“Edhe ne kemi ngrënë ndonjë grusht”, flet bashkëjetuesja e autorit që vrau vëllain dhe kunatën: I ndjeri kishte temperament të vështirë

Bashkëjetuesja e Arsen Muskurtit, autorit të vrasjes së 2-fishtë që ekzekutoi të vëllanë dhe kunatën pak ditë më parë, ka folur ngjarjen e rëndë dhe konfliktet brenda familjes.

Erisa Haspepa tha në një telefonatë me Euronews Albania se dy vëllezërit kishin pasur vazhdimisht debate dhe konflikte me njëri tjetrin që ishin përshkallëzuar deri në përplasje fizike.

Sipas saj, viktima kishte temperament të vështirë dhe kërcënonte partnerin e saj ndërsa shtoi se edhe bashkëshortja e tij ishte mjaft konfliktuale.

“Kemi pasur vazhdimisht konflikte, prej 5-6 vjetësh. Gjithmonë kishte konflikte. Por që do të arrinte deri këtu s’ma merrte mendja. Një herë kërcënoheshin, pastaj rriheshin, i ndjeri kishte një temperament shumë të vështirë, e kërcënonte vazhdimisht.

Im shoq ka qenë më i qetë, por mesa duket edhe qetësia ka një limit. Edhe ne gratë kemi ngrënë ndonjë grusht kur jemi futur në mes të sherrit të vëllezërve. Edhe viktima, bashkëshortja ka qenë shumë konfliktuale”, u shpreh ajo.