Rritja e çmimit të naftës, Rama prezanton masën e parë: Asnjë çmim në treg pa miratimin e bordit

Kryeministri Edi Rama në një komunikim LIVE në Facebook ka prezantuar edhe masën e parë të qeverisë për frenimin e mëtejshëm të çmimit në naftës në Shqipëri.

Ai tha se brenda 48 orësh do të ngrihet një bord special ku do të jenë pjesë qeveria dhe furnitorët e naftës.

Sipas kryeministrit Rama asnjë çmim në tregun e naftës nuk do të vendoset pa u miratuar më parë nga ky bord.

Rama tha se sot nuk është koha për të fituar, por koha për të rezistuar të gjithë bashkë.

“Përveç faktit se nafta është produkt dhe qeveria nuk mund të hyjë në çmimet në treg. Por ky vend është në luftë pasi lufta ka ardhur me faturën e çmimit të naftës, prandaj ne do ta trajtojmë këtë situatë si në luftë, për të frenuar çdo spekulant për çmimin e naftës. Brenda 48 orësh do të shpalosim planin tonë me një akt ligjor, një bord për naftën, ku furnizohet e vendit do të jenë në tavolinë me qeverinë, dhe ku marzhi i fitimit do të përcaktohet në atë tavolinë dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet nga grumbullimi tek shfrytëzimi. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen pa u miratuar nga bordi superspecial, që do të jetë një tryezë e përbashkët e furnitorëve dhe qeverisë. Sot nuk është dita për të fituar, është dita për të rezistuar”, tha Rama.

Ndërkohë kreu i qeverisë theksoi se nuk pret leksione nga askush, pasi ai më mirë se kushdo njeh dhe jeton me problemet e njerëzve në Shqipëri.


Shtuar 10.03.2022 19:15