Gratë më të fuqishme të botës së biznesit...
Pëlqej
Financial Times
Klasifikimi i menaxhereve, i stiluar çdo vit nga e përditshmja financiare angleze, “Financial Times”, tregon për ngjitjen gjithmonë e më të shpejtë të indianeve, kinezeve dhe amerikaneve.

Indra Nooyi, administratore e deleguar e kompanisë “Pepsi”, konfirmohet gruaja më e fuqishme në botën e biznesit, e ndjekur nga Andrea Jung e grupit të produkteve kozmetike “Avon”. Pas tyre renditen turkja Guler Sabanci e “Sabanci Group” dhe Irene Rosenfeld e “Kraft Foods”. Në top-listën që hartohet çdo vit nga “Financial Times”, Azia dhe ShBA konfirmohen si vende të jashtëzakonshme për “ngjitjen” e grave biznesmene. E vetmja italiane në listën e 50 të parave është Emma Marcegaglia, numri një i grupit “Marcegaglia” dhe presidentja e konfindustrisë italiane, që renditet në vendin e 29-të. Tre italiane të tjera shfaqen në listën alternative të femrave menaxhere të kompanive të mëdha, por që nuk kanë detyrën e drejtuesit. Bëhet fjalë për Daniela Ricardi-n, administratoren e deleguar të “Diesel”; Monica Mondardini-n të grupit editorial “L'Espresso” dhe Patrizia Grieco të “Olivetti”-t. Italia, sipas asaj që shkruan “Financial Times”, është pas Gjermanisë, vendi që u ofron më pak hapësirë grave menaxhere në krye të kompanive gjigande. “Gjithmonë e më shumë gra ulen sot në këshillat administrativë të kompanive të të gjithë botës. Duke parë pengesat që shumë prej tyre u është dashur për të arritur pozicione të rëndësishme dhe duke parë diferencën që prania e tyre po bën në botën e biznesit, vetëm suksesi i tyre është motiv për t’u festuar. Në të njëjtën kohë, rëndësia e tyre ushqen aspiratat e miliona grave dhe vajzave që e shohin veten si lidere të së ardhmes”, shkruan “Financial Times”. “Gjithsesi, shton e përditshmja britanike, duhet të kemi parasysh se në këtë botë që dominohet nga meshkujt në postet drejtuese, administratoret e deleguara të listës sonë përfaqësojnë një pakicë avangardë”.

E vetmja italiane, Emma Marcegaglia, është njëkohësisht edhe e para grua që mban detyrën e presidentes së konfindustrisë në 100 vitet e krijimit. Ajo ka qenë një nga kritikueset më të mëdha të qeverisë “Berluskoni”, që ka kërkuar reforma politike dhe ekonomike. Pothuajse të gjitha gratë e listës, shton “Financial Times”, tregojnë se aftësia më e madhe menaxheriale qëndron në zgjedhjen e personave të duhur. Për më tepër, “Financial Times” vë në dukjen “ngjitjen” gjithmonë e më lart të Kinës me Dong Mingzhu të “Gree Electric”, të pozicionuar në vendin e pestë; Cheung Yan e “Nine Dragons Papar” në vendin e nëntë dhe Wu Yajun, një nga gratë më të fuqishme të Kinës, në vendin e 47-të. 50 gratë janë zgjedhur në bazë të kohëzgjatjes dhe rezultateve të arritura në punën e tyre. Gjykimi është dhënë duke mbajtur parasysh faktorë të ndryshëm, mes të cilëve të dhënat biografike, madhësinë dhe kompleksitetin e kompanisë, përveçse shpirtin luftarak të garës.

3-shja e podit Indra Nooyi
Në kompaninë “Pepsi” është ajo që thotë fjalën e fundit. Kur ishte e vogël thoshte çdo mbrëmje se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej. Ishte e ëma që e detyronte të bënte diçka të tillë. Në garë ishte edhe motra e saj dhe mamaja në fund u jepte si shpërblim nga një copë çokollatë. Për Indra Nooyi-n ai çmim “përfaqësonte” një copëz besimi. Kur ishte studente, Indra, me origjinë indiane, ishte liderja e një grupi të muzikës rrok. Grumbulloi lekët pak nga pak dhe u transferua në ShBA, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Yales.

Emri Indra Nooyi është sinonim i suksesit. Ishte pikërisht ajo që drejtoi një kompani si “Pepsi” gjatë një prej periudhave më të vështira të historisë, falë shpirtit të iniciativës, guximit për të përballuar rrezikun dhe përgjegjësisë në zgjedhjet e saj. Por emri i saj është edhe sinonim i humanizmit dhe “vlerave autentike”, siç shkruan një gazetë indiane. Falë këtij kombinimi është bërë një shembull në Indi, si për gratë, ashtu edhe për burrat.

Andrea Jung
E ashpër me veten dhe e sjellshme me të tjerët. Kjo është Andrea Jung e “Avon”-it. Këshilla më e mirë që ka marrë ndonjëherë ka qenë: “Mendo sikur të largojnë nga puna, por gjej gjithë energjinë për të rifilluar”. Këtë i kishte thënë një miku i saj kur “Avon” po kalonte një periudhë krize. “Të gjithë të duan, por nëse nuk ndryshon situatën, mund të të largojnë nga puna. Vepro sikur të kanë pushuar nga puna dhe kthehu sikur të kanë thirrur me përgjegjësinë për të shpëtuar kompaninë”, janë fjalët që zonja Jung i mban mend mirë që nga viti 2005, kur ia thanë. Në fakt, kur Andrea Jung nisi të punonte shumë, kompania filloi sërish ta merrte veten. Iu desh të luftonte dhe të mendonte mirë për shumë situata, tregon ajo. Jeta e saj nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, ambicia e ka bërë që të ecë kaq larg: me origjinë kineze, Andrea u diplomua shkëlqyeshëm në Universitetin e Princeton. Në fillim ishte një nga më të rejat e kompanisë. Për pesë herë radhazi “Forbes” e ka renditur Jung mes 50 grave më të fuqishme të botës.

Guler Sabanci
Guler cilësohet si gruaja e rekordeve, që njihet nga e gjithë bota. Është administratorja e deleguar e “Sabanci Group”, aglomerati i dytë industrial dhe financiar më i madh në Turqi. Rreth 48 mijë punëtorë dhe 70 shoqëri që mbulojnë fusha të ndryshme të biznesit: nga bankat te makinat, nga tekstilet te hotelet. “Perandoria” e nisur nga gjyshi i Guler, Haci Omer Sabanci, nisi me një kompani të vogël pambuku të ngritur me paratë e fituara në plantacionet e pambukut. Që atëherë, nga një vit në tjetrin “Sabanci Grup” është rritur me hapa gjigandë. E lindur në vitin 1955 në Stamboll, Guler Sabanci ka studiuar në “TED Ankara College” dhe më vonë u diplomua për administrim biznesi në Universitetin Boğaziçi të Stambollit.
Shtuar më 19/11/2010, ora 14:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori