Nga gardiane në shitëse, pjatalarëse e këngëtare. Picari: Nuk i qahem punëve

Nga gardiane burgu në emigrante dhe më pas këngëtare e muzikës popullore, kjo është jeta e Vera Picarit. E ftuar në ‘Abc e Pasdites’ zonja nga Tirana rrëfeu çdo sekret të jetës së saj teksa kalonte vështirësitë ekonomike të jetës përtej oqeanit. Për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët Vera ka punuar punë si dado për fëmijët apo shitëse dyqani. Por punën e saj të parë në 1989 e kishte në burgun 313.

“Kur isha vajzë e re doja të bëja shumë punë. Nëna më mësonte gjithçka, por gocat nuk duhet të ishin me punë të forta. Mua kjo nuk më ndalonte. Po kërkoja punë dhe më thonë ‘Mund të vish për gardiane burgu’. Unë kam qenë natyrë gjermane. Njëherë më pëlqeu pastaj dyshova. Te 313 fillova si gardiane burgu, deri në 93shin se pastaj kam ikur në Itali. Është diçka e vështirë, qëndron mbyllur e izoluar.” – shprehu ajo për punën.

Sipas saj, një fazë e rëndësishme dhe e gjatë ishte emigrimi në Itali në 1993, ku ndonëse e gjetë veten prapë mundësitë nuk ishin të mëdha.

“Ishim shumë pak shqiptarë, fillimi i emigracionit. Gjuhën nuk e dinim fare. Për punë nuk jam lodhu. Kam punuar gjithmonë. Kam qenë ndër emigrantet e para femër dhe e kam marrë të gjithë familjen në Itali me mua. Në 2014 shpërngulem në Londër pa ditur asnjë fjalë anglisht. Në Itali kishte krizë ekonomike. Unë dhe sot jetoj me fëmijët e mi në Londër dhe jemi mirë.” – rrëfeu ajo plot emocion.

Sot ajo është një këngëtare e re në industrinë e muzikës popullore, ku numëron mbi 7 produksione. Vera shpreh se dashuria për muzikën ka nisur që në fëmijëri ku prindërit ishin gjithashtu artdashës. Ajo thotë se në këtë fazë të jetës po bën një ëndërr realitet dhe se ‘jeta është vetëm 1 dhe çdo person duhet ta jetoj’

 

 


Shtuar 5.11.2021 19:02