Pikat e forta dhe të dobëta të Volodymyr Zelenskyy

Nga Jamie Dettmer “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë javëve të para të pushtimit të Rusisë, politikanë të lartë të opozitës ukrainase dhe ish-ministra ishin shumë të zhgënjyer. Ata po i kërkonin presidentit Volodymyr Zelenskyy të takohej me ta, diçka që ai nuk e kishte bërë që nga zgjedhja e tij me një shumicë dërrmuese gati 2 vjet më parë.

Po ashtu, ata i kërkonin atij që të rriste fondet për forcat e armatosura të vendit, dhe të thërriste nën armë rezervistët e Ukrainës sidomos kur u shtuan paralajmërimet e Amerikës për një pushtim nga Rusia, një skenar që Zelenskyy e konsideronte ende të pamundur. Ata donin një planifikim të detajuar mbi zhvillimin e luftës, duke përfshirë hartimin dhe publikimin e urdhrave të mbrojtjes civile, në mënyrë që njerëzit të dinin se çfarë të bënin kur të nisnin të gjëmonin armët.

“Ukraina ka në krye një udhëheqës kombëtar që nuk mendon në mënyrë strategjike. Unë mendoj se kjo është gjëja për të cilën ai do të fajësohet më vonë. Nuk po them që ai duhet të dijë gjithçka. Gabimi i tij ka të bëjë me refuzimin e të pasurit në rrethin e tij të ngushtë të ekspertëve që e dinë së çfarë pyetjesh të bëjnë, dhe të pasurit e këshilltarëve që mund të kundërshtojnë dhe sfidojnë, dhe ne mund të paguajmë një kosto të lartë për këtë”- më tha 5 ditë para pushtimit Lesia Vasylenko, një deputete e partisë liberale dhe pro-evropiane Holos.

Natyrisht, gabimet e Zelenskyy – siç i shohin Vasylenko dhe shumë ligjvënës të tjerë të opozitës – janë falur, por nuk janë harruar. Dhe këto gabime përbëjnë edhe bazën e shqetësimeve të tyre mbi Ukrainën e pasluftës. Ata shohin një model që do të bëhet edhe më shqetësues kur të mbarojnë luftimet, duke argumentuar se pikat e forta të presidentit si një lider me zemër luani në kohën e luftës nuk janë të përshtatshme për në kohë paqeje.

Lufta nuk ka bërë asgjë për ta zbutur padurimin e Zelenskyy me kompleksitetet qeverisëse apo me institucionet që nuk lëvizin aq shpejt sa do të donte ai apo që të jenë shumë shpejt në një linjë me të. Ai preferon në çdo rast tablonë e madhe, i shpërfill detajet dhe i pëlqen të mbështetet në një rreth të ngushtë miqsh të besuar.

Por ndërsa komediani i kthyer në president po lavdërohet tani – madje edhe adhurohet si një hero – nga një Perëndim i habitur nga retorika e tij frymëzuese e kohës së luftës, oratoria magjepsëse dhe aftësia për të fituar zemrat e audiencës nga Uashingtoni në Londër dhe Brukseli në Varshavë, Zelenskyy “ngeci në klasë” si president para pushtimit të Rusisë.

Shumë pak njerëz mendonin se ai do të rizgjidhej për një mandat të dytë në vitin 2024, pasi popullariteti i tij në sondazhe po binte – ishte vetëm 31 për qind në fundin e vitit 2021. Ai kishte premtuar shumë por kishte arritur pak.

“Ukraina ka dy probleme kryesore: lufta në Donbas dhe frikën e njerëzve që investojnë në vend”- deklaroi Zelenskyy menjëherë pas fitores së tij në zgjedhje. Por lufta e tij kundër korrupsionit ngeci shumë shpejt në vend, ndërsa premtimi i tij për të zgjidhur problemin e Donbasit nuk prodhoi asnjë rezultat konkret pozitiv.

Dhe nisur nga gatishmëria e tij e hershme për të arritur një marrëveshje paqeje me presidentin rus Vladimir Putin, që refuzoi vazhdimisht të ulej në një tryezë më të, disa e kritikuan Zelenskyy se po mbivlerësonte fuqinë e tij bindëse dhe karizmën e tij. “Ai mendonte se paqja do të ishte e lehtë për t’u arritur, sepse gjithçka që duhej ishte ta ‘shihte në sy Putinin’ dhe të bisedonte sinqerisht me të”- deklaroi deputeti ukrainas Mykola Kniazhytskyi.

“Ai u bë president pa asnjë përvojë politike apo në menaxhimin e strukturave shtetërore. Ai mendonte se drejtimi i një shteti është shumë i thjeshtë. Ti merr vendime dhe ato duhet të zbatohen. Dhe kur gjërat shkonin keq, reagimi i tij ishte gjithmonë: është faji i paraardhësve, të cilët duhet të burgosen”- shton me tej Kniazhytskyi.

Megjithatë, transformimi i Zelenskyy nga një udhëheqës zhgënjyes në kohë paqeje sipas fjalëve hiperbolike të intelektualit francez Bernard-Henri Lévy në “një baba i ri themelues të mrekullueshëm të botës së lirë”, ka qenë befasues. Madje edhe kritikët e tij në Ukrainë e lavdërojnë për pikat e tij të forta si një komunikues i shkëlqyer.

Fjalimet e tij të përditshme drejtuar ukrainasve i kanë motivuar ata, u kanë dhënë orientim dhe u kanë rritur moralin. Gjithashtu, ata e pranojnë se ai ka të ngjarë që e shpëtoi vendin kur e refuzoi ofertën e Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken për t`u evuakuar nga Kievi.

“Ai është shndërruar në një udhëheqës shumë bindës”- thotë Adrian Karatnycky, anëtar në think-tankun “Atlantic Council” dhe autor i librit “Fushëbeteja e Ukrainës: Nga pavarësia tek lufta e Rusisë”. Sipas Karatnycky, pikat e forta të Zelenskyy si komunikues i përshtaten situatës.

“Ai është i aftë në kanalizimin e opinionit publik, dhe është më efektiv sepse vendi është sot shumë më i bashkuar dhe më i sigurt për identitetin, interesat dhe objektivat e tij. Ai është ende i njëjti njeri – një aktor komik – por pikërisht kjo e bën atë një udhëheqës ideal lufte, sepse ai është në gjendje të mishërojë shpirtin e opinionit publik”- shtoi ai.

Por në një politikë në kushte normale dhe kur publiku nuk është i bashkuar, Zelenskyy është një udhëheqës i paqëndrueshëm që e ndryshon skenarin dhe e riformulon historinë për t’iu përshtatur tekave të opinionit publik. “Kur synimi i publikut është i qartë, ai ka një forcë të madhe, dhe në kohë lufte, ai ka pas vetes pushtetin absolut të shtetit. Por kur gjërat të rikthehen në normalitet, ai do të duhet të përballet me një botë shumë ndryshe”- përfundon Karatnycky.

Dhe kjo botë nuk është zhdukur plotësisht. Kritikat e brendshme politike po shtohen – edhe pse pak është vënë re kjo gjë nga një media ndërkombëtare ende e magjepsur nga tërheqja karizmatike e Zelenskyy por edhe nga historia e “Davidit kundër Goliatit”.

Ndërkohë në Verkhovna Rada – parlamenti i vendit – po rritet zhgënjimi, dhe ligjvënësit po ankohen se po anashkalohen nga një qeveri që para luftës e kishte bezdi të mbikëqyrej nga legjislativi, të cilin tani ai e shmang pothuajse tërësisht. Që nga pushtimi rus, Zelenskyy është takuar vetëm një herë me liderët kryesorë të opozitës, dhe kjo gati një vit më parë.

“Rutina e ministrave që merren në pyetje nga parlamenti është braktisur plotësisht”- thotë ligjvënësja e opozitës Ivanna Klympush-Tsintsadze, anëtare e partisë së Solidaritetit Evropian dhe ish zëvendëskryeministre në qeverinë e mëparshme të ish-presidentit Petro Poroshenko.

“Koha e luftës kërkon që vendimet urgjente të merren shpejt dhe me procedura të shkurtuara. Prandaj kjo është disi e kuptueshme. Por ne po shohim që vendimet janë gjithnjë e më të centralizuara dhe të përqendruara në më pak duar, dhe kjo gjë po ndikon në ekuilibrin e pushtetit politik dhe e dëmton sistemin e qeverisjes që po përpiqemi të zhvillojmë si dhe forcimin e institucioneve tona demokratike, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja për konvergjencën”- shton ajo.

Klympush-Tsintsadze është e shqetësuar se vala e fundit e arrestimeve kundër korrupsionit ishte më shumë një lëvizje konfuze për të manipuluar lidershipin evropian në prag të samitit BE-Ukrainë në fillim të shkurtit, dhe mund të përdoret si një mundësi për ta centralizuar akoma më tej pushtetin.

“Në rast se dikush mendon që centralizimi i pushtetit është përgjigja ndaj sfidave tona, e ka gabim. Unë mendoj se është e rëndësishme të shihet nga afër se si zhvillohen gjyqet kundër korrupsionit, nëse do të ketë hetime transparente dhe nëse do të respektohet si duhet sundimi i ligjit”- thekson ajo.

Ndërkaq Kniazhytskyi, thotë se nuk duhet të harrojmë faktin se Zelenskyy është një politikan populist, që ndan të metat tipike të personaliteve të tilla. Por ajo që e gëzon ligjvënësin e opozitës është mënyra se si shoqëria civile ukrainase ka lulëzuar gjatë luftës, se si është forcuar vetëqeverisja lokale për shkak të vullnetarizmit dhe ndihmës reciproke gjatë kohës së luftës dhe se si kanë funksionuar disa organe shtetërore, veçanërisht, hekurudhat dhe sektori energjetik. Është kjo – së bashku me një ndjenjë të fortë përkatësie kombëtare të farkëtuar nga konflikti – që do të formojë themelin e një Ukraine të fortë të pasluftës, tha ai.  /albeu.com

 

 


Shtuar 28.02.2023 11:35

Tags: