Vjedhja e të dhënave, Dashamir Shehi: Akt shumë i rëndë!

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka reaguar lidhur me skandalin e sistemit të të dhënave të PS-së, duke e quajtur një akt të shëmtuar, i cili kalon përtej zgjedhjeve.

Shehi shprehet se ky është si një lloj “Big Brotheri” ky qytetarët janë të vëzhguar si me kamera sigurie.

“Një akt shumë i shëmtuar. Jo se nuk janë bërë në zgjedhjet e kaluara, vjedhje e të dhënave, impenjim për të hyrë në privatësinë e tjetrit për të kuptuar se për këtë voton. Gjithmonë kemi pasur vullnetarë që i bien derës nëpër apartamente, nëpër shkallët e pallateve dhe besoj se i njohin të gjithë nëpër lagje. Mirëpo ishin njerëz vullnetarë të partisë që diheshin se kush ishin. Ndërsa sot këtu merren nga zyrat e shtetit të dhënat personale, me të cilat mund të bëhen lloj lloj pisllëqesh.

Këto merren se zotit Rama dhe bandës së tij i ka hyrë frika finale që këtu nuk ka më asnjë shpresë dhe duan të kontrollojnë çdo votë. Ky është një rrjet që janë të përzierë këto institucione që duhet të ruajnë votat e shqiptarëve, shqiptarë të tjerë që janë drejtorë administratash që e shpërndajnë këtë punë, vullnetarët që disa nga dëshira dhe disa nga halli dalin me listë në dorë për t’i certifikuar këto të dhëna që janë apo s’janë të vërteta, që më pas të mendojnë se si do t’i gënjejnë dhe blejnë qytetarët.

Kjo është shumë e rëndë, kalon përtej zgjedhjeve. Ky është një Big Brother, sikur të na vënë një kamera te kuzhina, te dhoma e gjumit ta dinë se çfarë flasim dhe çfarë bëjmë. Është një shkelje ligji shumë e rëndë që duhet të merren hetues, prokurorë”, u shpreh Shehi.


Shtuar 11.04.2021 23:43