Kush është mafia çeçene që po tmerron sot Gjermaninë
Të gjithë mund të keni dëgjuar për mafian ruse, për kodet e saj të rrepta, tatuazhet simbolike etj. Por a keni dëgjuar ndonjëherë për mafian çeçene? E njohur edhe si Obschina (komuniteti), ata janë kriminelët ultra-nacionalistë të Republikës çeçene të Ishkerias.

Ajo shtrihet në një territor, që aktualisht nuk qeveriset nga asnjë entitet shtetëror në Rusisë Jugperëndimore pranë kufirit me Gjeorgjinë, dhe është më e njohur për dominimin e krimit të organizuar, dhe si një vatër e ekstremizmit islamik.


Por në fakt, grupi nuk përbëhet i gjithi vetëm nga islamikë radikalë, por në të janë të angazhuar edhe njerëz me ideologji dhe ambicie të ndryshme.

Të gjithë kanë të përbashkët përçmimin e Rusisë. Për shembull, ata janë të lidhur ngushtë me separatizmin çeçen. Për këtë arsye, shumë klane mafioze çeçene mësohet se u japin rregullisht ndihma monetare dhe armë kryengritësve separatistë.

Ishin ata që ndihmuan në zhvillimin e Luftës së Parë Çeçene të viteve 1994-1996, e cila ndodhi pas tentativës së separatistëve për të shpallur pavarësinë e tyre nga federata ruse.

Lufta ishte e përgjakshme, dhe në një farë kuptimi u fitua nga çeçenët, përderisa Moska u detyrua të ulet ne bisedime për një armëpushim, dhe më pas e tërhoqi ushtrinë e saj nga ky rajon.

Por kjo ndodhi me një kosto të madhe: 40 mijë të vrarë, dhe rrënimin e kryeqytetit Grozni. Liderët më të rëndësishëm të mafies, kishin lidhje të ngushta me Xhokar Dudajev, presidentin e parë të vendit që vetëshpalli pavarësinë në vitin 1991, edhe pse ky akt nuk u njoh nga Moska.

Ata furnizuan militantët e tij me armë, municion dhe para. Por lufta kundër rusëve dhe shkatërrimi i plotë i kryeqytetit Grozni, nxiti paligjshmërinë, korrupsionin e shfrenuar dhe abuzimet e mëdha më njerëzit e zakonshëm.

Grupet kriminale, e bënë një praktikë të zakonshme rrëmbimin e njerëzve, për të mbushur arkat e tyre. Ishte kjo situatë, e kombinuar me vdekjen e Dudajev në vitin 1996, që për shkak të përdorimit me tepri të telefonit të tij satelitor, u zbulua dhe u godit me 2 raketa nga ushtria ruse, ajo që e shkaktoi Luftën e Dytë Çeçene të viteve 1999-2000.

Sërish ishin familjet mafioze çeçene, ato që ndihmuan dhe financuan luftën, ose iu shitën armë grupeve që më vonë do t’u prinin kokat policëve çeçenë, drejtuesve ushtarakë rusë, dhe vendasve, që nuk iu bindeshin urdhrave të tyre. Shumica e tyre, ishin veteranë të luftës që rusët zhvilluan disa dekada më parë në Afganistan.

Këta mafiozë, besojnë se i përmbahen vlerave tradicionale të Çeçenisë dhe Ingushetisë. Ata refuzojnë etiketimet e Rusisë si banditë, dhe i ndërtojnë organizatat e tyre bazuar në stilin e jetesës të quajtur “Abrek”, pra ai që hedh poshtë kënaqësitë tokësore, në favor të luftës për hir të Zotit.

Tek ky pretendim ka jo pak ironi, po të kihen parasysh shumë video dhe fotografi të postuara në internet, që i tregojnë ata duke ngarë autokolona të gjata më makina luksoze Mercedes, BMW etj.

Përtej kësaj, mafiozët çeçenë mbajnë lidhje të ngushta sot me milicitë e Ramazan Kadirovit, udhëheqësi aktual të Republikës Çeçene, që ka instaluar ligjin e Sheriatit brenda rajonit.

Sot “Obschina”, ashtu si shumë grupime të krimit të organizuar në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore post-sovjetike, është shumë e fuqishme.

Terrorizimi i banorëve vendas përmes zhvatjes, rrëmbimit dhe vrasjeve është mëse i zakonshëm, kur ata nuk janë të zënë duke luftuar autoritetet ruse. Ka shumë të ngjarë që mafia çeçene, të jetë duke financuar ende ekstremistët në rajon. Ajo pati madje edhe një degën të vetën në Moskë, të themeluar që në vitet 1980 nga gangsteri Nikolaj Sulejmanov.

Suliemanov drejtonte një biznes të dorës së dytë, dhe bëri pjesën më të madhe të parave përmes evazionit fiskal. Grupimi kriminal kaloi më vonë tek gjobënia, kur depërtoi kapitalizmi në ekonominë sovjetike. Përveç tij, figura kryesore në vitet 1990 e mafias çeçene ishte Kozh-Ahmed Nukajev, që zyrtarisht ishte një student universitar, pjesë e një lëvizjeje studentore ilegale që punonte për pavarësisë e Çeçenisë.

Në pak vite, mafia çeçene u bë ndër më të frikshmet në Moskë. Miliarderi Boris Berezovski, ishte një nga biznesmenët që kishte më shumë lidhje me ta. Pas përplasjeve të shumta me Vladimir Putinin, Berezovski mërgoi në Britaninë e Madhe, ku gjeti vdekjen në vitin 2013 në rrethana misterioze.

Çeçenët ishin të frikshëm për dhunën e madhe që ushtronin, dhe në një moment u bënë grupi dominant i krimit në Moskë. Kjo i futi në përplasje me bandat sllave si Solntsevskaya dhe Orekhovskaya, të cilat formuan një aleancë për të larguar çeçenët nga qyteti.

Ata u mbështetën nga shërbimi sekret rus, që u shqetësua gjithnjë e më shumë për lidhjet në rritje midis krimit të organizuar dhe lëvizjes separatiste çeçene. Nën sundimin e Kadirov, krimi në Çeçeni ka ndryshuar disi qasje. Zyrtarët qeveritarë, akuzohen për përvetësim të miliardave nga fondet shtetërore që jep Moska, shkruan Tiranatoday.

Njerëzit e Kadirov besohet se qëndrojnë pas një numri të madh vrasjesh politike, disa prej tyre të politike në Evropën Perëndimore. Mafia çeçene, është sot shumë aktive në Gjermani. Një raport investigativ i vitit të kaluar, thoshte se mafia çeçene në Berlin ka në përbërje 250 persona, që dallohen për brutalitetin e tyre të madh. Ata akuzohen për disa vrasje të bujshme me shpërthime të telekomanduara, për shkak të përplasjeve mbi trafikun e kokainës.
Shtuar më 03/02/2020, ora 16:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori