Plani i Putinit për të dalë nga lufta e tij “e pafitueshme” në Ukrainë

Nga Robert Kelly “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Rusia është e dëshpëruar të gjejë një përkufizim dinak të “fitores”, në mënyrë që t’i japë fund asaj që është kthyer në një “moçalishte” në Ukrainë. Presidenti Vladimir Putin e nisi pushtimin e tij duke pritur një fitore të shpejtë, të ngjashme me aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Modernizimi i shumëpërfolur i ushtrisë ruse vitet e fundit, e ushqeu ndoshta besimin e tij se kjo gjë ishte e arritshme. Por në vend të këtij skenari të shpresuar, Ukraina ia doli që të përballojë sulmet fillestare të Rusisë deri në fundin e marsit 2022.

Më pas ajo mundi sprapsë ndjeshëm forcat ruse në Donbas në fund të pranverës dhe në fillim të verës së vitit të kaluar. Tani duket se Ukraina po bëhet gati të nisë një kundërsulm të ri të madh këtë vit. Ajo realizoi 2 kundërsulme të mëdha në vitin 2022, duke çliruar rreth 40 për qind të territoreve të pushtuara nga rusët.

Më pak fjalë, Rusia nuk ka bërë pothuajse asnjë përparim që nga fillimi i fushatës së saj në shkallë të gjerë në shkurtin e vitit 2022. Ajo nuk do të humbasë plotësisht për sa kohë që vazhdon t’i kushtojë burime luftës, ashtu si  SHBA-ja në Luftën e Vietnamit.

Por luftimet pa ndonjë përparim të dukshëm dhe të pafundme janë të kushtueshme dhe nuk është e qartë se si mund të çojnë në fitore, e cila përkufizohet si përfundim i luftës me kushte dukshëm të favorshme për Rusinë.

Në kushtet kur Rusia po duket e paaftë ta mposhtë Ukrainën në fushën e betejës, Putini ka gjetur disa mjete të shpejta për të thyer ngërçin strategjik dhe për t’i dhënë fund konfliktit. Kërcënimi me armët bërthamore ka qenë metoda e tij më e dukshme.

Ai shpreson të trembë përkrahësit perëndimorë të Ukrainës, që të ushtrojnë presion mbi Kievin që të pranojë realitetin dhe të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi. Por kjo qasje ka dështuar, sepse askush nuk beson se Putini do të rrezikonte një luftë bërthamore për një konflikt të kufizuar.

Nga ana tjetër ai ka shpresuar jo pak tek ndihma e Kinës. Në fakt nëse Kina do ta mbështeste hapur luftën e tij, Putini mund të merrte fitoren vendimtare ushtarake që kërkon. Por Kina është shumë e varur nga tregtia me Perëndimin, ndaj nuk mund të rrezikojë një përballje të hapur me të.

Kësisoj, ideja më e re që po qarkullon në Moskë është shpallja e fitores rreth vijës aktuale të kontrollit, pra vijës së parë të frontit midis 2 ushtrive. Në rastin më të mirë për rusët, kjo strategji do të vendoste mbi ukrainasit barrën morale të vazhdimit të luftës. Rusia do të shpallte luftën e përfunduar, dhe qëllimet e saj do të përmbusheshin.

Ajo do të ofronte tërheqjen e disa prej forcave të saj në këmbim të njohjes nga Kievi të pushtimeve dhe aneksimeve të saj territoriale.  Por kjo skemë nuk ka gjasa që të funksionojë. Mbështetja e opinionit publik ukrainas për luftën është e lartë. Udhëheqja e saj nuk ka gjasa të pranojë linjën aktuale të frontit si kufirin e saj të ri me Rusinë.

Edhe Perëndimi, tejet i kujdesshëm për të mos e lejuar Rusinë që të rishikojë në mënyrë të njëanshme kufijtë kombëtarë, do ta refuzojë me gjatë një propozim të tillë. Rusia mund të këmbëngulë të ruajë linjën aktuale të frontit, por ka të ngjarë që Ukraina të qëmtojë dobësitë e saj dhe të zgjedhë ku të sulmojë.

Nga ana tjetër, kjo strategji do të kërkonte që Rusia të mbajë një prani të madhe ushtarake si në territoret e pushtuara po ashtu edhe përgjatë frontit. Shpallja e përfundimit të luftës ka kuptim vetëm nëse bie dakord edhe pala tjetër. Ukraina është e qartë që nuk është dakord. Vetëm për shkak se Rusisë i janë shteruar aftësinë e saj për të marrë më shumë territore ukrainas, nuk do të thotë se Ukraina ose partnerët e saj do të pranojnë statuskuonë aktuale.

Kundërsulmi i pritshëm pranveror i Ukrainës ka të ngjarë të nisë shumë shpejt. Përpjekja e dëshpëruar e Rusisë për t’i dhënë fund luftës që ka nisur ilustron më së miri problemin që ka aktualisht Putin.

Lufta është e kushtueshme dhe ekonomia ruse me një madhësi mesatare, e korruptuar dhe e varur nga burimet nuk është e strukturuar si duhet për të mbështetur një luftë të gjatë rrënuese, sidomos kundër koalicionit shumë më të pasur perëndimor që e mbështet Ukrainën.

Rusia ka humbur një sasi befasuese të pajisjeve në këtë luftë, dhe ka filluar të përdorë automjete të blinduara të prodhuara dekada më parë. Po ashtu, asaj i mungon teknologjia kompjuterike për të prodhuar mjaftueshëm armë inteligjente. Nga ana tjetër po bëhet e varur nga Kina, veçanërisht për tregtinë.

Ekonomia e saj është tkurrur nën sanksionet e forta të Perëndimit, dhe ndoshta do të vazhdojë të tkurret nëse lufta vazhdon për një kohë të pacaktuar. NATO ka gjetur një qëllim të ri dhe është zgjeruar, duke e përkeqësuar mjedisin mbrojtës të Rusisë.

Fitimet krahasuat me të gjitha këto kosto kanë qenë të papërfillshme. Rusia ka pushtuar pjesërisht disa rajone lindore të Ukrainës, të cilat tani janë të shkatërruara dhe shpopulluara. Pjesa më e madhe e botës nuk do ta pranojë aneksimin e tyre. Rritja ekonomike nuk do të rikthehet në këto hapësira pa mbaruar lufta. Ato, ashtu si lufta e vazhdueshme, do të jenë një “gropë thithëse” për ekonominë ruse.

Duke pasur parasysh fuqinë e aparatit represiv, Vladimir Putin mund t’i imponojë rusëve pranimin e vazhdimit të luftës, pavarësisht kostove. Por më shumë se çdo gjë, ai duhet ta fitojë luftën dhe të kthejë sytë nga vendi i tij për të rindërtuar ushtrinë dhe ekonominë ruse. Bashkimit Sovjetik përjetoi një ngërç të gjatë e të përgjakshëm ushtarak në Afganistan në vitet 1980. Lufta e Ukrainës po evoluon tek i njëjti shterim i pakuptimtë i fuqisë kombëtare në këmbim të shumë pak përfitimeve të dukshme.

Nga këtu burojnë të gjitha këto përpjekje dredharake për të shpikur një fitore në fushëbetejë, e cila është tani jashtë kontrollit të Rusisë. Në të kundërt, gjithçka që duhet të bëjë Ukraina është të rezistojë siç ka bërë deri më sot. Për sa kohë që Ukraina nuk mposhtet, ajo po fiton dhe Putini është i bllokuar në një kurth të rrezikshëm. /albeu.com

Shënim:Robert E.Kelly, profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin Kombëtar të Pusanit, Kore e Jugut.


Shtuar 21.04.2023 11:27