21 gazetarë të vrarë nga lufta në Ukrainë

Redaktori australian dhe krijuesi i Wikileaks-it, Julian Assange do të shprehej se “nëse luftërat mund të nxiten nga gënjeshtra, ato mund të ndalen nga e vërteta”.

Por, një pjesë e atyre që raportuan të vërtetën – gazetarët në vijën e parë të frontit të luftës në Ukrainë – gjetën vdekjen ndërsa nderonin detyrën e përcjelljes së lajmit.

Kjo, në kushtet e një agresioni dhe bombardimi të vazhdueshëm nga forcat ajrore ruse.

Të shtunën e 16 prillit, Komiteti për Lirinë e Fjalës ka raportuar 21 vdekje të dokumentuara në media që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë.

Faqja e internetit e Verkhovna Rada-s (parlamenti ukrainas) do të zbardhte emrat e tyre bashkangjitur një mesazhi ngushëllues në përmbyllje.

“Ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave. Ne kërkojmë një përgjigje globale ndaj krimeve të kryera nga pushtuesit rusë në Ukrainë, duke përfshirë shkatërrimin e medias së lirë. Ne u bëjmë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të dokumentojnë me kujdes krimet kundër gazetarëve”, shkruhet në deklaratën zyrtare.

Sipas parlamentarëve ukrainas, gazetarët, si ushtarë të frontit të informacionit, japin kontributin e tyre të paçmuar në fitoren e Ukrainës.

Që nga 24 shkurti i këtij viti humbën jetën: Pierre Zakzewski; Oleksandra “Sasha” Kuvshynova; Alexander Litkin; Paul Lee; Sergej Pushchenko; Eugene Sakun; Brent Anthony Reno; Oksana Baulina; Dealerbek Shakirov; Viktor Dedov; Viktor Dudar; Lilia Humyanova; Yuriy Oliynyk; Oleg Yakunin; Maxim Levin; Mantas Kvedaravičius; Sergej Zaikovsky; Denis Kotenko; Eugene Ball; Roman Nezhyborets; Zoreslav Zamoysky.

Gazetarja Oleksandra “Sasha” Kuvshynova u vra në Ukrainë në të njëjtin incident që vrau kameramanin Pierre Zakrzewski.

Kuvshynova ishte 24 vjeç dhe Zakrzewski 55.

Kuvshynova punonte si konsulente e pavarur për “Fox News” në Ukrainë, duke ndihmuar në gjetjen e burimeve dhe mbledhjen e informacionit.

Zakrzewski ishte një kameraman për “Fox News”.

Ata po raportonin në Horenka, jashtë Kiev-it, Ukrainë, kur automjeti i tyre u përfshi nga flakët.

Brent Renault, një shtetas amerikan 51-vjeçar, i cili vdiq në granatimet e Irpen-it, ishte duke punuar në Ukrainë për bordin editorial të revistës amerikane “Time”.

Fotoreporteri i famshëm Maxim Levin u gjet i vdekur.

Gazetarja ruse e “The Insider” Oksana Baulina mbeti e vrarë si rezultat i bombardimeve të forcave ruse në rrethin Podilsky të Kiev-it.

Në të kaluarën Baulina kishte punuar edhe për Fondacionin Kundër Korrupsionit në Rusi.

Pasi organizata u përfshi në listën e ekstremistëve, ajo shkoi jashtë vendit.

Më 1 mars do vritej Yevhenii Sakun i kanalit EFE/LIVE.

Operatori 49-vjeçar për stacionin LIVE të Ukrainës, mendohet se ishte gazetari i parë i vrarë në konflikt.

Sakun vdiq kur një kullë televizive në kryeqytet, Kiev, u godit nga bombardimet ruse.

Fotoreporteri ukrainas Maksym Levin, të cilin kolegët e quanin Max, u gjet i vdekur në periferi veriore të Kiev-it.

Kjo, pasi miqtë humbën kontaktet me të, tha zyra e prokurorit të përgjithshëm ukrainas më 2 prill.

Sipas UNESCO-s, 55 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në vitin 2021 në mbarë botën.

Kjo shifër përfaqësonte numrin më të ulët vjetor të vdekjeve në më shumë se një dekadë.

Tetëdhjetë e shtatë për qind e të gjitha vrasjeve të gazetarëve që nga viti 2006 mbeten të pazgjidhura.