Pesë gabimet e Joe Biden në Ukrainë

Nga Marwan Bishara “Al Jazeera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Që fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar, është folur shumë për llogaritjet e gabuara që ka bërë presidenti rus Vladimir Putin. Tetorin e vitit 2022, kam shkruar mbi vanitetin dhe megalomaninë e Putinit, të cilat e shtynë atë të mbivlerësojë aftësitë ushtarake ruse, të nënvlerësojë kapacitetin e Ukrainës për rezistencë dhe të llogarisë gabim unitetin e NATO-s si dhe vendosmërinë strategjike të Amerikës.

Por presidenti rus, nuk është i vetmi që bën gjykime të këqija me pasoja shkatërruese në Ukrainë dhe më gjerë. Ndërsa lufta po zvarritet pa fund, është e rëndësishme të analizohen edhe llogaritjet e gabuara të presidentit amerikan Joe Biden dhe aleatëve të tij perëndimorë në Ukrainë.

Çuditërisht, ato pasqyrojnë dështimet e vetë Rusisë, pasi të dy liderët rezultojnë të paaftë për të mësuar leksionet që burojnë nga arroganca perandorake. Që në fillim, Biden përdori një qasje morale, duke e inkuadruar konfliktin në Ukrainë si një konflikt global midis demokracisë dhe autokracisë, midis respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit kombëtar dhe agresionit rus.

Megjithatë, ai iu lut autokratëve të botës që t’i bashkoheshin kryqëzatës, dhe i shpërfilli luftërat e paligjshme të vetë Amerikës. Po ashtu e nënvlerësoi fuqinë e nacionalizmit rus dhe e shpërfilli frikën e Moskës për zgjerimin e NATO-s drejt kufijve të saj, si një justifikim të pabazë të imperializmit rus.

Në muajt para luftës, Joe Biden minoi përpjekjet për të zbatuar Marrëveshjet e Minskut të nënshkruara në vitet 2014 dhe 201,5 për t’i dhënë fund konfliktit në rajonin e Donbasit. Ato synonin t’i hapnin rrugën krijimit rë dy zonave autonome ruse në Ukrainën Lindore, dhe të pengonin zgjerimin e ndërhyrjes ruse në vend.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia e kishin nënshkruar dokumentin, por Franca dhe Gjermania, të cilat ndihmuan në përpilimin dhe përsosjen e këtyre marrëveshjeve, nuk arritën të ushtrojnë mjaftueshëm presion për zbatimin e tyre.

Pavarësisht se kishin shumë për të humbur nga një luftë shkatërruese evropiane, fuqitë evropiane bënë shumë pak për të ndaluar përshkallëzimin. Po ashtu Biden e nënvlerësoi qëndrueshmërinë ushtarake të Rusisë, duke vënë bast se ukrainasit do ta mposhtin këtë të fundit ashtu si afganët mposhtën Bashkimin Sovjetik me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Por për Moskën, Ukraina është shumë më e rëndësishme dhe strategjike se Afganistani, duke marrë parasysh historinë e saj të përbashkët dhe afërsinë gjeografike. Nga këndvështrimi i Putinit, Ukraina është jetike për sigurinë kombëtare të Rusisë dhe mbijetesën e regjimit të tij.

Është e qartë se ai do të preferonte ta shkatërronte atë, sesa ta shihte të bashkohej me një aleancë perëndimore. Gjatë vitit të parë të luftës, pengesat e ushtrisë ruse nga Kievi në Kharkiv, treguan vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës.

Por vala e luftës filloi të ndryshojë këtë vit. Siç e ka treguar rënia e Bakhmut pas muajsh luftimesh të përgjakshme, Rusia nuk është më pak e qëndrueshme apo e vendosur për të fituar. Dhe kjo është një recetë për një ngërç me pasoja shkatërruese.

Presidenti Biden e ka mbivlerësuar edhe kapacitetin e Ukrainës për luftë. Kjo nuk duhet të ngatërrohet me guximin dhe qëndrueshmërinë që ukrainasit i kanë treguar me shumicë, dhe që i dha atyre mundësinë të nisnin një kundërsulm të suksesshëm ushtarak vitin e kaluar.

Por deri më tani lufta është zhvilluar në mënyrë konvencionale në territorin ukrainas, duke lejuar që fuqia më e madhe e zjarrit rus ta mposhtë ushtrinë më të vogël të Ukrainës dhe të shkatërrojë pjesën më të madhe të ekonomisë së saj.

Por kjo nuk e kanë penguar SHBA-në dhe aleatët e saj të këmbëngulin në qasjen e tyre. Më 19 maj, vendet e G7-s të udhëhequr nga SHBA-ja që u takuan në Hiroshima u zotuan të ripërtërijnë “angazhimin e tyre për të ofruar mbështetjen financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike që kërkon Ukraina për aq kohë sa duhet”.

Ky është një tregues tjetër se SHBA-ja dhe aleatët e saj po zhyten në “zvarritje të misionit”.

Ajo që nisi me dërgimin e municioneve në Ukrainë, u zgjerua me furnizimin e artilerisë dhe tankeve amerikane dhe gjermane, sistemeve të mbrojtjes Patriot dhe dronëve, të cilët e lejojnë Ukrainën ta çojë luftën në territorin rus.

Së fundmi, SHBA-ja ka rënë dakord për transferimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë për të sfiduar epërsinë ajrore të Rusisë. Moska ka paralajmëruar se sigurimi i këtyre avionëve ndaj Kievit do të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm, ndërsa ekspertët kanë vënë në pikëpyetje dobinë e tij të menjëhershme për ushtrinë ukrainase, pa ndihmën e jashtme për t’i drejtuar ato.

Nga pikëpamja e saj, çdo fitore e ardhshme në fushën e betejës, mund të rezultojë të jetë një “fitore si të Pirros”, me kosto që do të peshojnë shumë më tepër sesa fitimet. Në rast se kundërofensiva e shumëpritur ukrainase do të arrijë disi të nxjerrë një “fitore dramatike nga nofullat e disfatës”, kjo mund ta shtyjë Rusinë të përdorë armë bërthamore si përgjigje, duke shkaktuar kërdinë në Ukrainë dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Edhe nëse Moska po e përdor vetëm si mjet presioni vendosjen e armëve bërthamore taktike, të cilat kanë një fuqi shpërthyese më të vogël, dhe që janë të destinuara për t’u përdorur në fushën e betejës kundër bazave dhe trupave të armikut, nuk mund të mbivlerësohen pasojat e një lëvizjeje të tillë për sigurinë dhe paqen evropiane, por edhe botërore.

Disa zyrtarë në administratën amerikane, i konsiderojnë  kërcënimet ruse për hakmarrje bërthamore si asgjë më shumë se një bllof për të penguar ndërhyrjen e mëtejshme perëndimore. Unë shpresoj që ata të kenë kanë të drejtë. Por në fakt mendoj se e kanë gabim.

Që nga viti 2000, Kremlini e ka ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore,  duke deklaruar  se ato mund të përdoren jo vetëm në rastin e një kërcënimi për vetë ekzistencën e vendit, por edhe “për të zmbrapsur agresionin e armatosur, nëse janë ezauruar ose rezultojnë joefektive të gjitha mjetet e tjera për zgjidhjen e një krize”.

Së fundmi, ashtu si Putini e nënvlerësoi unitetin perëndimor në mbështetjen e tyre për Ukrainën, edhe Biden e nënvlerësoi indiferencën e pjesës tjetër të botës ndaj asaj që duket – nga këndvështrimi i Jugut Global – si një konflikt i stërzgjatur evropian dhe që është një problem kryesisht i Evropës.

Ndërsa pjesa tjetër e botës vazhdon tregtinë me Rusinë, sanksionet perëndimore nuk po arrijnë që të ndryshojnë llogaritë që bën Moska në luftën kundër Ukrainës. Në përmbledhje, mendoj se si Rusia ashtu edhe Perëndimi kanë dështuar të ndjekin diplomacinë me aq qëllim dhe kokëfortësi sa kanë ndjekur luftën.

Që të dyja palët po ngulmojnë prej një kohe të gjatë  në pozicionet e tyre, duke nxitur frikën e asgjësimit bërthamor, dhe duke e inkuadruar konfliktin si një situatë “fito ose vdis”. Duke pasur parasysh dallimet e papajtueshme midis Rusisë dhe Perëndimit, kjo luftë nuk ka gjasa të përfundojë në një marrëveshje paqeje, të paktën jo në të ardhmen e parashikueshme.

Në fund, konflikti mund të arrijë në një ngërç, dhe në një ndërprerje afatgjatë të armiqësive, pra në një situatë të ngjashme me armëpushimin 70-vjeçar midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, në të cilën Rusia mund të këmbëngulë për krijimin e një zonë të çmilitarizuar që e përshkon Ukrainën nga Kharkiv në veri deri në Kherson në jug.

Ndërkohë, teksa lufta ka një ndikim mbi sigurinë dhe stabilitetin e Rusisë dhe të Perëndimit, Kina del e padëmtuar nga ky konflikti. Dhe për pakënaqësinë e kuptueshme të SHBA-së, ajo po bëhet një udhëheqëse botëror më e fuqishme dhe më e besueshme se kurrë më parë. /albeu.com

Shënim:Marwan Bishara, analist mbi politikën e jashtme të SHBA-së, Lindjen e Mesme dhe çështjet strategjike ndërkombëtare. Më herët ka qenë profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Parisit.


Shtuar 31.05.2023 11:10

Tags: