RAPORTI/ Kuvendi nuk plotëson vendet vakante në institucione

Një monitorim i Institutit të Studimeve Politike (ISP) ka gjetur shkelje në aktivitetin dhe vendimmarrjen parlamentare.

Shkeljet e Kuvendit sipas ISP konstatojnë kryesisht në zgjedhjen e anëtarëve apo kryetarëve të institucioneve të ndryshme kushtetuese ose të krijuara me ligj që janë në përgjegjësinë direkt ose indirekte të tij. Konkretisht prej 16 muajsh është vakant vendi për kryetarin e KLSH,por ky vend kërkon ndarje përgjegjësie me Presidentin.

Rekord mban vendi vakant në AIDSSH (24 muaj), apo vende në KD të RTSH, ku vjet Kuvendi zhvilloi edhe seanca dëgjimore me disa kandidatë.

“Nëse kryetari i KLSH kërkon ndarje përgjegjësie me Presidentin vetë Kuvendi nuk e ka ngritur asnjëherë si shqetësim vendin vakant prej 16 muajsh, po ashtu disa vende të tjera vakante në përgjegjësi direkt të Kuvendit (siç janë renditur në tabelë), vijojnë të jenë jashtë axhendës parlamentare. Rekord mban vendi vakant në AIDSSH (24 muaj), apo vende në KD të RTSH, ku vjet Kuvendi zhvilloi edhe seanca dëgjimore me disa kandidatë. Ka pasur edhe raste kritike në standardet e dyfishta të aplikuara, si p.sh, në zgjedhjen e anëtarëve të Bordit në INSTAT, të AMF-së, etj, mangësi që janë evidentuar në raportime tona të mëparshme dhe për të cilat nuk ka pasur reflektim as nga Kuvendi dhe as nga individët përfitues & institucionet e lidhura me të.“, thuhet në raportin e ISP.

Bazuar në këto fakte dhe të tjera të njëjta me to rezulton se Kuvendi vetë nuk ka arritur të përmbushë detyrimet që burojnë nga Rregullorja dhe legjislacioni në fuqi, mekanizmat e brendshëm nuk kanë arritur të shmangin boshllëqet e krijuara, Komisioni i Ligjeve nuk ka sjellje ligjore sa do të duhej, dhe për rrjedhojë, Kuvendi vijon të ketë një numër të madh vendesh vakante të paplotësuara dhe në përgjegjësinë direkt ose indirekte të tij.

E plotë

Kuvendi i Shqipërisë ka tre funksione bazë, ku funksioni elektoral (për të zgjedhur) është funksioni i dytë thelbësor i tij. Kuvendi zgjedh kryetarin e KLSH (me propozim të Presidentit), zgjedh anëtarë të institucioneve të ndryshme kushtetuese ose të krijuara me ligj, si dhe plotëson vendet vakante të krijuara gjatë mandatit të tyre në rast dorëheqje, në rast largimi për arsye të tjera ose në rast të ndryshimit të ligjeve organike që lidhen me këto institucione. “Kushtetuta” e Kuvendit është Rregullorja e Kuvendit, neni 111 i të cilës, përcakton detyrimin se për zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe të atyre të krijuara me ligj “kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Kuvendi shqyrton propozimin dhe kryen votimin për kandidatët në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës dhe jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit”.

Në monitorimin e Institutit të Studimeve Politike (ISP) për aktivitetin dhe vendimmarrjen parlamentare vazhdimisht theksojmë gjetje, rekomandime dhe vlerësime pozitive apo kritike për Kuvendin dhe vendimmarrjet e tij në raport me Rregulloren dhe Kushtetutën. Monitorimi dhe qëndrime të tilla janë në interes publik, janë instrumente të demokracisë funksionale dhe janë në dobi edhe të vetë Kuvendit dhe rolit të tij në sistemin politik dhe jetën politike në vend. Në këtë kontekst është legjitime pyetja: Kuvendi kontrollon dhe merr vendime për “të tjerët”. Pyetja është, po Kuvendin vetë, kush e kontrollon? Kur Kuvendi shkel Rregulloren e tij dhe nuk i përmbahet detyrimeve kushtetuese e ligjore, kush mban përgjegjësi dhe kush jep llogari? Në praktikat e vendeve demokratike Kuvendi vetë ka institucione vet-kontrolluese brenda tij dhe deputetët e grupet e ndryshme parlamentare e ushtrojnë kontrollin përmes komisioneve, seancave apo mbledhjeve në strukturat e Kuvendit. Në rastin tonë nuk asnjë deputet ose grup parlamentar nuk ankohet dhe nuk shqetësohet për shkeljet e afateve ligjore të Kuvendit, ndaj kjo praktikë nuk aplikohet. Vetë Kuvendi nuk ka instrumente kontrolluese brenda tij dhe strukturat përgjegjëse të ligjshmërisë janë organe të varura nga vullneti politik, ndaj nuk mund të kritikojnë ata që i emërojnë. Kuvendi ynë i ka dhënë një pozitë të privilegjuar në këtë proces Komisionit të Ligjeve, i cili për nga përbërja dhe funksionimi, mbetet një Komision shumë më pak cilësor, përfaqësues dhe funksional sesa i njëjti komision, p.sh, në legjislaturën e kaluar parlamentare të së njëjtës mazhorancë.

Bazuar në këto fakte dhe të tjera të njëjta me to rezulton se Kuvendi vetë nuk ka arritur të përmbushë detyrimet që burojnë nga Rregullorja dhe legjislacioni në fuqi, mekanizmat e brendshëm nuk kanë arritur të shmangin boshllëqet e krijuara, Komisioni i Ligjeve nuk ka sjellje ligjore sa do të duhej, dhe për rrjedhojë, Kuvendi vijon të ketë një numër të madh vendesh vakante të paplotësuara dhe në përgjegjësinë direkt ose indirekte të tij. Nëse kryetari i KLSH kërkon ndarje përgjegjësie me Presidentin vetë Kuvendi nuk e ka ngritur asnjëherë si shqetësim vendin vakant prej 16 muajsh, po ashtu disa vende të tjera vakante në përgjegjësi direkt të Kuvendit (siç janë renditur në tabelë), vijojnë të jenë jashtë axhendës parlamentare. Rekord mban vendi vakant në AIDSSH (24 muaj), apo vende në KD të RTSH, ku vjet Kuvendi zhvilloi edhe seanca dëgjimore me disa kandidatë. Ka pasur edhe raste kritike në standardet e dyfishta të aplikuara, si p.sh, në zgjedhjen e anëtarëve të Bordit në INSTAT, të AMF-së, etj, mangësi që janë evidentuar në raportime tona të mëparshme dhe për të cilat nuk ka pasur reflektim as nga Kuvendi dhe as nga individët përfitues & institucionet e lidhura me të.

Një Kuvend transparent dhe llogaridhënies është në interes thelbësor të përpjekjeve për demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës, pavarësisht nëse në momente të caktuara, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara politike ai përkohësisht përbëhet nga mazhorancë e opozitë të fortë, mazhorancë pa opozitë efektive, apo mazhorancë dhe një opozitë simbolike.


Shtuar 24.05.2020 10:48