Tensionet në veri/ Haradinaj kërkon nisjen e mocionit për shkarkimin e Qeverisë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e Qeverisë së kryeministrit Kurti, duke i ftuar deputetët të nisin mocion mosbesimi ndaj saj.

“Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të Qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë, që janë ende garanci e sigurisë sonë. Kush përfiton nga kjo, përveç presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit dhe Rusisë? Për këtë ju kërkoj të shkojmë në mocion dhe ta ndërpresim mosbesimin deri në pabesi dhe ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”, tha Haradinaj në seancën e Kuvendit, të thirrur për situatën në veri.

Protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës vazhdojnë edhe sot për të pestën ditë me radhë.

Numri i protestuesve ka qenë më i ulët dje, krahasuar me ditët paraprake. Kosova është vënë nën presion diplomatik për të shtensionuar situatën, shkeuan REL. Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri.

3 kërkesa që BE-ja ka për Kosovën:
• Zgjedhje të reja tani
• Të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to
• Të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell.

Që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Si pasojë e tensioneve SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit./albeu.com/