EMRI/ Gjykata liroi 6 kolegët e tij, policia arreston numëruesin e shpallur në kërkim

Pak momente pasi Gjykata liroi 6 të arrestuarit për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve më 25 prill 2021 , policia e Elbasanit arrestoi kolegun e tyre që ishte shpallur në kërkim.

Në pranga ka rënë shtetasi Oltion Bajrami, ndërkohë që vazhdon të jetë në kërkim edhe një tjetër numërues Eduart Zito.

Njoftimi nga Policia Elbasan

Falsifikoi materialet zgjedhore të procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, vihet në pranga edhe 1 shtetas tjetër (numërues votash), i shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i materialeve zgjedhore dhe i rezultatit të zgjedhjeve”, për shtetasin:

O. B., 37 vjeç, banues në fshatin Karkavec, Prrenjas.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 6 shtetas të tjerë (të ndaluar më parë), të cilët kanë patur si detyrë numërimin e votave, gjatë procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, ka shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprimet e mëtejshme./albeu.com