Përbindëshi në mes të Tiranës, Gazetarja zbulon shkeljen: Vetëm kjo mjafton për revokimin e lejes

“Përbindëshi” që do të ndërtohet në mes të kryeqytetit apo ndryshe “Mount of Tirana”, është tema e nxehtë e ditëve të fundit e cila ka sjellë sërish reagimin e qytetarëve, por këtë herë jo vetëm për zënien e një tjetër hapësire publike, por edhe për heshtjen e opozitës.

Gazetarja Ola Xama, me anë të një statusi në rrjetet sociale thekson se ka një mundësi shumë të madhe që sheshi mes nëntkateshve dhe TOB të mbetet i qytetarëve, dhe kjo pa ndonjë kosto shumë të madhe në buxhetin e shtetit.

Siaps saj mjaftojnë 10 milionë euro për të dëmshpërblyer pronarët dhe revokimi i lejes së ndërtimit do të ishte shumë më i thjeshtë, pasi parësore për një shtet mbeten gjithmonë interesat e qytetarëve.

Postimi Xamës:

Argumenti i inceneratorëve si “dhëmballa e Majkos”.

Prej disa ditësh është ngritur një debat i madh në lidhje me një kullë që do të pushtojë atë pak horizont ku mund të dalloje qiellin dhe të kuptoje se nuk ishte në ndonjë realitet virtual por në qendrën e një qyteti europian.

Rrethimi për të hapur gropën e vjetër të “Hajdin Sejdisë” filloi për ironi të fatit disa ditë pasi Tirana kishte kaluar temperatura mbi 40 gradë Celsius, ku edhe më modernët apo kulledashësit e kuptuan mungesen e hijeve dhe bimëve.

Debati kryesor që po zhvillohet për ndërtimin e kullës 65 kate ka ndarë qytetarët në 3 grupe: ata që e mbështetin kullën dhe kanë dhënë lejen, ata duan që parku të qëndrojë lulishte dhe akuzojnë opozitën të kapur nga investitori dhe opozita që nuk reagoi sepse thotë se ka frikë shpërqëndrimin e vëmendjes nga çështja e inceneratorëve.

Le t’i marrim gjërat me radhë. A ka mundësi që parku në sheshin e TOKB të mbetet lulishte? Mundësia ligjore ka qënë dhe është si përpara dhënies së lejes edhe sot. Në çdo rast, për interes publik qeveria mund të shpronësojë pronarët. Analogjitë janë të pafundme jo vetëm me shpronësimet e pronarëve por dhe familjeve me fëmijë që kanë mbetur në rrugë. Në disa raste qëllimet kanë qënë dhe në mbrojtje të interesave privatë, ndaj dhurimi i një sipërfaqe të gjelbër kryeqytetasve nuk ka në vetvete asnjë mëkat. Pra, po të ketë vullnet shpronësimi bëhet.

Sa e mundur është nga ana financiare që toka të lihet lulishte? Fatura financiare nuk do të kalonte vlerën 10 milion euro nëse shpronësimi do të bëhej për tokën (madje me vlerë tregu) përpara se të jepej leja. Me çmimin e hartës së tokës nuk do të kalonte vlerën 4 milion euro. Personalisht mendoj se nga pikëpamja e interesit publik ia vlen të shpenzohen këto para. Do të ketë nje lulishte për të moshuar, fëmijë e të rinj që mund të kthehet dhe në një hapësirë multifunksionale për të nxitur modelet e bizneseve të vogla të familjeve artizanale që shesin aty apo dhe zhvillimin e eventeve kulturore.

Fitim të munguar investitori nuk do të mund të kërkonte nëse leja e re nuk do të jepej, kjo për arsyen e thjeshtë sepse leja e parë e gropës së “Hajdin Sejdisë” nuk është respektuar dhe pala private ka qënë në shkelje. Po ashtu, përpara se privati të kërkojë të drejtën në gjykatë ndërkombëtare, duhet të kalojë njëherë hallkat e gjyqësorit në vend sepse nuk ka marrëveshje paraprake ku bihet dakord që ankimimi të bëhet në një juridiksion tjetër. Çështja mund të zgjidhej dhe me marrëveshje me pronarët duke i dhënë vlerë tregu, por kjo as nuk është tentuar sepse modeli i zhvillimit të atyre që na qeverisin është për të ndërtuar kulla. Dhe këtu përgjegjësinë e ka kryeministri si kryetar i KKT dhe Bashkia Tiranë që ka zbadhur lejen.

Tani pjesa tjetër që kërkon përgjigje ka të bëjë se çfarë faji ka në këtë mes opozita? Lajmet që po qarkullojnë me akuza për lidhje interesash financiarë mes familjarëve të kryetarit të PD të Rithemelimit pa ndonjë dokument që e vërteton këtë lidhje nuk janë të besueshme. Personalisht një shkrim të tillë pa asnjë fakt e provë nuk do ta publikoja. Opozita këtu është në të drejtën e saj të kërkojë “barrën e provës”.

Por pyetja që ngrihet pas kësaj më shumë se sa akuza e përfshirjes së saj në biznesin e kullave është nëse e meriton emrin Opozitë?  A po i shërben interesit publik dhe qytetarëve të kryeqytetit? A po mbron mijra vota që qytetarët e Tiranës dhe pse nuk e nxorrën fituese i besuan asaj? Çfarë po bën që të bindë më shumë në vitin 2025?

Argumenti se kën vëmendja nga inceneratorët është i njëjtë me atë të “dhëmballës së Majkos”! Te inceneratorët e gjithë opozita ( PD e vulës, Rithemelimi dhe LSI), kanë bërë një punë të mirë në mbrojtje të interesit publik. Por halli i shqiptarëve nuk janë vetëm mbetjet dhe shpëtimi i miliona eurove të inceneratorëve. Shqiptarët kanë dhe hallin e rritjes së taksave, sigurimit të detyrueshëm të pronës, hapësirës së munguar të gjelbër, cilësisë së ajrit apo pyetjes së përditshme ku do e çoj sot fëmijën?

Nëse ka protest, reagim dhe OPOZITË , leja për kullën mund të revokohet! Pronarët të shpronësohen (për mua me vlerë tregu) dhe qytetarët të fitojnë! Kusht për dhënien e lejes së ndërtimit është konsultimi publik me banorët dhe me aq sa jam në dijeni për kullën 205 metra ky detyrim nuk është zbatuar. Nuk është pyetur kush as nga njësia 2 (ku jam banore vetë) dhe as nga lagjja aty pranë (ku banojnë të afërm të mi). Vetëm ky shkak mund të ishte arsye e mjaftueshme që një gjykatë të revoktonte lejen.

Tani unë nga opozita pres që ta marrë këtë çështje dhe ta çojë në gjykatë. Ose përndryshe të shprehet pro kullave dhe të mos flasë më për pastrimin e parave në ndërtim. Ose i pastrojnë të gjithë “”kullaxhinjtë”, edhe ata te liqeni, ata në qendër, në ish-Bllok apo ish-Ekspozita, ose asnjëri.

Në 2025-n pastaj zgjedhësit prapë do të pyesin: a vjen ndryshimi nga këta apo ta mbaj vendin e punës që kam në administratë? Dhe vitet e fundit e kanë treguar që nuk bien martirë që të “ndryshojë dora” e atij që pasurohet në kurriz të interesit publik!


Shtuar 8.08.2023 18:45