Jo vetëm Wagner, ja cilat janë të gjitha ushtritë private që ekzistojnë aktualisht në Rusi

Nga Andrea Molle “Formiche.net

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Megjithëse kjo nuk është tamam një dukuri e kohëve të fundit – Kompania e parë Ushtarake Private “Ujqërit e Carit”, daton që në vitin 1992 – nga këndvështrimi i ligjit rus, milicitë ushtarake jo-shtetërore konsiderohen aktualisht të paligjshme.

Por meqë të gjitha milicitë aktualisht aktive janë në një mënyrë a tjetrën të lidhura me Kremlinin apo promovojnë interesat e këtij të fundit, drejtuesit e këtyre organizatave mbeten de fakto të pandëshkuar.

Përjashtimi i vetëm nga ky rregull, shfaqet kur njëri prej tyre nuk preferohet më nga udhëheqja në Moskë, apo hyn në një konflikt të hapur dhe të zgjatur me Forcat e Armatosura të rregullta, gjë që detyron edhe përfshirjen e gjyqësorit. Në këtë rast, sipas ligjeve në fuqi në Federatën Ruse, mund të ketë një de-mobilizim të detyruar dhe arrestim të udhëheqjes nëse kjo e fundit nuk përmbush kërkesat e qeverisë.

I tillë ishte rasti i Wagner Corp, që refuzoi të çmobilizonte trupat brenda datës 1 korrik të vendosur nga Ministria ruse e Mbrojtjes, duke vendosur se ishte më mirë të lëvizte kundër Kremlinit, në atë që shumë e kanë përcaktuar, në një mënyrë tepër të parakohshme, një përpjekje për grusht shteti.

Falë ndërmjetësimit të presidentit bjellorus Lukashenko dhe guvernatorit të rajonit rus Tula, Alexei Dyumin, rebelimi i shpejtë i Yevgeny Prigozhin solli në fund atë që disa analistë e shohin si një ri-pozicionim të milicive të Wagner në Bjellorusi, pikërisht vendi që mori një ndihmë të madhe ushtarake nga Moska, ku përfshihet edhe një numër armësh bërthamore.

Nuk përjashtohet mundësia që nga atje Wagner të vazhdojë pjesëmarrjen e tij në konfliktin në Ukrainë, duke hapur rrezikshëm një front verior shumë afër Kievit, nga ku do të ishte në gjendje të niste operacionet e infiltrimit dhe ndërhyrjes, të cilat do të shpejtonin konsumimin e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës.

Rihapja e qendrave të rekrutimit dhe trajnimit në Siberi, së bashku me zërat për ngritjen e disa bazave të Wagner në Bjellorusi, vetëm sa konfirmojnë ndjenjën se ajo që ndodhi javën e kaluar në Rusi nuk i ka dhënë fund aktiviteteve të kësaj ushtrie private dhe aq më pak në raport me angazhimin në Ukrainë.

Por nëse Wagner është “maja e heshtës” në sistemin e luftës asimetrike të Kremlinit, aktualisht në Rusi ekzistojnë rreth 40 milici private, të cilat veprojnë në 34 vende të botës. Rreth 70 për qind e këtyre grupeve operojnë në Ukrainë, dhe të paktën gjysma e tyre u krijuan enkas pas vitit 2022 për të marrë pjesë në luftë.

Pjesa tjetër vepron zakonisht në Siri (që nga viti 2011), Irak (që nga viti 2003) dhe Afrikën Qendrore, në mbështetje të interesave afatgjata ruse, por edhe si forca për të mbrojtur furnizimet me lëndë të para. Të dhënat e mbledhura në fillim të këtij viti, tregojnë se 19 milici të vendosura në Afrikë merren kryesisht me kontrollin e burimeve minerale.

Ndërkohë 10 të tjera operojnë në Azi dhe Lindjen e Mesme, 4 janë aktive në Evropë dhe të paktën 1 grup aktiv në Amerikën e Jugut. Wagner është padyshim më i rëndësishmi, pasi operon në të paktën 18 vende. Pas tij vijnë grupi Patriot që është i pranishëm në 7 vende dhe ENOT në 6 vende.

Por pse Kremlini ka ndihmuar në krijimin dhe ruajtjen e një ekosistemi kaq kompleks dhe potencialisht të rrezikshëm? Si fillim nuk duhet të harrojmë gjeografinë e Rusisë, një shtet i shtrirë midis Evropës dhe Azisë, dhe tendencën e saj historike drejt centralizimit të pushtetit. Të dy këta faktorë kanë krijuar gjithmonë kushtet ideale për ekzistencën e territoreve apo klaneve. Sot milicitë përfaqësojnë një mjet shumë fleksibël, të përshtatshëm për zhvillimin e luftërave hibride pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit, gjë që do të kishte pasoja të mëdha zyrtare në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Së dyti, operacionet e tyre financohen kryesisht nga oligarkët, si Yevgeny Prigozhin, Genadi Timchenko, Oleg Deripaska, Sergey Isakov etj. dhe jo nga shteti. Edhe pse ekzistojnë kanale financimi dhe mekanizma vartësie që i lidhin ato me institucionet shtetërore, nuk ka asnjë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin zyrtar të Rusisë dhe milicitë operojnë në një sistem të lirë konkurrence dhe tregu.

Kjo i bën ato më pak të kushtueshme për t’u mbajtur sesa trupat e rregullta, duke siguruar një nivel më të lartë teknologjik dhe manovrim më të madh operacional. Për më tepër, statusi që gëzojnë nënkupton se nuk kanë nevojë që të monitorojnë humbjet e tyre, dhe për këtë arsye ato nuk regjistrohen në humbjet zyrtare. Individët që i bashkohen ushtrive private lidhin kontrata vullnetare dhe për këtë arsye administrata shtetërore nuk mban përgjegjësi ndaj familjeve të të rënëve gjatë operacioneve.

Një avantazh tjetër i tyre ka të bëjë me përbërjen. Milicitë formohen kryesisht nga personel i përzgjedhur midis veteranëve të aftë për të kryer misionet më komplekse, por edhe me mundësinë e rekrutimit të shpejtë të personelit me kosto të ulët për t’u përdorur si “mish për top”.

Së fundi, me kalimin e kohës, milicitë private janë kthyer në një lloj statusi simbol për oligarkët, të cilët jo shumë ndryshe nga fisnikët dhe drejtuesit lokalë të së kaluarës, kanë filluar t’i përdorin ato për të mbrojtur veten dhe pasurinë e tyre, edhe në pritje të një kolapsi të mundshëm apo grushti shteti në Rusi.

Për të kuptuar se cilat janë milicitë kryesore private ruse dhe si funksionojnë ato, mund t’ia fillojmë vetëm nga Wagner. I themeluar zyrtarisht në vitin 2014, në kohën e pushtimit të Krimesë, por i lindur nga bashkimi i disa milicive, Wagner ka tani 40-50 mijë operatorë dhe është aktiv në Ukrainë, Siri, Republikën e Afrikës Qendrore, Libi, Sudan, Sudanin e Jugut, Çadi, Mozambik, Kongo, Mali, Bjellorusi, Burundi, Guinea-Bissau, Venezuelë, Nigeri, Madagaskar, Botsvana, Komoret, Ruandë dhe Lesoto.

Pastaj është grupi tjetër famëkeq Rusich i themeluar në vitin 2009 dhe i inkorporuar si një komponent autonom në Wagner në vitin 2014, aktiv në Ukrainë, Siri dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Këtyre i bashkohet Legjioni Perandorak Rus, një falangë e armatosur e Lëvizjes Perandorake Ruse e themeluar në vitin 2002, e cila duke pasur në përbërje qindra trupa merret kryesisht me operacionet e kontrollit të provincave të Donbasit.

Por kohët e fundit e ka shtrirë aktivitetin e saj në Libi dhe Siri. Ndërkohë duke nisur nga viti 2017, në skenë u shfaqën shërbimet e sigurisë SEWA, të drejtuara nga një ish-punonjës i Ministrisë së Brendshme, Evgeny Khodotov.

Ndër milicit që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me Wagner, duhet përmendur RSB Group, një kompani që ofron shërbime konsulence dhe mbrojtjeje që nga viti 2005 me zyra që operojnë ligjërisht në Afrikë dhe Bashkimin Evropian dhe që sipas analistëve financohet dhe kontrollohet drejtpërdrejt nga FSB, shërbimi sekret rus.

Pastaj ekziston edhe R Center, një grup prej rreth 500 operatorësh të financuar nga oligarkët Genadi Timchenko dhe Oleg Deripaska, dhe që është në varësi të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. E themeluar në vitin 2018, kjo milici merret ekskluzivisht me mbrojtjen e instalimeve në Ukrainë, Siri, Irak, Gjeorgji dhe Somali, siç ndodh në rastin e shërbimit të mbrojtjes së instalimeve të Gazprom.

Lista është e gjatë, por këtu duam të kufizohemi në raportimin e vetëm 4 grupeve më interesante aktualisht aktive. Le të fillojmë me grupin Patriot, të krijuar nga Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu në vitin 2018, dhe që është aktiv në Ukrainë, Siri, Jemen, Republikën e Afrikës Qendrore, Burundi, Sudan dhe Gabon.

Pastaj vijnë Ujqërit e Carit, grupi më i vjetër, i udhëhequr sot nga Dmitry Olegovich Rogozin, zëvendëskryeministër i Rusisë më vitet 2011-2018, dhe që operon ekskluzivisht në Ukrainë. Pikërisht këto 2 grupe të lartpërmendura mund të zëvendësojnë Wagner në zona të ndryshme operative.

Dy milici të tjera mbështeten tek dhurime të vogla individuale: Andreyevsky Krest, një nismë e Kishës Ortodokse Ruse për trajnimin e operatorëve që do të dërgohen në Ukrainë, e cila ndoshta ka kontribuar në përgatitjen e më shumë se 2000 ushtarëve në 5 vitet e fundit, dhe Akhmat, një forcë e përbërë nga rreth 4.000 operatorë dhe e kontrolluar nga udhëheqësi çeçen Kadyrov. /albeu.com

 


Shtuar 30.06.2023 12:55

Tags: