21 fëmijë ukrainas të sëmurë me kancer dërgohen për trajtim në Angli

Një grup fëmijësh ukrainas me kancer janë dërguar në Angli për t’u kuruar, tha Sekretari britanik i Shëndetësisë. Sajid Javid tha se 21 fëmijëve do t’u ofrohet kujdesi më i mirë i mundshëm në spitalet anembanë vendit.

Fëmijët dhe anëtarët më të afërt të familjeve të tyre mbërritën me një fluturim urgjent të organizuar nga qeveria britanike të dielën, pas një lutjeje nga zyrtarët polakë.

Ata do të ekzaminohen nga mjekët përpara se të dërgohen në spitalet përkatëse.

“Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar po ofron kujdes mjekësor për jetën e këtyre fëmijëve ukrainas, të cilët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre nga pushtimi rus”, tha zoti Javid.

“Unë e di se personeli i jashtëzakonshëm në sistemin britanik të shëndetësisë do të bëjë që ata të marrin kujdesin më të mirë të mundshëm.”

Qeveria do të përcaktojë detajet e një skeme për të lejuar njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar të mirëpresin refugjatët ukrainas në shtëpinë e tyre më vonë – por një dispozitë e veçantë është bërë për grupin që ka nevojë për kujdes urgjent.

Qindra ukrainas e kanë ndërprrë kurimin e tyre mjekësor prej luftës, ndërkohë që forcat ruse kanë rrethuar qytetet dhe furnizimet e spitaleve janë tharë.

Shumë fëmijë janë evakuuar në Poloni, ku autoritetet kanë kërkuar ndihmë për t’u kujdesur për ta.

Një onkolog pediatrik në Poloni i tha BBC Neës se shumica e fëmijëve që mbërritën në spitalin polak ishin në një gjendje në rrezik për jetën.

Ata që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar do t’i nënshtrohen një vlerësimi për të kuptuar nevojat e tyre specifike shëndetësore përpara se të marrin trajtim në një spital të përshtatshëm NHS, tha Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social.

Departamenti shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka dërguar tashmë më shumë se 650,000 sende mjekësore në Ukrainë si pjesë e ndihmës së saj humanitare ndaj krizës.

Shtatë avionë kishin shkuar në rajon për të ofruar ndihma, duke përfshirë pako për kujdesin e plagëve, pajisje për kujdesin intensiv dhe ilaçe jetike, tha ai.

Shefja ekzekutive e NHS në Angli, Amanda Pritchard tha se NHS do të vazhdojë të punojë me ministrat për të siguruar si furnizimet e nevojshme ashtu edhe “trajtimin vendimtar” që u nevojitet fëmijëve.

“Kolegët në spitalet pediatrike në të gjithë vendin janë angazhuar për të ndihmuar këta fëmijë në orët e tyre më dramatike,” shtoi ajo.