Tritoli në banesën e shefit të krimeve të rënda në Shkodër, kamerat e sigurisë kapën momentin kur autori i afrohet shtëpisë

Kamerat e sigurisë filmuan autorin që ivendosi tritol banesës së Pëllumb Shpatit, shefi i krimeve të rënda në Shkodër.

Albeu.com mëson se kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur një person ende i paidentifikuar ka shkuar në këmbë drejt banesës së shefit të policisë.

Ai ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar në këmbë, drejt një makine që e priste pak metra larg banesës së shefit të krimeve të rënda. Autori hipën në makinë dhe largohet.

Kujtojmë se shpërthimi në banesën e Pëllumb Shpatit ndodhi në orët e para të mëngjesit sot. Ai është shprehur se nuk ka konflikt me askënd dhe se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë bërë sulmin ndaj tij.

Nga ana tjetër, babai i Shpatit, Gjergj Shpati tha se është i tronditur nga ngjarja. Ai deklaroi se familja nuk i ka borxh asnjeriu dhe se shpërthimi mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së djalit të tij.

Lënda plasëse shpërtheu rreth orës 03:50 të mëngjesit të sotëm në lagjen Dobraç, sipas policisë. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./Albeu.com./