Bëmat e fisit Rraja “i hëngrën” kokën Çuçit, nga zhdukja e Ervis Martinajt te masakra e Fushë-Krujës, ngjarjet më të bujshme

Nga zhdukja e Ervis Martinajt te masakra e Fushë Krujës, ngjarjet e bujshme që “i hëngrën kokën” Bledi Çuçit

Bledi Çuçi u bë ministri i radhës i Brendshëm që shkarkohet në tre mandate të qeverisë së Edi Ramës, në një post që duket se është “i mallkuar”.

Këtë detyrë pritet ta mbajë tashmë Taulant Balla, aktualisht edhe kreu i grupit parlamentar të socialistëve.

Shkarkimi i Çuçit vjen pas ngjarjeve që kanë trazuar vendin dy ditët e fundit dhe u parapri nga dorëheqja e deputetit Rrahman Rraja.

Anëtarët të familjes së këtij të fundit, përfshirë dhe djalin e tij Rexhep Rraja, dhunuan barbarisht Jashar dhe Bilbil Majën në një lokal në Fushë Krujë.

Ngjarja tronditëse ndodhi pasi këta të fundit ishin ankuar për guroret në pronësi të Rrajave, që u kishin dëmtuar shtëpitë.

Majat thanë se kishin bërë rreth 40 denoncime në polici, por ishin përcjellë me kërcënimin se do të arrestohen nëse vazhdojnë ankesat për guroret.

Më herët gjatë ditës së sotme, kjo ngjarje u bë shkak edhe për shkarkimin e strukturave drejtuese të komisariatit të Krujës.

Çuçin duket se e ka ndjekur fati i paraardhësve të tij, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafa dhe Sandër Lleshaj, duke e çuar kështu 4 numrin e ministrave të Brendshëm të shkarkuar ose të dorëhequr gjatë qeverisjes së Ramës.

Mirëpo, si edhe në mandatet e të mëparshmëve, edhe gjatë kohës kur Çuçi ka mbajtur këtë post, janë shënuar ngjarje që kanë tronditur vendin.

Zhdukja e Ervis Martinajt

Zhdukja e Ervis Martinajt që nga gushti i vitit të kaluar është një ndër ngjarjet më të përfolura ende në vend.

Nuk ka ende asnjë gjurmë nga “mbreti i lojërave të fatit”, teksa zhdukja e tij u pasua me atentate dhe krime të rënda. Edhe pse u la afat për gjetjen e tij, kur Muhamet Rrumbyullaku u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë, duket se përpjekjet nuk kanë pasur sukses.

Masakra e Fushë Krujës

Zhdukjes së Ervis Martinajt i parapriu një ngjarje e rëndë që përfshinte familjarët të tij. Djali i xhaxhait të Ervis Martinaj, Brilant Martinaj, u vra në një atentat në mbikalimin e Fushë Krujës në korrik të vitit të kaluar. Viktima mbetën edhe Diklen Vata e Besmir Hoxha. Ende nuk ka një përgjegjës para drejtësisë për ngjarjen.

Vdekja e Lear Kurtit në duart e policisë

32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë pasi u shoqërua në polici në tetor të vitit të kaluar. Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës. Nga familjarë dhe të afërm të të riut, nuk kanë munguar akuzat e vazhdueshme se ndaj Learit u ushtrua dhunë nga policia.

Vrasja e Joniada Avdias nga polici Arjan Tase

Vera e kaluar u trondit nga një ngjarje e rëndë. Në plazhin e Potamit në Himarë, polici Arjan Tase vrau me skaf 7-vjeçaren Joniada Avdia. Kur ndodhi ngjarja Tase mbante detyrën e shefit të policimit në komunitet në policinë e Elbasanit.

Më parë ai ishte shkarkuar nga detyra, por i kishte shpëtuar drejtësisë, pasi akuzohej se gjatë kohës kur mbante detyrë në policinë e Vlorës, favorizoi kultivimin e kanabisit.

Atentati në Don Bosko

Në mars të këtij viti, një ngjarje tjetër e rëndë u shënua në kryeqytet. Në një atentat në lokalin e Fatjon Muratit në zonën e “Don Boskos” mbeti e vrarë banakierja që punonte aty, Mimoza Paja. Ngjarja ndodhi në sy të mbesës së saj 10-vjeçare, e cila mbeti e plagosur. Të plagosur mbetën gjithashtu Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku dhe Genc Shohalli. Ende asnjë i dënuar për ngjarjen.

Masakrat e Dan Hutrës

Marsi i këtij viti hyri i zi, pasi që në ditën e parë u shënuan tre viktima, me të njëjtin autor.

Dan Hutra, pasi plagosi të dashurën e tij Marjana Gurakuqi, u end i lirë për të vrarëish-partneren e tij Elena Hysa dhe nënën e saj Kujtime Hysa, 60 vjeçe dhe kunatën e saj Elena Hysa. Të plagosura mbetën Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Ai u end sërish i lirë për të vrarë më pas Etleva Kurtin, motra e Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte në burg.

Janë këto disa nga ngjarjet më të bujshme që kanë shoqëruar mandatin e Çucit, teksa nuk kanë munguar edhe atentate e skandale të tjera, me ngjarjet e ditëve të fundit që i vunë vulën shkarkimit të tij.