I zhdukur prej 5 muajsh, celulari i Ulvi Skanas rezulton i ndezur në disa zona të Tiranës

29-vjeçari Ulvi Skana vazhdon të jetë i humbur prej 5 muajsh. I riu i cili kishte shoqëri me Can Karriqin që u vra në dhjetorin e vitit të kaluar në Kamëz u largua nga shtëpia e tij në Bathore në muajin maj dhe që prej atëherë nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij.

Së fundmi në media është zbuluar se Prokuroria dhe policia, kanë arritur të gjurmojnë telefonin e të riut në disa zona të Tiranës. Sipas hetuesve, aparati celular i të riut është ndezur disa herë në zona të ndryshme pranë kryeqytetit. Policia ka kryer kontrolle në 3 adresa ku celulari i tij ka rezultuar i ndezur por nuk ka arritur të sigurojë asnjë gjurmë për 29-vjeçarin nga Lura.

Për herë të fundit Ulvi Skana ka qenë në Bathore aty ku jetonte. Familjarët kur kanë bërë kallëzimin për largimin e tij nga shtëpia i kanë dhënë policisë edhe disa numra me cilët dyshohet se kanë qenë kontaktet e fundit të 29 vjeçarit. Sipas ora news personat që kanë në përdorim këto numra telefoni janë marrë në pyetje nga policia por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në gjetjen e të riut me vendbanim në Bathore.

Ekziston mundësia që ai të jetë larguar nga Shqipëria, por policia nuk e provon dot diçka të tillë pasi pasaporta e 29-vjeçarit është në shtëpi. Edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga zhdukja e tij policia dhe prokuroria ende nuk po përcaktojnë dot nësë është rrëmbim apo largim i qëllimshëm nga banesa.

Kujtojmë se Can Karriqi kishte shoqëri me dy të vrarët në Astir, Erigers Mihasin dhe Armando Dumanin të cilët ishin miq të ngushtë të Ervis Martinajt i cili gjithashtu rezulton i zhdukur që prej muajit gusht.