Franca është në “tehun e thikës”, a do t’i mbijetojë trazirave qeveria e Macron?

Nga Gavin Mortimer ”The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

E enjtja ishte një ditë anarkie në Francë. Madje protestat e dhunshme gjatë natës çuan në anulimin e vizitës shtetërore të mbretit britanik Charles në Francë, e cila do të niste këtë fundjavë. Mbreti duhej të vizitonte Parisin dhe Bordonë, dy nga qytetet e goditura nga dhuna ekstreme.

Në Bordo, u sulmua godina e një bashkie. Në Lorient u sulmua një komisariat policie, ndërsa në Nante një gjykatë. Por dhuna më brutale u pa në Paris. Qindra vandalë të veshur me të zeza u përleshën me policinë, 149 prej të cilëve u plagosën. Po ashtu ata thyen dhe plaçkitën dyqane, banka dhe restorante.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, ia atribuoi dhunën ekstremistëve të majtë, të cilëve ai iu drejtua me një mesazh të veçantë të enjten në mbrëmje: “Dua t’u them atyre se jemi tepër të vendosur, dhe dhuna e tyre nuk do të ketë sukses”.

Kjo është një sfidë që ka të ngjarë të pranohet nga ekstremistët, rreth 1500 prej të cilëve ishin në Paris të enjten. Në dallim nga qindra mijëra demonstrues paqësorë që protestuan nëpër rrugët e kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit mbi reformimin e sistemit të pensioneve të presidentit Macron, ekstremistët e majtë ishin aty “për të goditur policinë dhe për të shkatërruar ndërtesat publike” theksoi Darmanin.

Dita tjetër e protestës do të jetë të martën, edhe pse do të ishte e habitshme nëse nuk do të ketë më trazira në fundjavë, sidomos në mbrëmje, kur banditët dalin në rrugë. Zyrtarët e policisë së Parisit nuk kanë pasur një natë të qetë që kur qeveria përdori një nen të diskutueshëm për të miratuar ligjin mbi reformën e pensioneve 8 ditë më parë.

Njerëzit janë shumë të zemëruar më këtë masë dhe kanë shfryrë dufin ndaj policisë, duke plagosur më shumë se 350 prej tyre deri më sot. Për fatin e mirë të Macron “vija e tij e hollë blu” është forcuar vitet e fundit, një pasojë kjo e dhunës që karakterizoi protestat e jelek-verdhëve gjatë viteve 2018-2019.

Një fushatë rekrutimesh të reja në polici nisi vitin e kaluar, u blenë automjete të reja të blinduara dhe në vitin 2021 u formua një njësi elitare, e specializuar në përleshjet urbane. Por disa policë vazhdojnë me sjelljet e vjetra. Në një video që ka qarkulluar shumë këtë javë në rrjet sociale, shihet një polic që godet me grusht një protestues duke e lënë pa ndjenja.

Oficeri që dyshohet se ishte përgjegjës për gjuajtjen e grushtit ishte një anëtar i “Brav-M”, një njësi e motorizuar e reagimit të shpejtë e krijuar në vitin 2019 për t’u përballur në mënyrë më efektive me dhunën e turmës. Të mërkurën, tre deputetë të ekstremit të majtë La France Insoumise (LFI) i shkruan një letër Darmanin duke kërkuar “çmontimin” e Brav-M.

Por kërkesa u shpërfill. Që nga fillimi i protestave në janar, Darmanin ka akuzuar elementë të së majtës se po përpiqen të inkurajojnë anarkinë përmes përdorimit të një retorike nxitëse.

Udhëheqësi i LFI-së, Jean-Luc Melenchon, duket se ka një armiqësi të veçantë ndaj policisë. Vitin e kaluar ai shkroi në Twitter se “policia vret”, duke e akuzuar atë për shpërdorim të detyrës pasi qëlluan për vdekje një pasagjer në një makinë që kishte refuzuar të ndalonte në një pikë kontrolli.

Politikanët e krahut të majtë në Francë, e dinë se shumica e punonjësve të policisë votojnë për Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen, por pakënaqësia e tyre është e vjetër. Njësia speciale e policisë CRS, e cila ka qenë e spikatur për angazhimin e saj këtë javë në Paris, u themelua në dhjetor 1944 për të mbrojtur Republikën kundër mundësisë së një kryengritje komuniste.

Në vitin 1948 ajo u përdorur kundër grevës së minatorëve, në një përplasje që shkaktoi vdekjen e disa protestuesve.  Në atë periudhë u kompozua një këngë “CRS=SS”, duke e krahasuar njësinë e policisë franceze me korpusin elitar të Gjermaninë naziste.

Trashëgimia e saj ka kaluar brez pas brezi, nga kryengritja studentore e majit 1968 deri te protestat e jelek-verdhëve të 2018-ës. Vitin e kaluar, një sondazh në Francë raportoi se 50 për qind e njerëzve kishin besim tek policia.

Kjo gjysmë e vendit tmerrohet nga dhuna që po sheh në ekranet televizive. Simpatia e tyre nuk është për protestuesit që goditen me grusht dhe shemben përtokë apo që arrestohen në mënyrë arbitrare, por për policinë që ata e konsiderojnë si një gardian që qëndron midis Republikës dhe revolucionit.

Franca po vuan nga nivele rekord të krimit të dhunshëm. Dhe kjo gjysmë e Francës do të donte kishte më mirë një forcë policie që vepron me forcë sesa një forcë që lëshon terren. Siç u shpreh kreu i një sindikate policore në vitin 2021: “Policia i përshtatet sjelljes së publikut. Nëse askush nuk është i dhunshëm, as ne nuk jemi të dhunshëm”.

Deputetët më inteligjentë të krahut të majtë besojnë se dhuna e favorizon presidentin. “Sa më shumë kaos të ketë në vend, aq më shumë i përshtatet atij. Ai do të paraqitet si garantues i rendit “- deklaroi të mërkurën François Ruffin. Dhe Macron e bëri këtë të mërkurën në një intervistë televizive, kur më në fund iu referua protestave dhe kauzës së tyre.

Kishte një arsye shumë specifike pse ai zgjodhi që fjalimi të transmetohej në orën 13:00 dhe jo në mbrëmje. Kush i sheh lajmet e drekës? Pensionisti, mbështetësit kryesor i Macron, grupmosha që ishte vendimtare për kthimin e tij në pushtet vitin e kaluar.

Ne jetojmë në kohë të trazuara, e pranoi presidenti francez, dhe njerëzit kanë të drejtë të jenë të shqetësuar. Po ashtu, ata kanë të drejtë të protestojnë, shtoi ai, por paralajmëroi se “nuk do të tolerojë asnjë sjellje ekstreme”.

Dhe këtu përfshihet bllokimi i rafinerive të naftës dhe veprime të tjera që synojnë sipas fjalëve të një sindikate të ekstremit të majtë “ta gjunjëzojnë ekonominë”. Macron nuk do të tërhiqet. Ai as nuk mundet, të paktën jo tani. Pasi kjo do të shihej si një dorëzim para një turme, dhe reputacioni i tij nuk do të rikuperohej dot asnjëherë, as në vend dhe as në arenën ndërkombëtare.

Sa më gjatë të zgjasë dhuna dhe sa më shkatërruese të bëhen grevat, aq më e madhe është mundësia që Macron të luajë rolin e tij të preferuar si “mbrojtës i popullit”. Qofshin terroristët islamikë, jelekë-verdhë dhe tani ekstremistët e majtë, mesazhi nga Macron është gjithmonë i njëjtë: qetësohuni, e ruaj unë rendin e republikës.

Por nën pamjen e jashtme sfiduese të Macron do të ketë një shqetësim jo të vogël: kaosi është ngjitës për nga natyra, dhe ai mund të përhapet nga pakica e ekstremistëve të dhunshëm tek shumica e demonstruesve paqësorë. Këta të fundit janë burrat dhe gratë e zakonshme që e kanë humbur durimin e tyre përballë krizës së kostos së jetesës.

Në mënyrë instinktive, shumë prej tyre do të jenë pro-policisë, por ata janë në rrugë sepse janë kundër presidentit Macron. Sa larg janë të përgatitur të shkojnë ata për ta përcjellë zemërimin dhe padrejtësinë që ndjejnë? Kjo është një pyetje, së cilës nuk mund t’i përgjigjet i sigurt as vetë Macron. /albeu.com

 


Shtuar 25.03.2023 12:59