Zbulohet parcela me kanabis, arrestohet “pronari” në Mat, nën hetim kryeplaku

Njoftim policie

Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i një rasti kultivimi.

Procedohet në gjendje të lirë kryetari i fshatit, për ‘Shpërdorim detyre’Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Klos, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit dhe si rezultat kanë arrestuar në flagrancë shtetasin: H. E., banues në Klos. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi I. E, me detyrë kryetar i fshatit Gurrë e Vogël, Klos.

Gjatë kontrollit të territorit, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Gurrë e Vogël, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar disa bimë të dyshuar narkotike canabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi i arrestuar është autorë i kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Shtuar 14.08.2022 12:30