Supozohej të ishte mjet për botën e krimit, por si ra në duart e FBI-së?

Aplikacioni ANoM supozohej të ishte mjeti i padepërtueshëm i komunikimit i botës së krimit, një hapësirë dixhitael e sigurt për të komplotuar krime duke filluar nga trafiku i drogës deri te vrasjet, por për gati 3 vjet, ky aplikacion i koduar i përdorur nga kriminelët u monitorua fshehurazi nga FBI dhe Policia Federale e Australisë (AFP) – duke çuar në qindra arrestime dhe dhjetëra miliona dollarë kapje të pasurisë.

Në një deklaratë, AFP tha se ajo dhe FBI-ja kishin lexuar komunikimet klandestine të kriminelëve që nga viti 2018 në aplikacionin ANoM – një produkt i tregut të zi i arritshëm vetëm në celularë të përgatitur posaçërisht për të. Sipas AFP, inteligjenca e mbledhur nga mesazhet e deshifruara çoi në arrestimin e 224 të dyshuarve për më shumë se 500 akuza dhe sekuestrimin e 3.7 tonë drogë dhe gati 35 milionë dollarë në para gjatë tre viteve të fundit në Australi.

Një numër i të akuzuarve thuhet se janë të lidhur me mafian italiane me bazë në Australi, banda të jashtëligjshme motorësh, sindikata aziatike të krimit dhe krim të organizuar shqiptar, shtoi AFP.

“Operacioni Ironside”, siç u quajt hetimi, filloi tre vjet më parë si një bashkëpunim midis disa agjensive globale të zbatimit të ligjit, duke përfshirë FBI, AFP, policinë e Zelandës së Re dhe Europol-in. Në një konferencë shtypi, komisioneri i AFP, Reece Kershaw, tha se komplotet e shumta kriminale u zbuluan gjithashtu falë aksesit në aplikacion. ANoM mund të gjendej vetëm në telefonat e blerë përmes tregut të zi, të cilit u ishte hequr aftësia për të bërë thirrje ose për të dërguar email. Telefonat mund të dërgonin mesazhe vetëm në një pajisje tjetër që kishte aplikacionin dhe kriminelët duhej të njihnin një kriminel tjetër për të marrë një pajisje.

“Pajisjet qarkulluan në mënyrë organike dhe u rritën në popullaritet midis kriminelëve, të cilët ishin të sigurt për legjitimitetin e aplikacionit sepse figurat e profilit të lartë të krimit të organizuar garantuan për integritetin e saj”, tha deklarata e AFP.

FBI kishte qasje në aplikacion dhe komunikimet e tij, të cilat organizata më pas i përdori për të mbledhur informacione për operacionet kriminale. Kershaw tha se kriminelët nuk përdorën shumë kode ose pseudonime në ANoM, duke diskutuar me besimin e gabuar se komunikimi i tyre ishte i sigurt.

“Në thelb, ne kemi qenë pranë krimit të organizuar në një mënyrë që nuk e kemi parë kurrë”, u shpreh Kershaw.

AFP tha se priten arrestime të tjera, edhe përtej Australisë. Kershaw shtoi se kishte aplikacione të tjera, më të mëdha të komunikimit të koduar, me të cilat policia po punonte për të fituar aksesin.


Shtuar 8.06.2021 10:44