Dhurata ideale! 10 librat që duhen lexuar këtë prag festash
Libri mbetet një prej atyre dhuratave të paçmuara, që i bën ballë kohës dhe hapësirës dhe për festat e fundvitit është ideali.
Kur vjen momenti për të gjetur një libër të mirë e për ta dhuruar me rastin e festave, zgjedhja mund të mos jetë aq lehtë sa mendohet, por me listën e mëposhtme shpresojmë t’ju vijmë në ndihmë.

-Për baballarët dhe bijat e tyre, “Cironka” e Lisa Brennan-Jobs, do të ishte dhurata e duhur për të njohur njëri-tjetrin, baballarët mund të mësojnë vështirësitë e rritjes së një bije dhe bijat të zbulojnë dilemat e baballarëve.

-Për më të vegjlit tanë, dy libra shumë të bukur do të ishin: “Aventurat e pazakonta të shegertit të vogël” dhe “Tre ujqit e vegjël”. Përralla kroate e shegertit që ndihmon të tjerët dhe ata ia kthejnë dyfish mbështetjen është një prej mesazheve më të bukura që mund të jepen në frymën e Krishtlindjes, të paqes dhe mirësisë.

-Ndërsa “Tre ujqit e vegjël”, do t’u tregojnë fëmijëve se përmes së bukurës, përmes librit dhe artit, mund të bëhet i mirë edhe egërsira më e keqe.

-A ka më bukur se një dhuratë si romani “Përçmimi” i Alberto Moravia-s për çiftet e reja e të vjetra, të dashuruar apo të martuar, në paqe me njëri-tjetrin apo në krizë! Një libër që do t’i ndihmonte të njihnin veten dhe tjetrin, të analizonin së bashku veprimet, gjestet, mendimet, dëshirat, persepektivat e tyre drejt qëllimit më të madh që kemi, lumturisë.

-Për vajzat e forta ose të brishta, për vajzat që enden në terr për të gjetur udhën e tyre në një vend paragjykues, “Muza e haresë” i Goliarda Sapienza-s, “Xhejn Er” i Chalotte Brontë apo “Mami, unë dhe mami” i Maya Angelou-t do t’u jepte frymëzimin e duhur për të qenë vetvetja, të paepura për ta jetuar jetën ashtu siç duan.

-E për ta njohur jetën e rrugës, mbijetesën e vështirë, arritjen e ëndrrës dhe frikën nga fama, mund ta gjeni të shpalosur mrekullisht në romanin “Hollywood” të Charles Bukowski-t.

-Po dashurinë e ndaluar, atë që bën të dridhet edhe një burrë, dashuri që s’e pat njohur gruaja kurrë, ku mund ta gjeni? E ku tjetër përveçse te “Ora e ligë” i Tom Kukës (Enkel Demit), që do t’ju zbulojë një gjëmë dhe një mollë të ndaluar, një gjakmarrje dhe shpirt e epsh shkrirë në një.

-Po ata që janë lënduar nga humbje apo trauma të mëdha, ku mund të gjejnë një fije mbështetje? Në librin e tyre, “Plani B”, Sheryl Sandberg dhe psikologu Adam Grant, shkruajnë se njeriu është në gjendje ta marrë sërish veten pas ngjarjeve të rënda e tragjike, ndaj urojmë që të lehtësojmë sadopak dhembjen tuaj përmes leximit.

Festa të bukura, plot kujtime shpirtërore!
Shtuar më 25/12/2020, ora 08:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori