbështetjen për Serbinë. Aleksandrovich ka thënë se pozicioni i Ukrainës karshi pavarësisë së Republikës së Kosovës mbetet i pandryshueshëm dhe se “respektojnë integritetin territorial të Serbisë”.

“Pozicioni i Ukrainës për respektimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, përfshirë Serbinë, është i ditur dhe i pandryshueshëm”, ka thënë Alexandrovich.

Në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, Serbia ka mbajtur një qëndrim të paqartë, teksa është shprehur se respekton integritetin territorial të Ukrainës, por ndërkohë nuk ka pranuar të bashkohet me vendet që vendosën sanksione ndaj Rusisë.

Pjesa nga intervista:

ALO: Institucionet e Prishtinës kanë bërë thirrje që Ukraina ta njohë shtetin e Kosovës. A do ta ndryshojë Ukraina pozicionin e saj për këtë çështje?

Alexandrovich: Dua të sqaroj diçka. Me sa unë di, ne s’kemi pranuar një kërkesë të tillë.  Qëndrimi parimor i Ukrainës për respektimin e integritetit territorial të vendeve të tjera, përfshirë Serbinë, është i njohur dhe i pandryshueshëm.


Shtuar 12.03.2022 12:41