Rama flet pas takimit me liderët e BP dhe komisionerin Varhelyi: BE po përgatit një plan për të na mbështetur financiarisht

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim informal liderët e Ballkanit Perëndimor dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, në kuadër të përgatitjeve që po bëhen për Samitin e Procesit të Berlinit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ishte i pranishëm.

Pas përfundimit të takimit, i cili zgjati 4 orë, Edi Rama në një komunikim për mediet ka ndarë detaje nga ajo që u diskutua sot.

Rama: Prej disa kohësh ne jemi në përpjekje për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të pandemisë, konfliktit në Ukrainë që kanë bërë që BE të shpërndajë fonde shumë të konsiderueshme mbështetje për vendet anëtare dhe kjo e ka zgjedhur hendekun.

Rama tha se janë përpjekur që të krijojnë një qasje tjetër, që do të thotë se paralelisht me procesin e negociatave të kemi një mbështetje ekstra dhe ekonomike për vendet e BP.

Rama: Kjo është dicka që ka filluar të formësohet dhe plani i një mbështejtje financiare dhe ekonomike është duke u përgatitur. Për këtë ishim me komisionerin, për të biseduar dhe ndarë mendime se si BP mund të mbështet më shumë financiarisht dhe se si vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’i hapen më shumë shtigje në tregun e bashkuar evropian pa pritur që të anëtarëson ne BE.

Procesi i Berlinit

Procesi i Berlinit u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon. Samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023. /Albeu.com./


Shtuar 17.07.2023 17:20

Tags: