Goditi me filxhan opozitën, reagon deputeti shqiptar: U provokova (VIDEO)

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi ka reaguar këtë të martë për incidentin e ndodhur një natë më parë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, në Komisionin për Çështje Evropiane.

Para mediave ai ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur, ndërsa thotë se është provokuar.

“Në radhë të parë po më vjen keq për ato që ndodhën mbrëmë në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane dhe shpreh keqardhje për gjithë ato skena të cilat ndodhën të provokuara nga opozita. Agjenda reformuese parlamentare e kësaj qeverie duhet të vazhdojë, mos të biem pre e provokimeve të cilat janë në fokus të realizimit të agjendave të huaja për destabilizim të vendit, por edhe për defokusim të qytetarëve dhe mbarë opinionit nga proceset integruese”, tha deputeti.