U arrestua për hedhjen në erë të hotelit në Sarandë, 36-vjeçari mohon akuzën: Nuk kam lidhje me shpërthimin

Paraditen e sotme policia ka arrestuar Sotir Çabirin, 36-vjeçarin nga Saranda i cili dyshohet se hodhi në erë me tritol hotel Bizantin në qytetin bregdetar.

Nga kamerat e sigurisë Çabiri është parë të dalë nga hoteli 3 minuta para shpërthimi, që dyshohet se ka ardhur si pasojë e konfliktit për pronësinë e objektit 700 metër katrorë.

Edhe pse është filmuar nga kamerat, ai ka mohuar akuzat, duke thënë se ishte kthyer në hotel për të marrë diçka, jo për ta shpërthyer.

“Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari.

Ndërkohë sipas policisë, tritoli ishte vendosur në 5 pika në ndërtesë, çka tregon vendosmërinë e autorit për ta rrëzuar objektin totalisht.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në bulevardin e qytetit, teksa nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan dhe 30 objekte pranë hotelit./albeu.com