Si po mbërrijnë në Evropë “tentakulat” e Iranit

Nga Arsen Ostrovsky & Patricia Teitelbaum “Newsweek

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Quhem Khaled Barakat dhe jam këtu për të shprehur pikëpamjet e Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (FLCCP). Kështu nis një intervistë e vitit 2016 me Khaled Barakat, udhëheqës i Rrjetit të të Burgosurve Palestinezë Samidoun.

E themeluar në vitin 2012 dhe që vepron në Evropë, Amerikën e Veriut, si dhe në Iran, Samidoun pretendon se është “një rrjet ndërkombëtar organizatorësh dhe aktivistësh, të cilët punojnë për të krijuar solidaritet me të burgosurit palestinezë në luftën e tyre për liri”.

Megjithatë, realiteti është se Samidoun, dhe udhëheqësit e tij kryesorë si Barakat, shërbejnë si një krah i pandashëm i PFCCP, i etiketuar si një grup terrorist nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, pasi mban lidhje të forta me regjimin e Republikës Islamike të Iranit.

Pyetja kryesore është edhe për sa kohë do të vazhdojë BE të bëjë një sy qorr duke e lejuar Samidoun të vijojë të veprojë i pa shqetësuar, ndërsa Irani po përhap më tej tentakulat e tij të terrorit në Evropë? Shumica e të burgosurve që mbron Samidoun nuk janë thjesht kriminelë të zakonshëm.

Ata janë vrasës dhe terroristë të dënuar me lidhje me PFÇP. I tillë është rasti i Ahmad Sa’adat, që në vitin 2001 vrau Ministrin izraelit të Turizmit Rehavam Ze’evi në Jerusalem dhe Georges Ibrahim Abdallah, që po vuan një dënim të përjetshëm më burg në Francë për rolin e tij në vrasjen e disa diplomatëve amerikanë dhe izraelitë në Paris në vitin 1982.

PFCCP u themelua në vitin 1967 si një grup nacionalist arab marksisto-leninist, për të kundërshtuar me dhunë ekzistencën e Izraelit si ishte. Ajo nisi të bëhet e njohur gjatë viteve 1960-1970 me një seri rrëmbimesh të avionëve, madje edhe në Evropë.

Kohët e fundit, në vitin 2014, terroristët e PFCCP-së të armatosur me armë dhe thika kasapi hynë në një sinagogë të Jerusalemit dhe vranë 5 pesë persona. Në vitin 2019, terroristët e kësaj organizate vranë vajzën 17-vjeçare izraelite Rina Schnerb duke shpërthyer në distancë një mjet shpërthyes.

Në vitin 2019, udhëheqësi i Samidoun, Barakat u dëbua nga Gjermania, pasi një Gjykatë e Apelit në Berlin zbuloi se ai “vepronte në mënyrë të përsëritur si një aktivist i PFCCP”. Në vitin 2021, Izraeli e etiketoi zyrtarisht Samidoun si një organizatë terroriste, duke përmendur në mënyrë specifike lidhjet e tyre me PFCCP dhe duke vënë në dukje se Barakat “është pjesë e udhëheqjes së PFCCP jashtë vendit”.

Por Barakat nuk është i vetmi udhëheqës i lartë në Samidoun me lidhje terroriste. Mustapha Awad është përfaqësuesi i Samidoun për Evropën. Një shtetas libanezo-belg me banim në Bruksel, ai gjithashtu është anëtar i FPCCP. Në vitin 2019 u dënua për shkak të trajnimit nga Hezbollah dhe dërgimin e parave për Barakat nga Libani dhe Siria, sipas udhëzimeve të PFCCP.

Një tjetër është Mohammed Khatib, që aktualisht banon në Bruksel dhe shërben si Koordinator për Evropën për Samidoun. Ashtu si kolegët e tij, edhe Khatib është anëtar i FPCCP. Më 29 tetor 2022, ai koordinoi tubimin “Marshimi i Kthimit dhe Çlirimit” në Bruksel, duke deklaruar para Parlamentit Evropian se “Të mposhtim Izraelin do të thotë të mposhtim Shtetet e Bashkuara si dhe të këtë institucion kolonial (BE-në) duke përdorur çdo mjet të nevojshëm, përfshirë plumbat, kallashnikovët dhe raketat”.

Edhe kompanitë kryesore të kartave të kreditit dhe institucionet financiare e penguan aftësinë e Samidoun për të përdorur shërbimet e tyre për mbledhjen e fondeve në internet, për shkak të shqetësimeve se do të ofronin “mbështetje materiale” për terrorizmin.

E vetmja fije shkatërruese që e gërsheton gjithë këtë urrejtje ndaj vlerave tona të përbashkëta demokratike, është Republika Islamike e Iranit. FPCCP është një përfaqësues i regjimit iranian, që i siguron grupit terrorist para, trajnime dhe armë. Samidoun, një degë e PFLP-së, ka një degë në Teheran.

Madje ajo ka mbajtur aktivitete atje, nën pretekstin e “aktiviteteve kulturor”, për të nxitur mbështetje për operacionet në Evropë. Udhëheqësi i tyre, Khaled Barakat, ftohet rregullt në televizionin shtetëror iranian PressTV, ku bën thirrje për dhunë dhe lavdëron përfshirjen e Iranit në punët e vendeve të tjera të rajonit.

Anëtarët kryesorë të Samidoun në Evropë, si Mustapha Awad, janë trajnuar nga Hezbollah, një tjetër organizatë përfaqësuese e terrorizmit iranian, dhe ka transferuar para nga Libani dhe Siria tek Barakat, duke përfaqësuar lidhjen më të drejtpërdrejtë financiare midis Samidoun dhe regjimit iranian.

Po ashtu Samidoun ka shprehur gjithashtu mbështetje dhe admirim për Qassem Soleimani, ish-kreun e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, që u vra në një sulm amerikan në vitin 2020, duke e quajtur atë një “udhëheqës të madh ushtarak dhe politik”, ndërsa mbrojti mbështetjen për regjimin e Ajatollah Khameneit dhe dhënien fund të sanksioneve perëndimore.

Prandaj, është krejtësisht e pakuptueshme pse BE-ja ende nuk e ka përfshirë Samidoun në listën e organizatave terroriste. Sipas Këshillit të Bashkimit Evropian, grupet dhe individët mund të shtohen në listën e zezë në bazë të “propozimeve të paraqitura nga shtetet anëtare, bazuar në vendimin e një autoriteti kompetent të një shteti anëtar apo një vendi të tretë”.

Në këtë drejtim, ekziston tashmë një përcaktim i qëndrueshëm nga Izraeli i Samidoun si një grup terrorist dhe vendimi i një gjykate gjermane, që konstaton se Barakat ishte një operativ i lartë i FPCCP. Për më tepër, sipas Dokumentit të Qëndrimit të Përbashkët 931 të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, nuk është i nevojshëm as një vendim i një gjykate të një shteti anëtar të BE-së.

Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm fillimi i një hetimi nga policia ose autoritetet kombëtare, duke përfshirë ato jashtë Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh lidhjen e pa mohueshme midis Samidoun, PFLP dhe regjimit iranian, BE-ja ka për detyrë ta vendosë Samidoun dhe udhëheqësit e saj të lartë në listën e saj të organizatave terroriste.

Ata nuk duhet ta bëjnë këtë si një favor ndaj Izraelit, por sepse nëse vazhdohet me këtë shpërfillje ndaj veprimtarisë së këtij grupi, kjo paraqet një kërcënim të qartë dhe aktual për sigurinë për Bashkimin Evropian dhe qytetarët e BE-së.

Shënim:Arsen Ostrovsky, avokat për të drejtat e njeriut dhe drejtues i Forumit Ligjor Ndërkombëtar. Patricia Teitelbaum, kryetare e Lëvizjes Ndërkombëtare për Paqe dhe Bashkëjetesë me qendër në Bruksel.

/albeu.com

 

 


Shtuar 29.03.2023 11:51