“Na ndihmoni, po mbarojnë ushqimet dhe paisjet mjeksore”, Shevchenko bën apel për ndihmë

Rusia vazhdon të sulmojë ushtarakisht Ukrainën, ndërsa nga kjo luftë kanë mbetur shumë të vrarë, ndërsa tani duket se populli ukrainas është futur edhe në një vështirësi të madhe.

Në një intervistë për “DAZN” ish-legjenda e Milanit, Andriy Shevchenko ka bërë një apel për ndihmë, teksa është shprehur se tani Ukrainës po i mbarojnë ushqimet dhe paisjet mjeksore.

Gjithashtu Shevchenko theksoi se mbledhja e fondeve është shumë e rëndësishme, sepse tani Ukraina ka hyrë në një fazë kritike, ndërkohë për sportin ai shprehet se e dëshmoi se është në krah të vendit të tij.

“Ndihem shumë keq, ndihem shumë i dëshpëruar. Jam i shqetësuar për atë që po ndodh. Vendi im është nën sulm”.

Si e kuptoni këtë luftë?

Unë mendoj se është gjëja më e keqe që dikush në botë mund të imagjinojë. Ne e dimë se për çfarë po luftojmë, domethënë për të drejtat tona, për tokën tonë, për atë që besojmë. Dhe dot të luftojmë deri në fund.

E shihni fundin e luftës?

Për mua po e fitojmë luftën, sepse po ua tregojmë të gjithëve vlerën tonë. Vendi po lufton për vlerat evropiane, për një drejtim evropian. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera kanë qenë pranë nesh dhe e ndjejmë këtë mbështetje. Ne luftojmë për vlera shumë më të larta, shumë më të rëndësishme, që shkojnë përtej politikës. Ne luftojmë për tokën tonë. Nëna ime, motra ime, miqtë dhe të afërmit e mi janë në Kiev, ata nuk janë larguar nga vendi. Dua të falënderoj shumë presidentin tim për guximin dhe shpirtin me të cilin po lufton për të ardhmen tonë.

Si e jeton njeriu këtë distancë me të dashurit që jetojnë në Kiev?

Është shumë e vështirë, sepse unë jam këtu (në Londër). Megjithatë, puna ime është të flas sa më shumë, të përpiqem të gjej fondet për të ndihmuar njerëzit në Ukrainë. Tani për tani është një tragjedi njerëzore. Ka spitale që janë bombarduar nga rusët. Ka fëmijë të vrarë, civilë të qëlluar ndërsa flinin në shtëpi. Është e pamundur të shpjegohet pse po ndodh kjo.

Çfarë mund të bëjë populli italian për të ndihmuar popullin ukrainas?

Ne kërkojmë vetëm ndihmë për të gjetur fondet, sepse Ukrainës ka filluar t’i mungojë ushqimi, pajisjet mjekësore, gjithçka. Kemi nevojë gjithashtu për mbështetje morale. Ne kemi nevojë për më shumë protesta, më shumë njerëz që flasin për këtë dhe njerëzimin.

A duhet edhe ju ta demonstroni?

Ne duhet të demonstrojmë derisa kjo luftë të ndalojë. Ne duhet të përpiqemi në çdo mënyrë për ta ndihmuar vendin tim ta fitojë këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’iu japim fund humbjeve njerëzore.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Nuk ka asgjë më të keqe se lufta. Tani për tani ka ferr në vendin tim. Ka strehimore që kanë nevojë për ndihmë, njerëz në Ukrainë që kanë nevojë për ndihmë.

Çfarë mund të bëjë sporti?

Bota e sportit dëshmoi se është me Ukrainën. Ata po bëjnë shumë, por mbledhja e fondeve është e rëndësishme për ne.

A ka një kanal të veçantë për mbledhjen e fondeve?

Tani për tani, Kryqi i Kuq dhe kanalet zyrtare të qeverisë, si ambasadat.

Dëshironi të shtoni diçka?

Dua të falënderoj shumë popullin italian për mbështetjen që i ka dhënë vendit tim. Është shumë e rëndësishme ta dëgjojmë këtë mbështetje nga të gjitha anët. Faleminderit shumë, Italia është atdheu im i dytë dhe do të mbetet gjithmonë një vend i rëndësishëm për mua. Tani është e njëjta gjë për vendin tim. Nëse mundeni, shikoni faqet e internetit të ambasadës ukrainase duke kërkuar llogari rrjedhëse për të dërguar një kontribut. /h.ll/albeu.com


Shtuar 7.03.2022 10:55