Jo më 14 ditë, CDC ndryshon udhëzimet për kohëzgjatjen e karantinës
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të shkurtojnë kohëzgjatjen e rekomanduar të karantinës pas ekspozimit ndaj një personi pozitiv për COVID-19.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës, udhëzimet e reja do të lejojnë njerëzit që kanë rënë në kontakt me dikë të infektuar me virusin të rifillojnë aktivitetin normal pas 10 ditësh, ose pas 7 ditësh nëse kanë rezultuar negativ ndaj testit. Kjo është shumë më pak se sa periudha 14-ditore e rekomanduar që nga fillimi i pandemisë.

Zyrtari tha se ndryshimi i politikës është diskutuar prej disa kohe, pas studimit që shkencëtarët i kanë bërë periudhës së inkubacionit për virusin. Politika e re do të përshpejtojë kthimin në aktivitetet normale të atyre personave që vlerësohen të kenë qenë në "kontakt të ngushtë" me njerëz të infektuar.

CDC kishte thënë se periudha e inkubacionit për virusin mendohej të ishte 14 ditë, shumica e individëve u infektuan dhe shfaqën simptoma midis 4 dhe 5 ditëve pas ekspozimit.

Nuk është hera e parë që CDC u bën ndryshime udhëzimeve për koronavirusin. Në korrik, agjencia shkurtoi, nga 14 në 10 ditë, udhëzimin e saj se për sa kohë një person duhet të qëndrojë në izolim që nga momenti kur ka përjetuar simptoma të COVID-it, nëse nuk është më i sëmurë.

Udhëzimi i ri u prezantua të martën në një takim të grupit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.
Shtuar më 04/12/2020, ora 13:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori