Jeta para talebanëve/ Foto të rralla të Afganistanit tregojnë që ishte një vend mikpritës në vitet ’70 (FOTO LAJM)
Afganistani nuk ka qenë gjithmonë një vend i rrezikshëm për
vizitorët. Para lëvizjes talebane dhe ardhjes së tyre në pushtet, që pasoi vendosjen dhe zbatimin e rreptë të ligjit fetar, në këtë vend të Azisë Qendrore, njerëzit ishin mikpritës, të qeshur dhe paqësorë.
Këtë e dëshmojnë një sërë fotografish të shkrepura nga
francezi Francois
Pommery, i cili ka vizituar vendin dy herë, fillimisht në vitin 1969 e më pas në vitin 1974.
Pommery, në atë kohë një student që i pëlqenin aventurat, u nis drejt Afganistanit i nxitur nga disa miq të tij, që i këshilluan të vizitonte Nuristanin, një zonë e thellë
malore e që thuhet se banorët e saj janë pasardhës të Aleksandrit të Madh.
Pa u menduar dy herë ai u nis drejt këtij destinacioni. Kur mbërriti në Afganistan u njoh me një tjetër francez dhe bashkë ndërmorën udhëtimin.
Të shkoje në Nuristan ishte një sakrificë më vete. Rrugët për makina në zonën e thellë
malore mungonin dhe e vetmja mënyrë për të shkuar atje ishte në këmbë.
Pommery rrëfen se nuk u tërhoq dhe e pranoi sfidën, pavarësisht se disa banorë lokalë i thanë që ishte e rrezikshme dhe se në Nuristan njerëzit nuk ishin miqësorë, shkruan Daily Mail.
“Përkundrazi. Atje u pritëm shumë mirë dhe një udhëheqës tribal na mori e na strehoi në një banesë të posaçme për
vizitorët”, kujton
francezi.
Pjesë e koleksionit të tij të fotografive janë edhe statujat gjigante të Budas, që u shkatërruan nga talebanët në vitin 2001.
Përmes publikimit të këtyre fotove ai synon të nxjerrë në pah ndryshimin e thellë që ka pësuar vendi i shkatërruar nga konfliktet e njëpasnjëshme e luftërat fetare. /albeu.com/
Shtuar më 02/12/2016,
ora 23:02