Johnson: Elitat kriminale të Rusisë nuk do të kenë ku të fshihen

Elitat kriminale ruse nuk do të kenë ku të fshihen” pas amendamenteve të sanksioneve. Kështu është shprehur mbrëmjen e së premtes kryeministri britanik. Boris Johnson tha se ndryshimet në legjislacionin e sanksioneve do t’i japin Mbretërisë së Bashkuar “mundësi të reja për të ecur më tej e më shpejt me sanksionimin e regjimit të Vladimir Putinit.”

Po ashtu, kryeministri britanik tha se Britania e Madhe ka ndjekur deri më tani paketën më të ashpër të sanksioneve kundër regjimit të Putinit, ndërsa premtoi se sanksionimet do të vijojnë më tej.

“Ne do të rrisim presionin mbi ato elita kriminale që përpiqen të pastrojnë para në tokën e Mbretërisë së Bashkuar dhe të mbyllin rrjetën ndaj korrupsionit. Ata nuk do të kenë ku të fshihen.”

Sekretarja e Jashtme Liz Truss shtoi: “Mesazhi ynë për Putinin dhe miqtë e tij ka qenë i qartë që nga dita e parë, pushtimi i Ukrainës do të kishte pasoja serioze dhe gjymtuese”.

Ndryshimet në projektligjin për krimin ekonomik në Britaninë e Madhe do të përshpejtohen në të gjitha fazat e tij të hënën.


Shtuar 4.03.2022 20:14