Çfarë do të bëjë më pas Vladimir Putini?

Nga Sergey Radchenko “The Spectator”

Çfarë do të bënit nëse do të ishit Putin? Parashikimi i lëvizjeve të ardhshme të kundërshtarit kërkon të vendosni veten në vendin e tij. Ndërsa katastrofa e ushtrisë ruse në Ukrainë po i afrohet përvjetorit të parë të zymtë, ne duhet të pyesim veten se si e sheh Putin botën, ose më saktë si do ta shihnim botën dhe çfarë politike do të ndiqnim nëse do të përballeshim me një sërë opsionesh të pakëndshme.

Opsioni i parë. Ai mund ta shpallte luftën të humbur dhe të tërhiqej. Nëse unë do të isha Putin, nuk do të zgjidhja këtë opsion. Pse? Sepse ekziston një rrezik i madh në pranimin e humbjes. Rusia është ndërtuar si shtet mbi mitin e pagabueshmërisë. Ndërsa shpresa e fitores mbetet e gjallë, njerëzit do të ndjekin Carin. Por sa më shpejt që ai të tërhiqet, atëherë ata do të largohen prej tij, sepse Kremlini nuk është një vend për humbësit.

Ndaj nëse do të isha Putin, do t’i thoja vetes se jam ende popullor. Ata që menduan se do të më rrëzonin, nuk i njohin njerëzit tanë. Rusët kanë më shumë frikë nga pasiguria sesa nga tirania. Ata do ta pranonin me lehtësi terrorin nëse unë do t’i doja. Mendoni se Navalny po heq keq në burg? Unë e kam mbajtur gjallë, vetëm sepse e kam këtë mundësi, raporton albeu.com

Atij i lejohet që të ndajë me botën historitë e mjerimit të tij: në këtë mënyrë e tregoj fuqinë time. Jo, rusët nuk do të dalin në rrugë për të kërkuar kokën time, përveçse nëse unë shfaq dobësi në udhëheqjen e vendit. Prandaj nuk mund të tërhiqem. Kjo është arsyeja pse aneksova rajonet ukrainase Kherson dhe Zaporizhzhia, për t’u treguar rusëve se po investigoj gjithçka në këtë pushtim.

Unë nuk mund ta pranoj humbjen, sepse në të kudnërt do të zovgëlohej ndjeshëm ndikimi i Rusisë në rajonin rreth e rrotull. Të ashtuquajturit aleatët e mi në Azinë Qendrore dhe Kaukaz (të cilët kanë treguar se janë shumë të pabesueshëm) po presin me padurim shkatërrimin e Rusisë. Por unë mund t’ua lejoj një kënaqësi të tillë. Përkundrazi duhet t’u tregoj se kostot e rezistencës janë të larta, ndaj ata bëjnë mirë që mësojnë të më respektojnë.

Opsioni i dytë. Të ngrij konfliktin në Ukrainë. Ne u tërhoqëm nga Kherson. Ishte vendimi i duhur. Tani mund të konsolidojmë pozicionet tona, duke ia bërë më të vështirë ukrainasve që të provojnë atë që arritën në Kharkiv. Më pas mund t’u deklaroj rusëve se kemi arritur disa përfitime strategjike: kemi siguruar një urë tokësore dhe kemi vendosur kontroll të plotë mbi Detin Azov.

Këtë mund ta shes si fitore para publikut. E di që rusët duan një kthim në normalitet. Por ka një problem. Dyshoj se mund ta detyroj Zelensky-n të pranojë status quo-në. Ku qëndron problemi? Ai ka armë të reja dhe besim të madh, frymëzuar nga fitoret e papritura të ukrainasve në vjeshtë.

Ai do të vazhdojë të luftojë. Ukrainasit nuk do të ndalen derisa të më dëbojnë nga Ukraina. Ata presin mundësinë për ta bërë këtë pranverën e vitit që vjen. Nuk ka asnjë dyshim se do të përpiqen. Pasi e kuptojnë se në planin afatgjatë janë në disavantazh.

Ata varen nga fuqia e Amerikës. Varen nga Perëndimi dhe domosdoshmëria që ai të mos shpërqendrohet dhe të merret me probleme të tjera. Ukrainsit kanë nevojë për Perëndimin që të vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë, ekonomikisht dhe ushtarakisht.

A do të vazhdojë Perëndimi ta bëjë këtë? Ndoshta. Por lodhja ka nisur që të ndihet. Ndaj nëse në horizont është një armëpushim, ai do të jetë i shkurtër dhe i shumëpritur. Por sapo të rifitojmë pak forcë, do të godasim përsëri. Sepse nëse nuk e bëjmë ne do të bëjnë ukrainasit.

Opsioni i tretë. Të luftojmë derisa të kemi një ndarje de facto të Ukrainës. Koha do të tregojë se sa larg do të shkojë linja jonë e frontit në perëndim. Ne duhet të rimarrin të paktën territoret që unë kam aneksuar tashmë. Atëherë mund të them se i kam realizuar synimet e mia dhe të shpall fitoren.

A kam ndonjë nxitje që të mos e bëjë këtë? A do të heqë dorë Perëndimi nga sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë, nëse unë zvogëloj synimet e mia në Ukrainë? Jo. Ata kuptojnë vetëm forcën, dhe vetëm fitorja ime vendimtare në fushën e betejës do t’u bëjë përshtypje. Deri atëherë, ata do të tallen dhe do të brohorasin për ukrainasit. Edhe unë do të bëja të njëjtën gjë nëse do të isha në vendin e tyre.

Sigurisht lufta nuk është e humbur – do t’i thosha vetes – të paktën jo ende. Është e vërtetë, nuk kemi bërë aq mirë sa shpresonim, por as nuk e kemi shterur potencialin tonë. Popullsia ruse po qëndron urtë. Mobilizimi im i pjesshëm eleminoi të çarat në mbrojtjen tonë me shumë pak kontestime publike.

Mund të mobilizoja lehtësisht 10 herë më shumë njerëz. Por nuk kam me çfarë t’i pajis. Me kalimin e kohës, do ta bëj. Është e vërtetë që municionet po na mbarojnë, por ato mund t’i zëvendësojmë me kalimin e kohës, duke marrë furnizime nga Irani dhe Koreja e Veriut, raporton albeu.com.

Perëndimorët u përpoqën të na gjymtojnë përmes sanksioneve, por nuk ia dolën. E di që situata ekonomike nuk është e mirë, por unë kam një ekip të shkëlqyer ekspertësh. Shifrat tregojnë vetëm një rënie të vogël këtë vit dhe stabilizim ekonomik një vit më pas. Ndryshe nga Ukraina e cila është shkatërruar.

Rusia është një fuqi bërthamore, ndaj unë nuk mund ta humbas këtë luftë. A do të kishte përdorur Hitleri të gjitha mjetet që kishte në dispozicion në rast se do të mund të shmangte humbjen e Gjermanisë? Po, do ta bënte. Kjo është edhe premisa ime. Unë do të eci përpara në këtë mënyrë, derisa të mos më mbetet asnjë opsion tjetër.

Me ndihmën e Zotit, do të fitoj, por nëse jo, nuk jam kundër vdekjes me lavdi. Të gjithë duhet të vdesim një ditë. E pse jo sot? Pse jo në shërbim të Idesë së Madhe Ruse? Kjo është ajo që nuk e kuptojnë ata në Perëndim. Mendojnë se unë do të dridhem nga frika kur të përballem me zgjedhjen: humbjen (dhe poshtërimin tim, madje edhe rrëzimin) ose fundin e qytetërimit. A ishte dukur ndonjëherë më tërheqës fundi i qytetërimit? Por qytetërimi ynë nuk do të marrë fund. Është një rrugë e gjatë nga Ukraina e goditur me armë bërthamore tek një Apokalips global. Amerikanëve u takon zgjedhja nëse do ta përshkallëzojnë apo jo konfliktin. A do ta bëjnë këtë? Unë dyshoj. Ata e dinë që unë e di shumë mirë skemën e madhe të gjërave, dhe në të Ukraina qëndron në periferi.

Kështu është për ta, për jo për mua. Për mua është një çështje për jete a vdekje. Tani për tani, opsionin bërthamor do ta mbaj si rezervë. Disa thonë se ai është thjesht një kërcënim bosh. Ndoshta po, por ndoshta jo. Këto janë opsionet e mia, do t’i thosha vetes, duke shtërnguar dy anët e kolltukut si të ishin shokët mi të vetëm, dhe kjo është arsyeja pse lufta do të vazhdojë deri në një fund të hidhur.

Ukraina mund të shndërrohet në një djerrinë. Mund të ketë më shumë vuajtje dhe më shumë vdekje. Por a u dukem sikur kjo gjë më shqetëson? Fituesit nuk gjykohen asnjëherë. Unë e di këtë, siç e dinë edhe ata në Hagë. Dhe në fund, mund të ketë një luftë bërthamore. Nëse ndodh, do të jetë vullneti i Zotit.

A e sheh vërtet kështu botën Vladimir Putini? A është kjo ajo që ai po mendon? Nuk kemi si ta dimë. Ne jemi të pajisur me arsye, përmes së cilës mund të bëjmë zgjedhje të caktuara. Por nëse historia na ka dhënë një leksion, ai është se ne bëjmë shpesh zgjedhje të këqija dhe më pas më shumë zgjedhje të këqija për të shpëtuar nga një situatë të cilën ne e kemi përkeqësuar duke bërë që në fillim zgjedhje të këqija.

Putin gaboi kur nisi luftën ndaj Ukrainës. Tani ai duhet të dyfishojë përpjekjet për ta fituar atë. Ai e di – dhe ne e dimë – se lufta nuk i ka shkuar mirë, të paktën deri më tani. Por nga ana tjetër nuk ka shkuar aq keq sa të cilësohet një katastrofë. Të paktën jo ende. Rusia po qëndron e bashkuar. Ajo po i përshtatet realitetit të saj të ri të një konflikti të përhershëm me Perëndimin.

Elitat e kanë pranuar fatin e tyre dhe janë tubuar rreth Carit. Putini po vë bast se do të ketë sukses nëpërmjet një lufte të gjatë. Ai e di se fitorja e tij nuk është aspak e sigurt. Por mendon se ka një shans të mirë për ta përballuar dhe për ta arritur nëpërmjet brutalitetit dhe këmbënguljes metodike, atë që nuk arriti një vit më parë me një luftë-rrufe (Bliztkrieg).

Nëse po mendon pikërisht këtë – dhe ajo është ndoshta një reflektim i drejtë – edhe ne duhet ta përgatisim veten për një luftë të dhimbshme që mund të zgjasë për vite të tjera, përpara se të përfundojë në një mënyrë apo tjetrën.

Kur Putin e sheh botën me sytë tanë, a sheh ai një bindje të palëkundur dhe gatishmërinë për të shkuar deri buzë greminës? Ndoshta jo. Edhe kjo gjë kontribuon në besimin e tij. Një vit më pas, në fund të tunelit ka dritë. Është Putin që po shpërdoron çdo lloj mundësie për të dalë shpejt nga ky konflikt, ndërsa po përgatitet për një luftë të gjatë shkatërrimtare.

Shënim:Sergey Radchenko, profesor në Qendrën Kissinger, Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara, Universiteti Johns Hopkins në Uashington DC

/albeu.com

 


Shtuar 19.12.2022 09:33