Montuan në Prokurorinë e Elbasanit kondicionerë jo funksionalë, kërkohet burg për 4 persona

Prokuroria kërkon “arrest me burg” për katër punonjës të kompanive“Junik”, “Tirana New Supervisor” dhe “Imes-D” Shpk, pasi akuzohen për mashtrim. Ata kanë instaluar në Prokurorinë e Elbasanit kondicionerë jo funksionalë.

Për këtë rast është regjistruar procedim penal në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, bazuar në informacionet dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme.

Organi i akuzës kërkon burg për administratorin Dedë Malutaj të kompanisë“Junik” , dy inxhinierë dhe drejtuesin teknik të kompanisë të kompanive të tjera.

E plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr.1305 të vitit 2021, për veprën penale të “Mashtrimit’, parashikuar nga neni 143 i K.Penal.

Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se:

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, mbi bazën e informacionit të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, i cili bën fjalë mbi sistemin e ngrohje-ftohjes së Prokurorisë së Elbasanit, ka regjistruar procedimin penal Nr.1305 të vitit 2021, për veprën penale “Mashtrimet” të parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.

Në vitin 2020 në sistemin e ftohjes të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, janë konstatuar disa problematika që kanë pasur të bëjnë me mosfunksionimin e aparaturës Chiller të instaluar nga subjekti ndërtues (nënkontraktor).Nga disa verifikime dhe të dhëna paraprake të marra nga specialistë të fushës ka rezultuar se pajisja në fjalë kishte dalë nga funksionimi.

Në vijim të hetimeve, janë konstatuar nga firma ndërtuese punime të faturuara që nuk janë kryer realisht, instalime të pajisjeve të kondicionimit me fuqi më të ulët se preventivi dhe nevojat e ngrohje-ftohjes së godinës etj

Në vijim të hetimeve, u kërkua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të caktohet masa e sigurise “arrest në burg” ndaj shtetasve:

D. M. administrator i shoqerisë “Junik” shpk,
V. M. me detyre drejtues teknik i shoqërise “Junik” Shpk,
A. Ll. me detyrë inxhinier dhe administrator i shoqërise “Tirana New Supervisor”
I. D. me detyre inxhinier dhe administrator i shoqërise “Imes-D” Shpk,
Këto shtetas kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke përfituar dhe duke sjellur një dëm prej 3.569.714.29 lekë dhe në këto kushte ata kanë konsumuar elementet e veprës penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal të kryer në bashkëpunim.