Socialistët ia thonë në sy Sandër Lleshaj, kritika e ashpër e Damian Gjiknurit

Ministri Sandër Lleshaj ka marrë kritikën e dytë në lidhje me aksionet e IKMT nga brenda “familjes” së tij.

Ish-ministri Damian Gjiknuri mendon si kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në lidhje me aksionin e IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.

Teksa kanë zhvilluar një takim me kryebashkiakët e bregdetit të jugut të vendit, Gjiknuri tha se duhet një informim i strukturave lokale në momentin kur IKMT planifikon të prishë strukturat pa leje në breg në të mirë të turizmit dhe menaxhimit të territorit.

“Ka një kërkesë nga Saranda, më saktë qarku Vlorë. Unë e di që shpeshherë vihen në aksion për prishjen. Po bëni koordinim për strukturat lokale. Marrë rastin e disa ditëve më parë, për prishjen e disa bizneseve.

Nga kjo anë duhet koordinim, se nga ana qytetarëve duhet kjo. Normal që ka ankesa si ndodhi për lungomaren, por bashkëpunimi duhet, se krijohet shqetësim për pushuesit në këtë periudhë sezoni.

Natyrisht që të tjerat ju i dini, po doja t’i nxirrja në pah”, tha Gjiknuri.

Të njëjtën gjë kërkoi para disa ditësh edhe Ndreu, por u përball me reagimin e ministrit Lleshaj se IKMT nuk do t’i jepte llogari askujt përveç se ligjit duke vepruar sipas parashikimeve të tij.


Shtuar 20.06.2020 15:50