Përpara me marsh indietro!

Nga Lutfi Dervishi

Nuk numërohen fjalimet, konferencat, seminaret, projektet, debatet, hetimet që janë bërë këto 30 e kusur vite në Shqipëri për çështjen e korrupsionit.

Por problemi po nuk u kap te rrënjët nuk zgjidhet kurrë. Ashtu sikundër dashi, për ta mposhtur kapet nga brirët edhe e keqja duhet parë/pikasur në gen.  Me kohën që po shpenzojmë duke u marrë me çështje të ditës ne po i ngjajmë njeriut që ka marrë shatin dhe prashit në det.

Studioni të shkuarën, nëse doni të keni një të ardhme të mirë – këshillon kinezi Konfuc, që në shqip i thonë Mësuesi.

Krimi dhe korrupsioni – ulërasin eskpertët e Brukselit dhe mjeshtrit në Tiranë.  Por a nuk do të ishte më mirë të hetonim psh origjinën e “kafesë”? A ka kjo lidhje me faktin që jemi vendi i dytë në botë për numrin e bar-kafeneve? A nuk është fjala “kafe” një fjalë kod. “Do të pimë një kafe?”. “Di gjë sa e ka kafen filani?” “ke edhe ti kafen tënde?”. Ja pra që këto punë janë pak më të thella se ç’duken.

Ne sot pa pikë përgjegjësie merremi me pallatet që ndërtohen pa leje në kullë, kur në të vërtetë energjitë tona duhet t’i kishim drejtuar gjetkë…Nëse ne hetojmë siç duhet, me drejtësi dhe profesionalizëm piramidat e Egjiptit, që ekzistojnë prej 15 mijë vjetësh jo vetëm mund të gjejmë rolin e shqiptarëve në projektimin dhe ndërtimin e tyre, por mund të ndriçojmë edhe veten për shkaqet e krizës së piramidave 25 vjet më parë edhe dashurinë e pamasë që kemi për ndërtimin në përgjithësi dhe betonin në veçanti. Piramidat u ndërtuan me tender te hapur, me negociim apo me PPP?

Kemi 30 vjet që themi: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe herë i ngjajmë breshkës që ecën mbrapsht dhe herë lepurit që vrapon në drejtim të kundërt. Do të ishim ku e ku më të qartë nëse do të fokusoheshim te hetimi i vrasjes së Jul çezarit më 15 mar të vitit 44 para Krishtit. Mund të duket kohë e humbur kot. Por jo. Dyshimet janë se krimi u krye nga një grup senatorësh, por asgjë nuk është e sigurtë. Ndoshta nga ky hetim mund të dalin se kush qëndron realisht prapa vrasjes, cilat kanë qenë motivet e vërteta? A ishte një komplot i financuar nga shqiptarët për të destabilizuar Romën? Dhe këtu hetimi mund të zgjerohet dhe kontekstualizohet. Rënia e Perandorisë Romake, është debatuar gjatë nga historianët nëpër shekuj, por prokurorët tanë të nderuar, mund të na shpjegojnë arsyet e vërteta të ngritjes dhe rënies së kësaj perandorie. Me këtë analizë ne do të jemi edhe më shumë të qartë nëse ja vlen të bëhemi pjesë e perandorisë së Bashkimit Europian. Përfundimisht i japim përgjigje pyetjeve: po bëjmë mirë që po zvarritemi apo duhet të zvarritemi pak më shumë? A ka rrezik të na fusin me zor në BE?

Pse duhet të vrasim mendjen kaq shumë për incineratorët sot, kur fare mirë mund të fokusohemi te legjenda e Rozafës? Kjo legjendë ka vetëm pak mijëra vjet, por nëse kuptojmë se kush saktësisht gënjeu i pari nga vëllezërit mund të kemi gjetur çelësin që shpjegon se pse “më parë se rregullat ne mësojmë hiletë”. Po, ja vlen edhe 50 vjet të hetohet me imtësi legjenda e Rozafës. Dhe të nxjerrim mësimet e duhura dhe të mos sakrifikojmë njerëz kot te afera e incineratorëve.

Shqipëria, vendi më i korruptuar në Europë, thotë një anketë e Transparency International dhe turren gazetarë, analistë, ekspertë dhe opozitarë a thua se zbuluan rrotën për herë të dytë. Po të hetohet dhe studiohet me kujdes sundimi i mbretit Agron- në kohën e paraardhësve tanë, ilirëve, akuza do të jetë e qartë si kristali: mbretërimi i Agronit karakterizohej nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Një hetim, ndoshta edhe me ndihmën e partnerëve, do të zbulojë shkaqet dhe kështu ne kuptojmë që kur flasim për korrupsionin asgjë të re nuk ka në këto troje.

“O diell që lind andej nga perëndon” – përsëritim si papagall nga mëngjesi në  mëngjes dhe habitemi pse liderët tanë vizitojnë më shpesh Stambollin se Brukselin. Po të hetohet me pa anësi beteja e madhe e Shkodrës, që ishte dhe përplasja më e madhe e Republikës së Venedikut me Perandorinë Osmane më shekullin e 15, sot do të ishim më të qartë.  Një qartësim i kësaj beteje, identifikimi i palëve, heronjve dhe sabotatorëve na ndihmon shumë për të qartësuar pozicionin tonë mes Perëndimit dhe Lindjes dhe për të përcaktuar hapat që do të ndërmarrim në të ardhmen.

Pse ne jemi këtu ku jemi e kemi të gatshëm justifikimin: “na la turku, 500 vjet prapa”.

A nuk është më mirë të studiojmë me kujdes pushtimin 500 vjeçar të Osmanëve. A nuk ja vlen të shpenzojmë 15-20 vjet për të kuptuar se ku i kemi rrënjët e së keqes. Të kuptojmë më mirë etimologjinë e fjalëve allishverish, badjava, batakçi, bakshish, dallaverexhi, kapar, kodosh, marifetçi,  korrupsion,, peshqesh, pizeveng,  rryshfet, veresie, qyl, qelepir, qerrata? Sa e vërtetë është ajo shkruan Konica se turqit thonë për ne: “shqiptari shkon me qef në ferr, po t’i thuhet se edhe atje të paguajnë”

Pa kuptuar të shkuarën, ne do të vijojmë të humbasin të tashmen dhe e ardhmja jonë  do t’i ngjajë tabelës së famshme në dyqan: “Sot me pagesë, nesër veresie”. E nesërmja nuk do të vijë kurrë.

Nuk thonë kot: E shkuara nuk vdes kurrë, madje as nuk është e shkuar” dhe mos të harrojmë porosinë e lashtë sa vetë korrupsioni: “Ata që nuk kujtohen për të shkuarën janë të detyruar që ta përsërisin atë.”

Ne po bëjmë atë që kemi bërë në shekuj e mijëvjeçar.


Shtuar 21.02.2023 18:25