Gjergj Luca rrëfen hallin: Raiffeisen po tallet me mua dhe po më mban lekët, ju bëj thirrje ta braktisni edhe ju (VIDEO)

Biznesmeni i njohur Gjergj Luca ka denoncuar Raiffeisen Bank, pasi sipas tij ata po i mbajnë paratë e trensferuara nga Japonia.

Përmes një video të postuar nga biznesmeni në faqen e tij në “Facebook”, ai shprehet se një shumë parash i ka ardhur nga Japonia pas shitjes së mallit, por se këto para banka Raiffeisen nuk pranon t’ia kalojë në bankën e tij dhe i jep një kurs të ulët këmbimi për monedhën Jen, me shumë diferencë nga tregu ndërkombëtar.

Ai i bën thirrje Bankës së Shqipërisë të mbrojë biznesin.

Deklarata e plotë:

Përshëndetje të dashur miq! Siç e shihni këtu në shpinën time është një nga bankat më të mëdha shqiptare, me degë e filiale në të gjithë Shqipërinë dhe arsyeja pse po dal para jush, të jap një rrëfim timin për eksperiencën që kam për këtë bankë. Para nja 10-12 vitesh ose diçka më tepër kam qenë klient i asaj banke dhe kam financuar dy anije peshkimi. Pasi më erdhën ato dy anije, u përballa me probleme me administratën e shtetit që ishin të pakapërcyeshme për mua. Kam shkuar në bankë mes vështirësive shumë të mëdha dhe kam kërkuar takim me drejtorin e përgjithshëm të asaj banke që me sa kujtoj atëherë ka qenë një grek me një grua shumë të nderuar që ishte drejtoreshë tek VIP-at, tek bizneset e mëdha. Me shumë sinqeritet dhe me shumë shpirt i thashë, të lutem jam në vështirësi jo për fajin tim, jo për idetë e mia, jo për punën time, por jam në vështirësi nga administrata e shtetit dhe i kërkova ndihmë që të përballesha me administratën e shtetit.

Ky njeri më tha nuk kam arsye. I thashë arsyeja është se unë tek ju kam ardhur kam kërkuar që të bëjmë një biznes bashkërisht dhe ju ta financoni dhe ju kam shpërfaqur ëndrrën time, të cilën e kam përkthyer një projekt, të cilin ekspertët e bankës suaj e kanë aprovuar. Dhe ky projekt nuk po ecën jo për fajin tim, jo për vullnetin tim, jo për punën time, por ky projekt nuk po ecën sepse administrata e shtetit është bëra barrikadë përballë me korrupsionin e saj dhe nuk do të lejojë njerëzit që janë korrekt me taksat dhe çdo gjë të punojnë, por do të privilegjojë korrupsionin, pandershmërinë për t’i mbushur xhepat e tyre. Kërkova në atë kohë të shkoj tek kryeministri i asaj kohe, bashkë me drejtorin e Raiffeisen dhe t’i kërkonim ndihmë për të zhbllokuar këtë pjesë që të vazhdonim këtë projekt të përbashkët. Nuk e mori njëri mundimin që të përballej me administratën e shtetit nga kjo bankë, por mua më nxorën në black list dhe tre vjet mua s’më ka hapur derën asnjë bankë dhe përnatë mua më ka dalë emri i kësaj banke. Tani është hera e dytë që unë përballem me një transfertë që mua po më vjen nga Japonia, ku i gjithë mundi i punës sime, i kompanisë, prej mijëra vetëve, më ka ardhur pagesa e mallit që unë kam shitur atje.

Kjo pagesë e vonuar nga moseksperienca ime këtë radhë më krijoi probleme në sistemin tim dhe mua një orë më duket një javë ose një muaj dhe këto lekë kanë ardhur që ditën e hënë, më janë deklaruar të martën, kam shkuar tek kjo bankë dhe kam kërkuar që jenin të ma kthenin në euro dhe më kanë dhënë një kurs që ishte e shkruar atje me 400 mijë euro. Pastaj u treguan xhentilë me mua dhe më dhanë një kurs tjetër që ishte 180 mijë euro diferencë me kursin ndërkombëtar. Atëherë unë kërkova që këto jen të shkojnë në bankën time Intesa, tek ajo bankë që është bërë partnere e ëndrrave të mia dhe këta njerëz më dhanë pastaj kursin e fundit që ishte një diferencë prej 18 mijë eurove a prej 20 mijë eurove, unë kërkova dhe i thashë jo, dua që të më transferohen jenët në thesar. Nga dita e martë, e mërkurë deri sot që është e premte, unë pres lekët e mia. Pres lekët e mia për të paguar kredinë tek banka tjetër, pres lekët e mia të paguaj punëtorët, pres lekët e mia për të paguar korrentin, për të paguar gazin, për të paguar njëmijë gjëra që janë ngritur në këto probleme dhe kjo bankë tallet me mua. Tallet me mua duke i mbajtur dhe një ditë më tepër lekët e mia që t’i shfrytëzojë, dhe një ditë më tepër, dhe një ditë më tepër. Kjo është e turpshme, dhe unë dua t’i bëj thirrje bankës shqiptare që të marrë masa dhe të na mbrojë ne që punojmë, që furnizojmë buxhetin e shtetit, të na mbrojë ne që përmes nesh të ecë përpara ky vend. I drejtohem gjithë biznesit, hapni sytë kur bëni kontrata me banka sepse ato kontrata që bëni janë ëndrrat e tuaja që këta zotërinj që rrinë aty brenda me ato rroga që i keni parë ju, ua aprovojnë dhe kur ju jeni në vështirësi nuk janë partnerët tuaj, por e kanë kollaj për të ardhur për t’ju nxjerrë nga biznesi, për t’ju nxjerrë nga shtëpitë./albeu.com/


Shtuar 7.03.2022 11:27