E rëndë në Berat, babai plagos djalin me thikë, dërgohet me urgjencë në Tiranë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat.

Pas një konflikti në familje, motivet e të cilit nuk dihen ende, 66-vjeçari Ramo Sheroku la goditur disa herë me thikë djalin e tij 32-vjeç Andrea Sheroku, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup.

I plagosuri është transportuar me ambulancë fillimisht në Repartin e Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit dhe më pas i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Repartin e Kirurgjisë.

Mjekët e Spitalit të Beratit konfirmojnë se 32-vjeçari kishte marrë goditje në pjesën e kraharorit, afër mushkërive dhe për shkak të gjendjes së tij të rënduar mjekët e kanë transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Babai i djalit është shoqëruar në ambientet e DVP-së Berat dhe nga dëshmia e tij pritet të zbardhen detajet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.Sh., 66 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se në banesë, pas një debati për motive të dobëta ka goditur mjet mprehës (thikë), në trup djalin e tij shtetasin A.Sh., 32 vjeç, banues në Berat.

Shtetasi A.Sh, pasi ka marrë ndihmë mjeksore në Spitalin Rajonal Berat, është transferuar në Spitalin e Traumës Tiranë për ndihmë mjeksore më të specializuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”./albeu.com