Sekretari britanik i mbrojtjes: Zona e ndalim-fluturimit mund ta pengojë Ukrainën, jo ta ndihmojë

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar thotë se një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë nuk do të rriste vetëm rrezikun për aleatët e NATO-s, të cilët mund të vijnë në konfrontim të drejtpërdrejtë me avionët rusë, por gjithashtu mund të pengojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten.

Në një vizitë në Estoni dhe Danimarkë këtë javë, Ben Wallace tha për BBC, se Rusia deri më tani nuk kishte qenë e suksesshme në shkatërrimin e mbrojtjes ajrore dhe forcave ajrore të Ukrainës.

Ai tha se avionët dhe dronët ukrainas ishin “një nga mjetet e pakta” që ukrainasit kishin për të goditur forcat ruse nga distanca, dhe Wallace tha: “Nëse keni një zonë të ndaluar fluturimi, ajo funksionon për të dyja palët”.

Ai tha se “mund t’u japë një avantazh rusëve”, të cilët ende mund të synojnë qytetet me artilerinë e tyre me rreze të gjatë dhe raketat nga toka.

“Unë mendoj se njerëzit duhet t’i bëjnë vetes pyetjen përpara se të sugjerojnë këto gjëra, çfarë do të thotë në terren dhe çfarë do të thotë për NATO-n, kur ka mënyra të tjera për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen nga ajri,” thotë ai.

Vendet perëndimore kanë furnizuar Ukrainën me qindra raketa anti-ajrore “Stinger” në javët e fundit.

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka bërë thirrje publikisht për një zonë ndalim-fluturimi. Por Wallace tha se ai kishte qenë në kontakt të përditshëm me ministrin e mbrojtjes të Ukrainës, i cili, tha ai, nuk kishte kërkuar një të tillë.


Shtuar 5.03.2022 13:10