Hoti: Me Serbinë flasim vetëm për njohje reciproke

Tashmë është konfirmuar se kryeministri i Republikës, Avdullah Hoti me vete në Shtëpinë e Bardhë, në takimin me palën serbe, do t’i marrë edhe dy Zëvendëskryeministra, tre ministra dhe Koordinatorin e Dialogut Skender Hysenin. Me ekipin e Kosovës në Uashington udhëton edhe Shefja e Kabinetit të Kryeministrit, Ardita Dushi.

Kryeministri Hoti ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Ai tha se çdo gjë që bisedohet me Serbinë është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

“Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës. Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik”, ka shkruar kryeministri Hoti.

Nisur nga kjo, Hoti ka thënë se nuk do të hezitojë të dialogojë. Ai ka bërë një ftesë edhe për forcat tjera politike.

“Prandaj, i ftoj forcat politike në Kosovës, pozitë dhe opozitë, të jemi të unifikuar në këtë proces. Gara politike në mes nesh, që duhet të jetë demokratike dhe mbi baza të kushtetutës, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera”, ka shkruar Hoti.

Takimi Kosovë-Serbi në Washington ishte caktuar për 2 shtator por u shty për dy ditë pasi duhej përshtatur agjendës së Presidentit Donald Trump, i cili mund të bëhet pjesë e takimit nëse palët arrijnë ndonjë marrëveshje.

Sidoqoftë, disa prej temave që pritet të diskutohen atje kanë lidhje me ekonominë. Pritet të shtyhen projekte që kanë të bëjnë me autostradën për Serbi, hekurudhën për Shqipëri, gazin përmes Greqisë dhe projekte tjera që do të përkrahen nga SHBA’ja. Pjesë e një marrëveshje të mundshme mund të jetë edhe krijimi i një zone ekonomike amerikane ndërmjet dy vendeve.

Takimi i parë i paraparë më 27 shtator pati dështuar pasi u propozuar aktakuza ndaj njërit prej njerëzve kryesor të delegacionit të Kosovë që ishin nisur drejt Washingtonit. Tash, Presidenti Hashim Thaçi nuk është përfshirë fare ne proces dhe po pret se çka po vendoset në Hagë ku është selia e Gjykatës Speciale.

Opozita në Kosovë është e ndarë sa i përket dialogut. PDK e ka përkrahur takimin e Washingtonit por nuk ka marrë pjesë derisa Vetëvendosje ka kundërshtuar një udhëtim të tillë të udhëheqësve të Kosovës me arsyetimin se atje shkojnë njerëzit pa legjitimitet qytetar.

Ish-Kryeministri Albin Kurti ishte rrëzuar nga pozita e shefit të Qeverisë edhe për shkak se kishte refuzuar të shkonte në Amerikë për një marrëveshje me Serbinë. Kishte thënë se atje po qëndrojnë thikat mbi hartën e Kosovës, duke paralajmëruar se Kosova mund të ndahet nga një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.

Kosova dhe Serbia dialogojnë prej shkurtit të vitit 1999 kur nis Konferenca e Ramubujes, e cila prodhon marrëveshjen por që pala serbe nuk e kishte nënshkruar. Është zhvilluar edhe një raund bisedimesh në Vjenë, ku propozohet Pakoja e Ahtisaarit, e cila prapë s’pranohet nga Serbia ndërsa Kosovës i sjell Pavarësinë.

Procesi i tretë dialogues Kosovë-Serbi nis më 2011 në Bruksel dhe prodhon dhjetëra marrëveshje, shumica e të cilave nuk zbatohen.

Tash, pos në Bruksel, dialogu është zhvendosur edhe në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka thënë se nëse i kërkohet njohja atëherë nuk do të takohet me Donald Trumpin.


Shtuar 29.08.2020 18:14